
Ushtria izraelite njoftoi të shtunën se ka nisur një valë të re sulmesh ndaj asaj që e cilëson si “infrastrukturë të Hezbollahut” në kryeqytetin libanez, Bejrut, ndërsa më herët shkatërroi një urë në lindje të vendit për të penguar lëvizjen e përforcimeve të grupit të mbështetur nga Irani.
Sipas raportimeve të agjencisë AFP, dy shpërthime të fuqishme u dëgjuan në Bejrut brenda një intervali prej rreth 30 minutash në orët e para të mëngjesit të së shtunës, ndërsa tym i dendur u pa të ngrihej nga zona e goditur.
Mediat lokale raportuan për dy sulme në periferitë jugore të kryeqytetit, një zonë e njohur si bastion i Hezbollahut dhe që ka qenë objektiv i përsëritur i bombardimeve izraelite ditët e fundit. Këto zhvillime vijnë në kohën kur ushtria izraelite po vijon operacionin e saj tokësor në jug të Libanit, me synimin për krijimin e një “zone sigurie”.
Ndërkohë, Agjencia Kombëtare e Lajmeve e Libanit (NNA) bëri të ditur se avionët luftarakë izraelitë goditën urën që lidh zonat Sohmor dhe Mashghara, duke e shkatërruar atë plotësisht. Sipas mediave lokale, është goditur edhe një urë e dytë në të njëjtën zonë.
Sulmet ajrore në Sohmor vijuan deri në orët e para të mëngjesit, me raportime se qendra e qytetit u godit të paktën dy herë, ndërsa avionët luftarakë patrullonin në qiell.
Më herët, Izraeli ka shkatërruar edhe pesë ura të tjera mbi lumin Litani në jug të Libanit, duke ndërprerë një pjesë të madhe të rrugëve kryesore që kalojnë në këtë zonë strategjike.
Sipas Ministrisë libaneze të Shëndetësisë, në Sohmor dy persona humbën jetën dhe 15 të tjerë u plagosën nga një sulm ajror që goditi zonën në momentin kur besimtarët po largoheshin nga xhamia pas faljes së së premtes.
Autoritetet libaneze raportojnë se mbi 1,300 persona janë vrarë gjatë një muaji përshkallëzimi të armiqësive mes Izraelit dhe Hezbollahut.






















