Bota 25 Prill 2025, 08:45 Nga VNA

Analiza: A ka hequr dorë Trump nga shkatërrimi i programit bërthamor të Iranit?

Ndaje në Whatsapp
Analiza: A ka hequr dorë Trump nga shkatërrimi i programit

SHBA- Bisedimet e rëndësisë së lartë për çështjen bërthamore mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Iranit kanë kaluar tashmë në fazë teknike, pas vetëm dy rundeve të bisedimeve të ndërmjetësuara nga Omani.

Rundi i tretë i bisedimeve, së bashku me bisedime të ndara teknike, është caktuar për 26 prill në Muskat. Përparimi në bisedime ka nxitur thashetheme, veçanërisht në Iran, se administrata e presidentit amerikan, Donald Trump, është tërhequr nga kërkesa për shkatërrimin e programit bërthamor të Teheranit, dhe tani synon kufizimin e tij.

Por, analistët paralajmërojnë se është shumë herët për të nxjerrë përfundime të tilla. Derisa kalimi në bisedime teknike mund të nënkuptojë se ka zbutje të kërkesave amerikane, analistët thonë se shkatërrimi i programit bërthamor mund të mbetet ende synimi përfundimtar – ose të paktën mjet trysnie.

"Nuk kam menduar kurrë se shkatërrimi ishte synim i besueshëm", tha Richard Nephew, i cili ka shërbyer si ekspert për sanksionet në ekipin amerikan që arriti marrëveshjen bërthamore të vitit 2015 me Iranin.

"Por, nëse kjo është ende në mendjen e administratës Trump, atëherë e ardhmja afatgjatë mbetet e zymtë", shtoi ai.

Ai theksoi se edhe gjatë negociatave që çuan në Planin Gjithëpërfshirës të Veprimit të Përbashkët (JCPOA), pati bisedime teknike, edhe kur kërkesat amerikane mbeteshin maksimale.

Jason Brodsky, drejtor i politikave në organizatën Të Bashkuar Kundër Iranit Bërthamor (UANI), nuk e sheh trajektoren e tanishme si lëshim, por si trysni strategjike.

"Një doktrinë e Trumpit për Iranin po merr formë, ku Iranit i jepet një zgjedhje: Ose e shkatërroni vetë programin tuaj bërthamor, ose SHBA-ja dhe/ose Izraeli do ta bëjnë këtë për ju", tha ai.

A po përpiqet Irani të humbë kohë?

Disa, veçanërisht përkrahësit e shkatërrimit të programit bërthamor, argumentojnë se republika islamike po zvarrit negociatat derisa të skadojnë sanksionet e OKB-së.

Britania, Franca dhe Gjermania kanë kërcënuar se do ta aktivizojnë mekanizmin e “rikthimit automatik” të JCPOA-së [Planit Gjithëpërfshirës të Veprimit të Përbashkët] – që do të rikthente sanksionet e OKB-së ndaj Teheranit – nëse nuk arrihet një marrëveshje me Shtetet e Bashkuara deri në fund të qershorit.

Megjithatë, ky mekanizëm skadon në tetor. Të dy analistët pajtohen se Irani e sheh si të vlefshme zvarritjen e procesit për ta shmangur trysninë, për ta shmangur rikthimin e sanksioneve ose thjesht për të humbur kohë.

"Ka vetëm një sasi të caktuar trysnie për ta kaluar kohën, sepse edhe pas skadimit të mekanizmit të rikthimit, SHBA-ja mbetet kundërshtar i fortë me fushatën e saj të sanksioneve kombëtare", tha Nephew.

"Irani do të donte ta arrinte një marrëveshje të mirë, por nëse jo, do të pranojë edhe kohë të humbur – dhe shtyrje të mundshme të ndonjë veprimi ushtarak – si shpërblim ngushëllues", shtoi ai.

Brodsky ofroi një qëndrim më të ashpër, duke i quajtur negociatat " mburojë" që Teherani e përdor për ta mbrojtur punën e tij bërthamore nga kontrollet ose veprimet e mëtejshme.

"Irani është i vetmi që humb nëse dështojnë negociatat", tha ai. "Shtetet e Bashkuara, ndërkohë, nuk kanë nevojë për këto bisedime aq shumë sa Irani".

Si do të dukej një marrëveshje e mirë me Iranin?

Pavarësisht skepticizmit nëse shkatërrimi i programit bërthamor është ende kërkesë e arritshme, analistët pajtohen se një marrëveshje që kufizon aktivitetet bërthamore të Iranit mund të jetë e vlefshme, nëse përfshin garanci kyçe.

"JCPOA [Plani Gjithëpërfshirës të Veprimit të Përbashkët ] na jep shumë udhëzime këtu", tha Nephew. "Duhet t’i ketë tri gjëra: verifikim të kufirit, kufizime fizike që të mos mund të tejkalohet shpejt, dhe mundësi për pasoja nëse ata mashtrojnë."

Ai theksoi se, ndonëse është e pamundur që Irani të heqë sërish dorë nga centrifugat e avancuara, siç bëri në vitin 2015, "ende ka hapësirë për të gjetur një marrëveshje".

Megjithatë, Brodsky është skeptik se çfarëdo marrëveshje pos shkatërrimit të plotë mund ta ndalë vërtet Iranin nga përdorimi i programit bërthamor si përparësi.

Ai e konsideron kërcënim edhe pasurimin në nivele të ulëta – siç është kufiri prej 3.67 për qind i JCPOA-së.

"E drejta e tij për të pasuruar uranium në 3.67 për qind në kuadër të JCPOA-së ishte pjesë e një shantazhi", tha ai, duke iu referuar përpjekjeve të Iranit për të kërcënuar me zhvillimin e armëve bërthamore.

"Vazhdimi i këtij procesi negociatash bën që disa vëzhgues të besojnë se SHBA- ja ka pranuar të drejtën e Iranit për pasurimin e uraniumit", tha Brodsky.

"Unë besoj se administrata Trump është ende duke përcaktuar format se si do të dukej një marrëveshje e pranueshme”, përfundoi ai./REL

Video

Xhamajka po përballet me pasojat katastrofike të Uraganit Melissa, një prej stuhive më të fuqishme të kategorisë 5 që është regjistruar ndonjëherë në Karaibe. Zona e prekur, përfshirë qytetin portual Black River, u shndërrua në “pika zero” të shkatërrimit, ku banorët po përballen me ditë të tëra kaosi, urie dhe pasigurie. Mijëra njerëz janë detyruar të hyjnë në dyqanet e shkatërruara për të gjetur ushqim, ujë të pijshëm dhe furnizime jetike, ndërsa rrugët mbeten të bllokuara dhe mijëra banesa janë shkatërruar. Shumë njerëz janë lënë pa strehë, energji elektrike dhe ujë të rrjedhshëm, ndërsa autoritetet dhe organizatat humanitare po përpiqen të shpërndajnë ndihma në zonat më të prekura.

Një aeroplan i vogël u rrëzua të premten në mëngjes në Qarkun Saratoga, Nju Jork, duke shkaktuar vdekjen e pilotit dhe plagosjen e një pasagjeri. Incidenti ndodhi në Wyndham Way, qyteti Milton, pak pas ngritjes nga Aeroporti i Qarkut Saratoga. Hetuesit raportojnë se avioni katërvendësh Mooney M20E i vitit 1964 goditi një pemë para se të binte jashtë një shtëpie, ku dhe mori flakë. Pronari i shtëpisë tha se dëgjoi një zhurmë të fortë dhe u njoftua për rënien e avionit nga kalimtarët që ndihmuan pasagjerin. Sherifi i Qarkut Saratoga, Michael Zurlo, njoftoi se pasagjeri u dërgua në Qendrën Mjekësore Albany me lëndime të rënda, ndërsa piloti nuk ia doli. Identitetet e tyre nuk janë bërë të ditura. Në zonë frynin erëra të forta me shpejtësi 64 km/orë, por banorët e shtëpive përreth nuk u lënduan.

Vrasje në Selenicë: 35-vjeçari Daljan Alliaj ekzekutohet në derën e shtëpisë së xhaxhait – dyshohet për hakmarrje Një ngjarje e rëndë ka tronditur mbrëmjen e sotme fshatin Gjorm, në bashkinë Selenicë, ku mbeti i vrarë Daljan Alliaj, 35 vjeç, ndërsa krimi dyshohet të ketë ndodhur për motive hakmarrjeje. Sipas burimeve nga vendngjarja, vrasja ka ndodhur në derën e shtëpisë së xhaxhait të viktimës, ku Daljan Alliaj ndodhej në momentin e sulmit. Dëshmitarët kanë raportuar se gjithçka ka ndodhur shumë shpejt, në qendër të fshatit, pak minuta para se të mbërrinin forcat e policisë. Nga të dhënat paraprake, mësohet se një kushëri i viktimës, i cili ndodhet ndër autorët e masakrës së Çoles, mund të ketë lidhje me motivet që çuan në këtë ekzekutim. Megjithatë, policia ende nuk ka dhënë detaje për identitetin e autorëve apo lidhjet e tyre me ngjarjen e sotme.

Mijëra qytetarë u mblodhën në Novi Sad për të përkujtuar 16 viktimat e shembjes së çatisë së stacionit hekurudhor më 1 nëntor 2024. ? Marshues nga gjithë Serbia, përfshirë Beogradin e Novi Pazarin, përshkuan deri në 340 km për të marrë pjesë në ceremoni. ?? Ngjarja ndezi protestat më të mëdha në dekada, që çuan në dorëheqjen e qeverisë, por jo të presidentit Vuçiç. ? Qeveria shpalli ditë zie kombëtare, ndërsa Kisha Ortodokse Serbe mbajti meshë për viktimat.

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive?

Bashkohuni me grupin tonë privat.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme