Bota 25 April 2025, 08:31 Nga VNA

Lamtumira e fundit për Papa Françeskun - Ceremonitë kulmojnë sot në mbrëmje me mbylljen e arkëmortit, varri do të ndërtohet nga "guri i popullit"

Ndaje në Whatsapp
Lamtumira e fundit për Papa Françeskun - Ceremonitë

Në Vatikan kanë nisur përgatitjet finale për funeralin shtetëror të Papa Françeskut, i cili do të zhvillohet nesër në orën 10:00 në Sheshin e Shën Pjetrit. Mijëra besimtarë po dynden drejt Bazilikës për t’i bërë nderimet e fundit “Papës së të varfërve”, siç e quanin miliona ndjekës të tij për shkak të përulësisë, thjeshtësisë dhe angazhimit të tij në mbështetje të njerëzve në nevojë.

Ceremonia e sotme do të kulmojë në orën 20:00 me Ritin e Vulosjes së Arkivolit të Papës, i cili do të mbahet brenda Bazilikës së Shën Pjetrit dhe do të kryesohet nga kardinali amerikan Kevin Farrell, Camerlengo i Kishës së Shenjtë Romake. Ky është një rit solemn që shënon fundin e shfaqjes publike të arkëmortit dhe përgatitjen për varrimin e nesërm. Në këtë ceremoni pritet të marrin pjesë dhjetëra kardinalë dhe përfaqësues të lartë të Selisë së Shenjtë.

Sipas traditës katolike, shërbimi funeral do të shënojë edhe fillimin e Novemdiales, nëntë ditëve të meshave dhe zisë për prehjen e shpirtit të Papës së ndjerë. Këto meshë do të mbahen çdo ditë në orën 17:00 në Bazilikën e Shën Pjetrit, përveç Liturgjisë së së dielës më 27 prill, e cila do të mbahet në orën 10:30.

Sipas dëshirës së fundit të vetë Papës Françesku, ai do të prehet në një varr të thjeshtë prej guri në Bazilikën e Shën Maria Maggiore. Guri është sjellë nga Liguria, rajoni italian nga e kishin origjinën gjyshërit e tij. Varri ndodhet pranë Altarit të Shën Françeskut dhe mban vetëm mbishkrimin “Françesku” dhe një riprodhim të kryqit të tij kraharor – simbol i thjeshtësisë që e shoqëroi gjatë gjithë pontifikatit të tij.

Në qytetin e vogël Cogorno, një pllakë përkujton stërgjyshin e tij Vincenzo Sivori, i cili emigroi nga Italia në Argjentinë në shekullin XIX. Atje, ai ndërtoi familjen e tij, duke përfshirë nënën e Papa Françeskut, Regina Maria Sivori. Lidhja me origjinën mbeti gjithmonë e fortë, ndonëse private. Familjarët e tij nga Italia u shprehën të surprizuar dhe të nderuar për zgjedhjen e gurit të varrit nga vendlindja e gjyshërve të tij.

“E konsiderojmë këtë si një dhuratë të fundit”, tha Angela Sivori, kushërira e Papës, që jeton ende në Cogorno. Ajo kujton momentin kur mori një telefonatë nga Buenos Aires për të konfirmuar lidhjen familjare. Në vitin 2017, ajo dhe familjarë të tjerë patën një takim të papritur me Papën gjatë një vizite në Xhenova.

Ndërkohë, Ministria Italiane e Drejtësisë ka lejuar gjashtë të burgosur që të marrin pjesë në ceremoninë e varrimit në Bazilikën ku do të prehet Papa. Së bashku me të varfërit, romët, transgjinorët dhe ish-prostitutat që Françesku ka takuar gjatë viteve të pontifikatit, ata do të vendosin nga një trëndafil të bardhë në varrin e tij, si simbol i dashurisë dhe faljes universale që predikoi.

Funerali do të shoqërohet edhe nga një pjesëmarrje e gjerë ndërkombëtare. Ish-presidenti amerikan Joe Biden dhe kryeministri hungarez Viktor Orban kanë konfirmuar praninë e tyre, ndërsa presidenti aktual Donald Trump deklaroi se dëshiron të takohet me të gjithë liderët e huaj që do të marrin pjesë në Romë për këtë ngjarje historike.

Një epokë për Kishën Katolike mbyllet me lamtumirën e një Pape që ndryshoi shumë paradigma, me përulësinë dhe vendosmërinë e tij për t’i dhënë zë të pafuqishmëve të shoqërisë.

Video

Një aksident i rëndë me pasojë vdekjen e një personi është regjistruar sot në Kaninë , ku janë përfshirë tre automjete. Si pasojë e përplasjes, automjetet janë përfshirë nga flakët. Nga aksidenti ka humbur jetën shtetasi Flamur Kabello, i cili udhëtonte me automjetin tip BMW. Ndërkohë, në spital janë transportuar drejtuesi i mjetit tip Benz dhe katër shtetas egjiptianë që udhëtonin me të, të cilët po marrin ndihmën mjekësore. Sipas dyshimeve paraprake, aksidenti mund të jetë shkaktuar nga një manovër e gabuar dhe shpejtësia e lartë e njërit prej mjeteve të përfshira, ku dyshohet se bëhet fjalë për automjetin tip Benz. Hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave vijojnë.

Blogerja e njohur Dea Mishel, ish banore e Big Brother i përgjigjet Edi Ramës …

Protestuesit vijojnë rrugëtimin nëpër Tiranë teksa pritet të rimblidhen para Kryeministrisë

Qytetarët kanë nisur marshimin në rrugët e Tiranës

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive?

Bashkohuni me grupin tonë privat.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme