Sociale 23 May 2026, 13:05 Nga VNA

Standardet e dyfishta të Rektorit Artan Hoxha

Ndaje në Whatsapp
Standardet e dyfishta të Rektorit Artan Hoxha

Kur Ilir Rusi kandidonte për anëtar i Këshillit të Lartë Gjyqësor, ku më vonë mori edhe frerët e “qeverisjes” së gjyqësorit, mbante pozicionin e Dekanit të komanduar të Fakultetit të Drejtësisë. Edhe në atë kohë, Rektor i Universitetit të Tiranës ishte Artan Hoxha. Por, mesa duket, për faktin se Ilir Rusi ishte i “preferuar”, Rektori nuk nxori asnjë akt administrativ për pezullimin e përkohshëm të tij nga detyra. Nuk foli as për transparencë procesi. Ligji nuk ka ndryshuar. Preferencat po.

Mesa duket, dekania aktuale Dorina Hoxha, që ka shprehur po ashtu interes për t’u zgjedhur si anëtare e KLGJ-së, papritmas, me një vendim të firmosur nga Rektori Artan Hoxha, e gjen veten të pezulluar përkohësisht. Pezullimi nuk dihet sa zgjat, pasi procedurat zgjasin deri në 1 vit e ndoshta edhe më shumë.

Gjasat janë që Dorina Hoxha është një “dhimbje koke” për Artan Hoxhën, e ndoshta edhe emra të tjerë që kërkojnë kontrollin e KLGJ-së. Ndaj po përpiqen ta nxjerrin jashtë loje në emër të transparencës, a thua se nuk ishte e njëjta situatë edhe në rastin e Ilir Rusit.

Ende mbetet e paqartë nëse Dorina Hoxha do ta ankimojë apo kundërshtojë vendimin. Ministria e Arsimit, nga ana tjetër, “lan duart” me pretendimin se nuk ia lejon ligji të ndërhyjë në çështjet e Arsimit të Lartë, pasi kanë autonomi.

Por, pavarësisht këtyre, një gjë është e sigurt. Me pezullimin e Dorina Hoxhës, Rektori ka kryer një akt të rëndë, që bie ndesh me Kushtetutën, ligjin dhe rregulloret. Është një akt i paprecedentë. Më thjesht, një puç institucional.

Sjellja aktuale e Rektorit, në këtë pikë, lexohet si një aktivizim me axhendë politike i tij. Të gjithë e dimë që të interesuar për ta kapur politikisht KLGJ-në është politika, më saktë pushteti aktual, që nuk i ka fshehur përpjekjet për të shtrirë tentakulat e kontrollit në organet e qeverisjes së gjyqësorit.

Është pak e besueshme që Rektori të shtyhet nga motive thjesht personale. Ndaj, leximi i vetëm i sjelljes së tij është shndërrimi në një levë politike të pushtetit, që në fazat embrionale të plotësimit të anëtarësisë së KLGJ-së, të pengohet çdo i padëshiruar nga pushteti dhe të kontrollohet procesi për ta shtruar rrugën e anëtarëve me profil të qartë politik.

Një Rektori, cilido qoftë, i ndalohet të angazhohet në veprimtari me axhendë politike, aq më shumë me orientim të qartë kah qeverisë dhe mazhorancës. Është një minim dhe komprometim i organit më të lartë të qeverisjes së gjyqësorit e, për rrjedhojë, edhe kontroll politik i drejtësisë.

Ndaj, është një sinjal flagrant alarmi mbi strategjinë e kontrollit që pushteti po krijon mbi drejtësinë, duke sakrifikuar edhe laicizmin politik të universitetit publik.

Video

Një seancë parlamentare në Armeni është shndërruar në një përplasje fizike mes deputetëve të mazhorancës dhe opozitës. Gjatë tensioneve në sallën e Parlamentit, ligjvënësit janë përfshirë në një konflikt të ashpër, ku situata ka degraduar deri në përdorimin e karrigeve kundër njëri-tjetrit.

Një person që po arratisej nga policia është përplasur me shpejtësi të lartë me një kamion të kompanisë FedEx, teksa kalonte në një kryqëzim në shtetin e Iowa-s, në SHBA.

Një garë e veçantë sportive është zhvilluar në qytetin Aberdeen të Skocisë, ku pjesëmarrësit kanë konkurruar duke ecur me duar, me kokën poshtë dhe këmbët lart. Fituese e garës është shpallur një trajnere e CrossFit-it, e cila më parë kishte marrë titullin “Gruaja më në formë fizike në Mbretërinë e Bashkuar”. Aktiviteti ka vënë në provë forcën fizike, ekuilibrin dhe qëndrueshmërinë e pjesëmarrësve.

Tre persona kanë humbur jetën dhe pesë të tjerë janë plagosur si pasojë e shembjes së një formacioni shkëmbor në zonën turistike të Kapadokias, në Turqi. Ngjarja ka ndodhur në zonën e muzeut të hapur të Göreme-s, një nga vendet më të njohura turistike të rajonit. Sipas raportimeve, një pjesë e një shkëmbi të madh, i njohur në këtë zonë si “oxhaku i zanave”, është shembur, duke zënë poshtë disa persona. Menjëherë pas ngjarjes, në vendngjarje kanë mbërritur ekipet e emergjencës dhe të kërkim-shpëtimit, të cilat kanë nisur punën për nxjerrjen e personave të mbetur nën dhe dhe gurë.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme