Stadiumi legjendar “San Siro” në Milano po përgatitet të hyjë në një kapitull të ri, ndërsa projekti për ndërtimin e impiantit të ri “Generali”, që do të jetë shtëpia e përbashkët e Milanit dhe Interit, ka rikthyer vëmendjen te e ardhmja e “Giuseppe Meazza”. Edhe pse pjesa më e madhe e stadiumit historik pritet të shembet, një pjesë e strukturës së tij do të ruhet, duke mbajtur gjallë simbolikisht kujtimin e një prej impianteve më të njohura të futbollit italian.
Sipas raportimeve të Calciomercato, shembja e stadiumit aktual nuk pritet të nisë përpara vitit 2031, kohë kur stadiumi i ri do të jetë në proces ndërtimi pranë tij. Punimet për demolimin parashikohet të zgjasin rreth dy vjet dhe të përfundojnë në vitin 2032 ose 2033. Projekti nuk parashikon zhdukjen e plotë të “San Siros”, pasi do të ruhen disa pjesë të tribunave, konkretisht një segment i “Curva Sud”, që përkon me sektorin blu, si dhe një pjesë e tribunës portokalli. Këto struktura do të bashkohen për të krijuar një hapësirë me formën e shkronjës “L”.
Pjesët e tjera të impiantit do të transformohen në ambiente për zyra dhe veprimtari tregtare. Plani përfshin gjithashtu hapësira të gjelbra, dyqane dhe ambiente me një sipërfaqe prej rreth 5 mijë metrash katrorë, të cilat do të përdoren nga të dy klubet milaneze. Në këtë mënyrë, zona ku ndodhet aktualisht stadiumi do të marrë një funksion të ri, duke ruajtur vetëm disa elemente të impiantit që për dekada ka qenë pjesë e historisë së Milanit dhe Interit.
Një tjetër çështje që po diskutohet mes dy klubeve është fati i ulëseve të stadiumit. Sipas propozimit aktual, 60.654 nga 75.817 ulëset që ka “San Siro” mund t'u dhurohen ose t'u shiten tifozëve, duke u dhënë mundësinë të ruajnë një pjesë simbolike të impiantit historik. Kostoja e parashikuar për shembjen e stadiumit arrin në 127 milionë euro. Procesi do të nisë me heqjen e instalimeve teknike, kabllove dhe turnikeve, për të vijuar më pas me çmontimin e trarëve të famshëm të kuq dhe strukturave prej betoni të armuar.
Kështu, “San Siro” siç njihet sot pritet të zhduket gradualisht, por jo pa lënë gjurmë. Segmentet që do të ruhen do të jenë një kujtim i një stadiumi që ka pritur ndeshje historike, trofe dhe emocione të panumërta, duke shënuar fundin e një epoke për dy klubet më të mëdha të Milanos.






















