
Në fillimshekullin XX, kur çështja shqiptare kombëtare ende diskutohej ndër kancelaritë evropiane, përveç grave tashmë të njohura ndër shqiptarët, si Edith Durham, Margaret Hasluck apo Rose Wilder Lane, një figurë më pak e njohur, por jo më pak e rëndësishme, ishte edhe baronesha gjermane Marie Amelie von Godin, e cila do të lidhte fatin e saj intelektual dhe shpirtëror me Shqipërinë përmes Eqerem Bej Vlorës. Njohja me Eqerem bej Vlorën, një personalitet me formim perëndimor dhe vizion të qartë për të ardhmen e Shqipërisë, ndikoi fuqishëm tek baronesha Von Godin për të njohur realitetin shqiptar dhe për t’u angazhuar për çështjen shqiptare.
Baronesha Marie Amalie von Godin, e lindur më 7 mars 1892, bija e Këshilltarit të Shtetit bavarez, Bernhard Freiherr von Godin, u përfshi me pasion në çështjen shqiptare që në moshën njëzetvjeçare, me rastin e një udhëtimi në Orient. Që nga ai çast, ajo i kushtoi përpjekjet e saj fitimit të simpatisë së shtypit gjerman për çlirimin dhe vetëvendosjen e kombit shqiptar, duke botuar një numër të madh artikujsh në gazetat më me ndikim të Gjermanisë.
Në vitin 1910 nisi punën për hartimin e fjalorit të parë gjermanisht-shqip. Me fillimin e Luftës Ballkanike, u kthye përsëri në Shqipëri dhe zhvilloi një veprimtari të gjatë për përkrahjen e ideve të vetëqeverisjes, duke u përpjekur të bindte edhe ato figura shqiptare që ende ushqenin simpati për Perandorinë Osmane, se kjo lufta do të sillte disfatën e Portës së Lartë.
Baronesha von Godin ishte e pranishme në Vlorë më 28 nëntor 1912, në shpalljen e Pavarësisë. Në kujtimet e saj, ajo përshkruan atmosferën e asaj dite të pazakontë, si dhe momentin simbolik kur Eqerem Bej Vlora dorëzon flamurin shqiptar, i ruajtur prej tij, që më pas u valëvit në shtëpinë e Xhemil bej Vlorës.
Me rastin e Kuvendit Kombëtar në Vlorë, ajo punoi sërish për të mobilizuar shtypin gjerman në mbështetje të pavarësisë së Shqipërisë. Në vjeshtën e vitit 1913, nëpërmjet disa konferencave.të organizuara në Gjermani, arriti të mbledhë ndihma për dibranët e ikur, të strehuar deri në Tiranë.
Gjatë periudhës së sundimit të Princ Vidit, Baronesha von Godin, si korrespondente e gazetave kryesore gjermane, shërbeu edhe në spitalin e Durrësit, ku u përkushtua në ndihmën ndaj të sëmurëve dhe të plagosurve.
Në fillim të Luftës së Parë Botërore, ajo u arrestua nga autoritetet italiane në Brindisi, ku kishte shkuar për të ndihmuar shqiptarët e arratisur. Për shkak të qëndrimeve të saj të njohura “albanofile”, u dëbua jashtë shtetit.
Gjatë Luftës së Parë Botërore, Baronesha vazhdoi përpjekjet përmes konferencave dhe botimeve, duke kërkuar ndihmën e opinionit publik dhe të qarqeve qeveritare gjermane për mbështetjen e kauzës shqiptare. “Evropa”, shkruante ajo, “duhet të jetë mirënjohëse ndaj Shqipërisë, e cila, shekuj më parë, në kohën e heroit të madh Skënderbeut, arriti të ndalojë përparimin e turqve drejt kontinentit.”
Që prej përfundimit të luftës, Baronesha von Godin botoi artikuj të ndryshëm mbi Shqipërinë, dhe të jetës shqiptare. Në këtë mënyrë, ajo ka arritur të ngjallë një ndjenjë dashurie dhe respekti për Shqipërinë në opinionin gjerman.
Baronesha von Godin njihet si një nga njohëset më të përkushtuara të Shqipërisë, së cilës i kushtoi tërë dashurinë dhe veprimtarinë e saj akademike dhe shpirtërore. Po ashtu ajo ishërbeu si konsulente për institucionet zyrtare dhe akademike gjermane, mbi zhvillimet në Shqipëri.
Vepra e saj më e rëndësishme, “Fjalori Gjermanisht-Shqip”, u botua në vitet 1930–1931 dhe mbetet një dëshmi e rrallë e punës së saj shumëvjeçare në shërbim të kulturës dhe identitetit shqiptar.