Politika 25 May 2026, 15:18 Nga VNA

Republika e propagandës. Katër zyrtarë festojnë që në konviktet e Vlorës studentët kanë më në fund banjo në dhomë

Ndaje në Whatsapp
Republika e propagandës. Katër zyrtarë festojnë që

Ishin mbledhur zëvendëskryeministrja, Albana Koçiu, drejtori i Fondit Shqiptar të Zhvillimit, Dritan Agolli, drejtuesi politik Bledi Çuçi dhe kryetarja e Bashkisë Vlorë, Brunilda Mersini, për të bërë promovimin ceremonial të rikonstruksionit të konviktit të shkollës profesionale “Pavarësia” në Vlorë.

Pra, katër zyrtarë të lartë të shtetit, me gjithë solemnitetin institucional, për të prezantuar atë që u servir si një sukses i rëndësishëm kombëtar: rikonstruksionin e një konvikti.

Natyrisht, nuk është aspak problem që taksat e qytetarëve të përkthehen në investime, sado modeste qofshin ato. Por ajo që të lë pa fjalë është përmasa e spektaklit që ndërtohet rreth gjërave më elementare. Sidomos kur gjithçka shoqërohet me dialogë të kuruar para kamerës, entuziazëm të prodhuar në seri dhe tone sikur po inaugurohet ndonjë qendër teknologjike e NASA-s.

Sepse “risia” kryesore që u shpall me krenari nga Koçiu ishte fakti se konvikti tashmë ka… banjo brenda.

Po, në vitin 2025, një nga sukseset infrastrukturore që meriton tur shtetëror dhe video 7-minutëshe në Facebook-un e kryeministrit është fakti që studentët nuk duhet të dalin më nga dhoma për të përdorur tualetin. Një standard minimal jetese, i prezantuar me aq emocion sa të krijon përshtypjen se bëhet fjalë për ndonjë inovacion urbanistik të shekullit.

Në video, katërshja ecën dhomë më dhomë si në një panair promocional të normalitetit: kondicionerë në sallën e studimit, lavanderi me pajisje, dushe “të kompletuara”. Një katalog i gjërave bazike, të shndërruara në ngjarje shtetërore.

Ironia bëhet edhe më e dukshme kur vetë zëvendëskryeministrja kujton se shkolla ka rreth 800 studentë, ndërsa konvikti i rikonstruktuar mund të strehojë vetëm rreth 100 prej tyre. Pra, një investim që zgjidh problemin për një pjesë të vogël, ndërsa 700 studentët e tjerë mbeten përballë të njëjtit realitet: qira të larta, mungesë alternativash dhe të njëjtat vështirësi të zakonshme.

Dhe pikërisht këtu qëndron paradoksi i gjithë këtij spektakli. Nëse do të flitej për ndërtim të ri, zgjerim real kapacitetesh apo një zgjidhje konkrete për shumicën e studentëve, ndoshta do të kishte kuptim gjithë ky mobilizim propagandistik. Por kur kulmi i suksesit reduktohet te fakti që konvikti ka banjo brenda, shfaqja duket më shumë si një reklamë e tejzgjatur për Facebook-un e kryeministrit sesa si lajm për një investim transformues.

Në fund, 700 studentët e tjerë mbeten aty ku kanë qenë gjithmonë, jashtë këtij “transformimi historik”. Por të paktën, tani e dimë me siguri të plotë se në konviktet e rikonstruktuara… banjot janë futur brenda.

Video

Një seancë parlamentare në Armeni është shndërruar në një përplasje fizike mes deputetëve të mazhorancës dhe opozitës. Gjatë tensioneve në sallën e Parlamentit, ligjvënësit janë përfshirë në një konflikt të ashpër, ku situata ka degraduar deri në përdorimin e karrigeve kundër njëri-tjetrit.

Një person që po arratisej nga policia është përplasur me shpejtësi të lartë me një kamion të kompanisë FedEx, teksa kalonte në një kryqëzim në shtetin e Iowa-s, në SHBA.

Një garë e veçantë sportive është zhvilluar në qytetin Aberdeen të Skocisë, ku pjesëmarrësit kanë konkurruar duke ecur me duar, me kokën poshtë dhe këmbët lart. Fituese e garës është shpallur një trajnere e CrossFit-it, e cila më parë kishte marrë titullin “Gruaja më në formë fizike në Mbretërinë e Bashkuar”. Aktiviteti ka vënë në provë forcën fizike, ekuilibrin dhe qëndrueshmërinë e pjesëmarrësve.

Tre persona kanë humbur jetën dhe pesë të tjerë janë plagosur si pasojë e shembjes së një formacioni shkëmbor në zonën turistike të Kapadokias, në Turqi. Ngjarja ka ndodhur në zonën e muzeut të hapur të Göreme-s, një nga vendet më të njohura turistike të rajonit. Sipas raportimeve, një pjesë e një shkëmbi të madh, i njohur në këtë zonë si “oxhaku i zanave”, është shembur, duke zënë poshtë disa persona. Menjëherë pas ngjarjes, në vendngjarje kanë mbërritur ekipet e emergjencës dhe të kërkim-shpëtimit, të cilat kanë nisur punën për nxjerrjen e personave të mbetur nën dhe dhe gurë.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme