
Festa e Shën Mërisë është kremtuar edhe këtë 15 gusht në Manastirin e Zvërnecit, ku besimtarë ortodoksë nga i gjithë vendi, por edhe qytetarë e pushues të shumtë, janë mbledhur për të festuar Fjetjen e Shën Mërisë, një nga ditët më të rëndësishme të kalendarit të krishterë.
Besimtarët kanë ndezur qirinj dhe janë lutur për paqe, shëndet dhe mbarësi, ndërsa Manastiri i Zvërnecit, një prej monumenteve të rëndësishme të trashëgimisë kulturore në jug të vendit, është kthyer sërish në një destinacion pelegrinazhi.
At Jani Tereziu shpjegon se 15 Gushti zë një vend të veçantë në kalendarin e krishterë. Në këtë ditë mbahen mesha dhe festa njihet ndryshe edhe si “Pashka e Vogël” apo “Pashka e Verës”.
“Sot festojmë ndërrimin e jetës së Shën Mërisë, por ngjitjen menjëherë në qiell të saj me gjithë trup”, shprehet At Jani Tereziu.
Për shumë prej besimtarëve, pjesëmarrja në kremtimet në Zvërnec është kthyer në një traditë të përvitshme.
“Unë vij nga Greqia, por njëherë në vit vij këtu. Shkojmë në kishë, ndezim qirinj, ndjekim liturgjinë, ikim në shtëpi, gëzohemi dhe kërcejmë”, tregon një besimtare.
“Festohet duke mbajtur kreshmë 15 ditë, vijmë më 15 gusht, ndezim qirinj”, shprehet një tjetër.
Pjesë e traditës së kësaj feste është edhe marrja e degëve të dafinës për në shtëpi, të cilat shiheshin në duart e shumë besimtarëve të pranishëm në Manastirin e Zvërnecit.






















