Politika 2026-10-16 17:51:13 Nga VNA

Elisa Spiropali gjen zgjidhjen e krizës: Edi të përmirësojë Edi Ramën që Shqipëria të ndryshojë pa ikur PS-ja nga pushteti

Ndaje në Whatsapp
Elisa Spiropali gjen zgjidhjen e krizës: Edi të

Në mes të protestave që kanë përfshirë Tiranën, Elisa Spiropali ka gjetur kohën t’i shkruajë një letër Edi Ramës. Dhe, pas një analize të gjatë për korrupsionin, klientelizmin, padrejtësitë, arrogancën e pushtetit dhe revoltën e qytetarëve, ka mbërritur te një zgjidhje që ndoshta nuk do t’i shkonte ndër mend askujt: Shqipërinë duhet ta shpëtojë Partia Socialiste. Mundësisht me Edi Ramën në krye.

Në fakt, Elisa nuk kursen asgjë. Flet për një administratë ku njerëzit punësohen për shkak të lidhjeve, për biznese që mbijetojnë falë pushtetit, për deputetë që i binden kryetarit dhe për një kastë të privilegjuar që nuk duhet mbrojtur më. Përshkruan me hollësi një sistem ku qytetari nuk dëgjohet, drejtësia vonon dhe pushteti është shkëputur nga njerëzit. Vetëm se harron një hollësi të vogël: ky është sistemi ku ajo vetë ka qenë ministre, drejtuese e Parlamentit dhe një prej figurave kryesore të mazhorancës.

Madje, vetëm pak kohë përpara kësaj letre, Spiropali votoi reformën territoriale të qeverisë. Por sot i kërkon Ramës që deputetët të mos jenë thjesht numra në Parlament dhe që partia të mos funksionojë sipas vullnetit të një njeriu të vetëm.

Pastaj vjen receta për shpëtimin. Rama duhet të mbledhë strukturat e PS-së, të udhëheqë ndryshimin, të hapë partinë, të rikthejë meritokracinë dhe të çlirojë institucionet nga kontrolli politik. Pra, njeriu që ka drejtuar vendin për 13 vjet dhe që Spiropali e fton të marrë përgjegjësi për krizën, duhet të jetë edhe garantuesi i daljes prej saj.

Për të mos lënë asnjë dyshim se shpresa nuk ka humbur, letra përfundon me një deklaratë pothuajse dashurie politike. “Ed’”, të cilit i ka renditur të gjitha mëkatet e qeverisjes, mbetet idealisti dhe intelektuali i dikurshëm, tek i cili Elisa beson se e mira është “pakrahasimisht më e madhe se gjithçka tjetër”.

Spiropali përmend edhe rotacionin dhe zgjedhjet e reja, por nuk kërkon largimin e Ramës. Ajo kërkon që ndryshimi të udhëhiqet prej tij. Me sa duket, pas gjithë asaj që ka shkruar për gjendjen e vendit, nuk arrin të imagjinojë një zgjidhje politike që të mos kalojë nga dera e Partisë Socialiste.

Dhe kështu, ndërsa të rinjtë në rrugë kërkojnë largimin e Edi Ramës, Elisa Spiropali u ofron një zgjidhje tjetër: të presin derisa Edi Rama të ndryshojë Edi Ramën. Shqipëria mund të ndryshojë, mjafton që Partia Socialiste të mbetet aty ku është.

Lexo gjithashtu

Video

Një seancë parlamentare në Armeni është shndërruar në një përplasje fizike mes deputetëve të mazhorancës dhe opozitës. Gjatë tensioneve në sallën e Parlamentit, ligjvënësit janë përfshirë në një konflikt të ashpër, ku situata ka degraduar deri në përdorimin e karrigeve kundër njëri-tjetrit.

Një person që po arratisej nga policia është përplasur me shpejtësi të lartë me një kamion të kompanisë FedEx, teksa kalonte në një kryqëzim në shtetin e Iowa-s, në SHBA.

Një garë e veçantë sportive është zhvilluar në qytetin Aberdeen të Skocisë, ku pjesëmarrësit kanë konkurruar duke ecur me duar, me kokën poshtë dhe këmbët lart. Fituese e garës është shpallur një trajnere e CrossFit-it, e cila më parë kishte marrë titullin “Gruaja më në formë fizike në Mbretërinë e Bashkuar”. Aktiviteti ka vënë në provë forcën fizike, ekuilibrin dhe qëndrueshmërinë e pjesëmarrësve.

Tre persona kanë humbur jetën dhe pesë të tjerë janë plagosur si pasojë e shembjes së një formacioni shkëmbor në zonën turistike të Kapadokias, në Turqi. Ngjarja ka ndodhur në zonën e muzeut të hapur të Göreme-s, një nga vendet më të njohura turistike të rajonit. Sipas raportimeve, një pjesë e një shkëmbi të madh, i njohur në këtë zonë si “oxhaku i zanave”, është shembur, duke zënë poshtë disa persona. Menjëherë pas ngjarjes, në vendngjarje kanë mbërritur ekipet e emergjencës dhe të kërkim-shpëtimit, të cilat kanë nisur punën për nxjerrjen e personave të mbetur nën dhe dhe gurë.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Forgotten Stories

More news