Politika 24 July 2026, 08:10 Nga JJ

KPP në duart e njeriut të Ulsi Manjës, familja Shehu-Tola vijon marshimin në postet kyçe

Ndaje në Whatsapp
KPP në duart e njeriut të Ulsi Manjës, familja Shehu-Tola vijon

 

Pak ditë më parë, VNA raportoi se gara për drejtimin e Komisionit të Prokurimit Publik nuk ishte një procedurë rutinë, por një përplasje mes grupeve më të fuqishme të Partisë Socialiste për kontrollin e institucionit që vendos mbi ankesat për tenderat publikë.

Zhvillimet në Kuvend duket se e konfirmuan këtë skenar.

Pas dy ndërprerjeve të seancës parlamentare dhe një ndërhyrjeje të kryeministrit Edi Rama për të zhbllokuar situatën, Kuvendi zgjodhi Ismail Shehun në krye të Komisionit të Prokurimit Publik. Sipas raportimit të VNA, Shehu konsiderohej kandidati i mbështetur nga ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, ndërsa kandidati tjetër, Enea Hoti, shihej si i afërt me Bledi Çuçin.

Emërimi nuk kaloi pa u vënë re edhe për një arsye tjetër. Ismail Shehu vjen nga posti i Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Drejtësisë, ku punoi për vite me radhë me Ulsi Manjën, ndërsa është edhe kunati i Saimir Tolës, kryetar i Bordit të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare.

VNA kishte raportuar që më 19 shkurt për lidhjet familjare të Ismail Shehut, në kuadër të kandidimit të Matilda Shehut për anëtare të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë. Kandidatura e saj nuk mori votat e nevojshme, por kjo nuk ndryshoi aspak peshën e familjes në administratën shtetërore. Përkundrazi, Ismail Shehu u zgjodh në krye të institucionit që vendos mbi fatin e tenderave me vlera dhjetëra e qindra milionë euro.

Ironia është se, ndërsa prej muajsh qeveria premton inteligjencë artificiale, transparencë dhe luftë kundër nepotizmit, për drejtimin e institucionit që shqyrton tenderat u deshën dy ndërprerje të seancës, negociata politike dhe, në fund, ndërhyrja e vetë kryeministrit për të zgjidhur konfliktin mes grupeve të mazhorancës.

Në fund, rezultati flet vetë. Ismail Shehu merr drejtimin e Komisionit të Prokurimit Publik, ndërsa kunati i tij vijon të drejtojë Bordin e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare.

Rastësi apo meritokraci? Këtë le ta gjykojë secili.

Ajo që bie në sy është se kjo familje duket se ka një aftësi të jashtëzakonshme për të prodhuar kuadro për postet më të rëndësishme të administratës shqiptare. Dhe me sa duket, askush nuk i ka evidentuar e vlerësuar më mirë këto kapacitete sesa Ulsi Manja, i cili vijon t’u besojë një pjesë të posteve më të rëndësishme të shtetit.

Në fund të fundit, për disa familje administrata shtetërore duket se nuk është thjesht një institucion publik, por një burim i pashtershëm mundësish.

Video

Një seancë parlamentare në Armeni është shndërruar në një përplasje fizike mes deputetëve të mazhorancës dhe opozitës. Gjatë tensioneve në sallën e Parlamentit, ligjvënësit janë përfshirë në një konflikt të ashpër, ku situata ka degraduar deri në përdorimin e karrigeve kundër njëri-tjetrit.

Një person që po arratisej nga policia është përplasur me shpejtësi të lartë me një kamion të kompanisë FedEx, teksa kalonte në një kryqëzim në shtetin e Iowa-s, në SHBA.

Një garë e veçantë sportive është zhvilluar në qytetin Aberdeen të Skocisë, ku pjesëmarrësit kanë konkurruar duke ecur me duar, me kokën poshtë dhe këmbët lart. Fituese e garës është shpallur një trajnere e CrossFit-it, e cila më parë kishte marrë titullin “Gruaja më në formë fizike në Mbretërinë e Bashkuar”. Aktiviteti ka vënë në provë forcën fizike, ekuilibrin dhe qëndrueshmërinë e pjesëmarrësve.

Tre persona kanë humbur jetën dhe pesë të tjerë janë plagosur si pasojë e shembjes së një formacioni shkëmbor në zonën turistike të Kapadokias, në Turqi. Ngjarja ka ndodhur në zonën e muzeut të hapur të Göreme-s, një nga vendet më të njohura turistike të rajonit. Sipas raportimeve, një pjesë e një shkëmbi të madh, i njohur në këtë zonë si “oxhaku i zanave”, është shembur, duke zënë poshtë disa persona. Menjëherë pas ngjarjes, në vendngjarje kanë mbërritur ekipet e emergjencës dhe të kërkim-shpëtimit, të cilat kanë nisur punën për nxjerrjen e personave të mbetur nën dhe dhe gurë.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme