Lufta që po zhvillohet në Lindjen e Mesme po vë nën presion Aviacionin Europian me vende të ndryshme që raportohet se kanë nga tre muaj deri në 8 muaj rezerva karburanti për avionët e tyre.
Sipas asaj që shkruan media Italiane ‘Corriere Della Sera’, disa qeveri nuk po përjashtojnë më as skenarët e racionimit të karburantit që mund të sjell një reduktim të fluturimeve nga maji ose qershori ku fillimisht do të prekeshin avionët private dhe më pas linjat e rregullta. Në artikullin e saj Corriere Della Sera citon burime të brendshme nga Autoritetet e Aviacionit Civilë në Europë.
Mbyllja e Ngushticës së Hormuzit, pas shpërthimit të luftës mes SHBA-ve dhe Izraelit nga njëra anë dhe Iranit nga ana tjetër, ka reduktuar pothuajse në zero numrin e cisternave që kalojnë ngushticën, nga një mesatare prej 60 cisternash që kalonin në ditë përpara nisjes së luftës.
Një raport i Scope Ratings nga vitit 2025 tregon se Gjiri Persik furnizonte 43% të nevojave për karburant të avionëve në Europë ndërsa vendet që kanë varësinë më të madhe janë Spanja, Italia dhe Greqia që varen nga rrugëtimi i cisternave përmes Kanalit të Suezit dhe Mesdheut Lindor.






















