Politika 16 July 2026, 11:57 Nga VNA

Spiropali kundër “spiropalizmit”: mocioni që akuzon sistemin që e bëri Elisën atë që është sot

Ndaje në Whatsapp

WhatsApp Image 2026-07-16 at 11.55.51 AM.jpeg

Ka një paradoks që bie në sy që në rreshtat e parë të mocionit të Elisa Spiropalit. Dokumenti kërkon fundin e “kultit të besnikëve”, më shumë meritokraci, zgjedhje të lira në parti, debat të hapur, ndarje mes partisë dhe shtetit dhe më pak personalizim të pushtetit.

Janë pikërisht ato karakteristika që prej vitesh kritikët ia atribuojnë modelit politik të ndërtuar nga Edi Rama.

Por ironia është se këtë manifest nuk e ka shkruar një opozitare dhe as një socialiste që ka kaluar 13 vite në periferi të pushtetit. E ka shkruar një nga figurat që u ngjit në majën e Partisë Socialiste pikërisht brenda këtij modeli.

Për këtë arsye, mocioni i saj ngjan me një revoltë kundër… spiropalizmit.

Jo ndaj Elisa Spiropalit si person, por ndaj mënyrës së të bërit politik që ajo vetë mishëroi për më shumë se një dekadë: mbrojtje pa ekuivok e liderit, besnikëri e pakushtëzuar ndaj çdo vendimi të tij dhe një karrierë politike që u zhvillua paralelisht me konsolidimin e modelit që sot ajo e konsideron problem.

Nëse diagnoza e saj është e saktë, atëherë pyetja është po aq e thjeshtë sa edhe e pakëndshme: ku ishte Elisa Spiropali kur ndërtohej ky sistem?

Sepse dokumenti flet për një Shqipëri ku duhet “më shumë meritë dhe më pak besnikëri personale”, ku duhet “më pak personalizim të pushtetit”, ku “pushteti nuk identifikohet me askënd”, ku duhet “ndarja përfundimtare mes shtetit dhe partisë”, ku “forumet e Partisë Socialiste duhet të jenë vende ku idetë përballen, jo thjesht ku vendimet miratohen”, ndërsa “asnjë funksion nuk duhet të jetë i përhershëm dhe asnjë përgjegjësi nuk duhet të jetë e pakonkurrueshme”.

Janë fjali që për vite me radhë mund t’i kishe dëgjuar nga opozita ose nga kritikët e qeverisë.

Problemi është se këto nuk po i shkruan një njeri që e ka kundërshtuar këtë model.

Po i shkruan një nga njerëzit që ka qenë pjesë e tij pothuajse në çdo etapë.

Elisa Spiropali nuk u zgjua në korrik të vitit 2026 dhe zbuloi papritur se Partia Socialiste ka nevojë për zgjedhje të brendshme. Nuk e kuptoi dje se besnikëria personale ka zëvendësuar meritokracinë. Nuk e mësoi pas largimit nga qeveria se pushteti është personalizuar.

Ajo ishte aty kur ky model u ndërtua dhe u konsolidua.

Ka drejtuar Doganat, ka qenë një nga zërat politikë më të fortë në mbrojtje të Edi Ramës, ka mbajtur poste ministrore, ka drejtuar Kuvendin dhe ka qenë pjesë e rrethit më të ngushtë politik të kryeministrit. Në asnjë prej këtyre roleve nuk mbahet mend të ketë kërkuar publikisht zgjedhje konkurruese në parti, debat të hapur në forume, fundin e besnikërisë personale apo ndarjen reale të partisë nga shteti.

Prandaj mocioni lexohet si një autopsi e sistemit që ajo vetë ndihmoi të ndërtohej.

Kur shkruan se “forumet duhet të jenë vende ku idetë përballen, jo thjesht ku vendimet miratohen”, pyetja lind vetvetiu: pse nuk e tha kur ishte një nga figurat më të fuqishme të shumicës?

Kur shkruan se duhet “ndarja përfundimtare mes shtetit dhe partisë”, pyetja tjetër është po aq e thjeshtë: në cilin moment të këtyre 13 viteve mendoi se kjo ndarje ekzistonte?

