
Pas padisë të një ish-punonjësi të bankës amerikane, JPMorgan Chase, se është abuzuar seksualisht nga drejtuesja shqiptare, Lorna Hajdini, ka reaguar institucioni financiar, duke thënë se gjithçka në padi është sajesë, raporton New York Post.
Sipas burimeve, bëhet fjalë për Chirayu Rana, 35 vjeç, aktualisht drejtues në një firmë investimesh. Ai kishte ngritur një padi këtë javë, nën pseudonimin “John Doe”, ndaj Lorna Hajdini, drejtuese ekzekutive në bankën amerikane.
Në padi, ai pretendonte se ishte detyruar në marrëdhënie seksuale përmes presionit dhe kërcënimeve, akuza që u publikuan fillimisht nga Daily Mail, duke iu referuar dokumenteve gjyqësore që më pas u tërhoqën për “korrigjime”.
Nga ana e saj, Hajdini i ka mohuar kategorikisht pretendimet, duke deklaruar përmes avokatëve se ‘nuk ka pasur kurrë sjellje të papërshtatshme dhe se nuk ka qenë asnjëherë në vendin ku pretendohet të ketë ndodhur ngjarja’.
Padia përfshinte gjithashtu edhe vetë JPMorgan Chase, duke e akuzuar për mosveprim dhe hakmarrje. Megjithatë, banka ka reaguar duke theksuar se një hetim i plotë i brendshëm, që përfshinte analizën e komunikimeve dhe dëshmive të stafit, nuk gjeti asnjë provë që mbështet pretendimet.
Sipas bankës, ankuesi nuk ka bashkëpunuar me hetimin dhe nuk ka ofruar fakte thelbësore për të mbështetur akuzat e tij.
Burime të brendshme bëjnë të ditur se dy personat nuk kishin marrëdhënie direkte pune dhe se Hajdini nuk kishte asnjë ndikim në shpërblimin financiar të tij, duke hedhur dyshime mbi bazueshmërinë e pretendimeve.
Ndërkohë, çështja mbetet në proces ligjor dhe nuk është caktuar ende një datë për gjykim, ndërsa zhvillimet e mëtejshme pritet të hedhin më shumë dritë mbi një nga rastet më të diskutueshme në sektorin financiar kohët e fundit.






















