Pas sulmeve ndaj Iranit, Teherani jo vetëm ka mobilizuar forcat ushtarake për t’u mbrojtur nga ofensiva e përbashkët e SHBA-së dhe Izraelit, por ka hapur edhe një tjetër front: luftën e propagandës në rrjetet sociale. Në ditët e fundit, disa ambasada iraniane në botë kanë përdorur llogaritë e tyre në platformën X për të publikuar meme dhe postime satirike që ironizojnë administratën e presidentit amerikan. 
Postimet përfshijnë montazhe dhe biseda të rreme që parodizojnë deklaratat e Donald Trump për negociata apo armëpushim. Në një prej tyre, një llogari e lidhur me një ambasadë iraniane publikoi një bisedë të sajuar me mesazhe, ku Trump duket sikur shkruan i vetëm për një marrëveshje me Iranin, duke tallur pretendimet e tij për bisedime diplomatike. 
Këto postime janë bërë virale dhe janë interpretuar nga analistët si pjesë e luftës së informacionit dhe propagandës që po zhvillohet paralelisht me konfliktin ushtarak në rajon. Përveç operacioneve në terren, Irani po përpiqet të ndikojë opinionin publik global përmes humorit dhe ironisë në rrjetet sociale. 
Në këtë mënyrë, përplasja mes Teheranit dhe Uashingtonit nuk po zhvillohet vetëm në fushën ushtarake, por edhe në hapësirën digjitale, ku satira dhe memet janë kthyer në armë të reja propagandistike.






