Kur shkruan se duhet “më shumë meritë dhe më pak besnikëri personale”, është e vështirë të mos kujtosh se vetë karriera e saj politike u ndërtua brenda pikërisht atij sistemi që sot e konsideron problem.

Paradoksi më i madh është se dokumenti nuk sulmon askënd me emër, por pothuajse çdo paragraf përshkruan defektet që kritikët ia kanë adresuar prej vitesh modelit të qeverisjes së Edi Ramës: përqendrimin e pushtetit, mungesën e garës së brendshme, identifikimin e partisë me liderin, administratën e politizuar, klientelizmin dhe mungesën e meritokracisë.

Në fund të fundit, ndoshta Elisa Spiropali ka të drejtë për shumë nga ato që shkruan. Ndoshta Partia Socialiste ka vërtet nevojë për më shumë demokraci të brendshme, më shumë garë, më pak besnikëri personale, më pak personalizim të pushtetit dhe një ndarje reale mes partisë dhe shtetit.

Por që ky mesazh të jetë i besueshëm, ai duhet të nisë me dy fjalë: mea culpa.

Me pranimin se për më shumë se një dekadë nuk ishte një vëzhguese e këtij modeli, por pjesë e tij. Se nuk ngriti zërin kur këto fenomene konsolidoheshin. Se mbrojti publikisht vendime dhe praktika që sot i përshkruan si probleme.

Vetëm pas kësaj mund të ketë autoritet moral t’u tregojë të tjerëve se si duhet reformuar Partia Socialiste.

Ndërsa për ata që mund ta shohin këtë dokument si platformën e një pasardhëseje të mundshme të Edi Ramës në krye të Partisë Socialiste, do të mjaftonte të shihnin bilancin e institucioneve që ajo ka drejtuar. Para se të kërkojë llogari nga modeli që e ngriti, Elisa Spiropali duhet t’u japë përgjigje qytetarëve edhe për mënyrën se si i ushtroi vetë përgjegjësitë që iu besuan.

Nëse ky mocion do të ishte firmosur nga një socialist që kishte kaluar 13 vite në periferi të pushtetit, do të tingëllonte si një akt guximi. Kur firmoset nga një prej figurave që ka kaluar pothuajse çdo shkallë të pushtetit të Edi Ramës, tingëllon më shumë si një autokritikë… pa autokritikë.

Lexo gjithashtu

Video

Një seancë parlamentare në Armeni është shndërruar në një përplasje fizike mes deputetëve të mazhorancës dhe opozitës. Gjatë tensioneve në sallën e Parlamentit, ligjvënësit janë përfshirë në një konflikt të ashpër, ku situata ka degraduar deri në përdorimin e karrigeve kundër njëri-tjetrit.

Një person që po arratisej nga policia është përplasur me shpejtësi të lartë me një kamion të kompanisë FedEx, teksa kalonte në një kryqëzim në shtetin e Iowa-s, në SHBA.

Një garë e veçantë sportive është zhvilluar në qytetin Aberdeen të Skocisë, ku pjesëmarrësit kanë konkurruar duke ecur me duar, me kokën poshtë dhe këmbët lart. Fituese e garës është shpallur një trajnere e CrossFit-it, e cila më parë kishte marrë titullin “Gruaja më në formë fizike në Mbretërinë e Bashkuar”. Aktiviteti ka vënë në provë forcën fizike, ekuilibrin dhe qëndrueshmërinë e pjesëmarrësve.

Tre persona kanë humbur jetën dhe pesë të tjerë janë plagosur si pasojë e shembjes së një formacioni shkëmbor në zonën turistike të Kapadokias, në Turqi. Ngjarja ka ndodhur në zonën e muzeut të hapur të Göreme-s, një nga vendet më të njohura turistike të rajonit. Sipas raportimeve, një pjesë e një shkëmbi të madh, i njohur në këtë zonë si “oxhaku i zanave”, është shembur, duke zënë poshtë disa persona. Menjëherë pas ngjarjes, në vendngjarje kanë mbërritur ekipet e emergjencës dhe të kërkim-shpëtimit, të cilat kanë nisur punën për nxjerrjen e personave të mbetur nën dhe dhe gurë.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme