Bota 10 January 2025, 10:48 Nga VNA

Gjykata e Lartë refuzon kërkesën e Trump për të ndalur dhënien e dënimit nga një gjykatë në Nju Jork

Ndaje në Whatsapp
Gjykata e Lartë refuzon kërkesën e Trump për të ndalur

Gjykata e Lartë e Shteteve të Bashkuara hodhi poshtë të enjten kërkesën Presidentit të zgjedhur Donald Trump për të ndalur dhënien e dënimit nga një gjykatë në shtetin e Nju Jorkut për për veprat penale në lidhje me falsifikimin e të dhënave të biznesit.

Gjykata me një vendim 5-4 mohoi kërkesën e bërë në momentet e fundit nga avokatët e zotit Trump për të frenuar dhënien e dënimit, të planifikuar për të premten në orën 9:30 të mëngjesit në gjykatën e shtetit të Nju Jorkut në Manhatan. Kryetari i Gjykatës së Lartë, John Roberts dhe kolegia e tij konservatore, Amy Coney Barrett iu bashkuan tre anëtarëve liberalë të gjykatës - Sonia Sotomayor, Elena Kagan dhe Ketanji Brown Jackson – në votimin kundër kërkesës së zotit Trump.

Gjykatësi i çështjes së zotit Trump, Juan Merchan, tha javën e kaluar se ai nuk ishte i prirur ta dënonte me burg presidentin e zgjedhur republikan dhe ka të ngjarë ta lirojë atë pa kushte. Kjo do të thotë se vendimi për ta shpallur atë fajtor për akuzat penale do të jetë pjesë e dokumenteve të gjykatës, por ai nuk do të marrë dënim me burg, gjobë apo lirim me kusht.

Katër gjykatës konservatorë - Clarence Thomas, Samuel Alito, Neil Gorsuch dhe Brett Kavanaugh – votuan në favor të kërkesës së zoti Trump.

Gjykata e Lartë mori për shqyrtim kërkesën e zotit Trump për të ndalur dhënien e dënimit pasi ajo u refuzua nga Gjykata e Lartë e shtetit të Nju Jorkut të enjten.

Ish-presidenti Trump u shpall fajtor nga një juri më 30 maj të vitit 2024 për 34 akuza penale në lidhje me falsifikimin e të dhënave të biznesit, me qëllim fshehjen e një pagese prej 130 mijë dollarësh për të fituar heshtjen e një aktoreje të filmave pornografikë, Stormy Daniels, pak përpara zgjedhjeve presidenciale të vitit 2016.

Zonja Daniels pretendon se pati një marrëdhënie seksuale me zotin Trump në vitin 2006 pasi e takoi në një turne golfi në Lake Tahoe. Ish-presidenti Trump e ka mohuar vazhdimisht këtë pretendim.

Prokurorët thonë se pagesa për zonjën Daniels ishte pjesë e një skeme më të gjerë për të blerë heshtjen e personave që mund të dilnin publikisht gjatë fushatës elektorale me histori turpëruese për marrëdhënie jashtëmartesore. Prokurorët thanë se ish-avokati i zotit Trump, Michael Cohen, i bëri pagesat për zonjën Daniels dhe se më vonë ai rimbursua nga zoti Trump, kompania e të cilit i regjistroi pagesat si shpenzime ligjore.

Falsifikimi i të dhënave të biznesit ndëshkohet me deri në katër vite burgim. Zoti Trump është ish-presidenti i parë amerikan që është shpallur fajtor për një vepër penale./VOA

Video

🔴Policia largoi nga rruga studentët që protestonin para Ministrisë së Arsimit dhe shoqëroi disa të rinj për t’u gjobitur. Gjatë ndërhyrjes, efektivët shtynë gazetarët që po dokumentonin protestën.

111 vende për gjyqtarë: Plani i KLGJ-së për dosjet e prapambetura do të kushtonte 1,22 miliardë lekë në vit

Kryeministri Edi Rama është pritur me thirrje proteste nga një grup aktivistësh gjatë vizitës së tij në Bruksel. Ata kanë brohoritur “Rama në burg”, duke shprehur kundërshtimin ndaj kreut të qeverisë. Momenti është publikuar në një video, ku dëgjohen thirrjet e aktivistëve.

Letra nga qelia lexohet në GJKKO: Veliaj e quan transferimin “rrëmbim” dhe kërkon hetim për kërcënimet që ia atribuon Gogut

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme