
Lufta në Iran mund të ketë qenë një nga faktorët që shtyu personin e akuzuar për tentativën e vrasjes së Presidentit Donald Trump gjatë Darkës së Korrespondentëve të Shtëpisë së Bardhë, 10 ditë më parë, sipas një raporti të Shërbimit Sekret amerikan të dërguar autoriteteve shtetërore dhe lokale në SHBA.
Raporti, një vlerësim paraprak i hartuar nga Zyra e Inteligjencës dhe Analizës e Departamentit të Sigurisë Kombëtare më 27 prill, tregon se i dyshuari, Cole Thomas Allen, kishte “pakënaqësi të shumta sociale dhe politike”.
Duke u mbështetur, ndër të tjera, në postimet e Allen në rrjetet sociale ku kritikonte politikat amerikane në Lindjen e Mesme, raporti arrin në përfundimin se konflikti në Iran “mund të ketë ndikuar në vendimin e tij për të kryer sulmin”.
Autoritetet amerikane nuk kanë dhënë ende detaje të plota mbi motivet e 31-vjeçarit, por kanë theksuar si provë të rëndësishme një email që ai u dërgoi familjarëve natën e ngjarjes. Mesazhi, i cilësuar nga hetuesit si një “manifest”, shprehte zemërim ndaj qeverisë dhe përmendte synimin për të goditur një “tradhtar” gjatë një fjalimi, pa e përmendur Presidentin Trump me emër.
Akuzat gjithashtu theksojnë se Allen nuk pajtohej politikisht me Trump dhe synonte të reagonte ndaj politikave dhe vendimeve qeveritare që ai i konsideronte moralisht të papranueshme.
Ndërkohë, FBI po vijon të analizojë aktivitetin dixhital dhe sjelljen e tij në rrjetet sociale, sipas një zyrtari të lartë të cituar nga Reuters.






















