Arsenali dhe Newcastle United kanë nisur të ndjekin nga afër Eduardo Pape, mesfushorin brazilian 17-vjeçar të Cruzeiros, i cili ka tërhequr vëmendjen edhe të gjigantit gjerman Bayern Munich. Pavarësisht se ende nuk ka debutuar me ekipin e parë të klubit brazilian, talenti i ri po shihet si një nga emrat premtues për të ardhmen e futbollit brazilian.
Sipas gazetarit të ESPN Brasil, Felipe Silva, disa klube evropiane po monitorojnë zhvillimin e Papes, i cili ka spikatur me ekipin U20 të Cruzeiros. Gjatë vitit të kaluar, mesfushori regjistroi tre gola dhe tri asistime në 32 paraqitje, ndërsa ka përfaqësuar edhe Brazilin në ekipet kombëtare të moshave.
Cruzeiro ka blinduar talentin me një kontratë që zgjat deri në dhjetor të vitit 2029. Marrëveshja raportohet se përmban një klauzolë lirimi prej 100 milionë eurosh për klubet e huaja, një shifër që tregon pritshmëritë e larta të klubit për të ardhmen e lojtarit. Megjithatë, presidenti i klubit Azuriz, Nelson Ramos, parashikon se një transferim i mundshëm mund të realizohet për një shumë nga 20 deri në 25 milionë euro.
Për aftësitë e mesfushorit ka folur edhe drejtori i akademisë së Cruzeiros, Adilson Batista, i cili e ka krahasuar stilin e tij të lojës me atë të Rodrit të Manchester Cityt dhe ish-sulmuesit kolumbian Radamel Falcao.
Arsenali dhe Newcastle pritet të vijojnë ta ndjekin progresin e brazilianit, ndërsa edhe Bayern Munich mbetet i vëmendshëm ndaj zhvillimit të tij. Megjithatë, një kalim në futbollin anglez nuk mund të realizohet menjëherë, pasi rregullat për transferimin ndërkombëtar të lojtarëve të mitur e kufizojnë lëvizjen e tij deri në verën e ardhshme.






















