Kronika 17 June 2026, 17:37 Nga VNA

Dosja Balluku: Si tentoi të zhdukej gjurma e pishinës së vilës në Dhërmi

Ndaje në Whatsapp

WhatsApp Image 2026-06-17 at 4.45.35 PM.jpeg

Kur Belinda Balluku e kuptoi se SPAK kishte rënë në gjurmët e një vile luksoze që sipas hetimeve ajo zotëronte në mënyrë të tërthortë në kompleksin White Rocks në Dhërmi, dhe që dyshohet se ishte përfituar si ryshfet nga kompania “Eurocol” pasi kishte marrë tenderë në kohën kur Balluku drejtonte Albcontrol, sipas dosjes nisi edhe përpjekja për të zhdukur gjurmët.

Sipas hetimeve, Julian Kelo, i njohur dhe ish-vartës i Ballukut, është përfshirë në përpjekjet për të eliminuar dokumentacionin që lidhej me ndërtimin e pishinës së vilës. Emri i Julian Kelos, sipas SPAK, ishte përdorur edhe për lidhjen e shërbimit të internetit në vilën F6 në kompleksin White Rocks.

Në dëshminë e tij, Saimir Kadilli, menaxher shitjesh në shoqërinë “Brunes” sh.a, deklaron se e njeh Julian Kelon dhe kujton një porosi të konsiderueshme që ai kishte bërë për materiale ndërtimi të nevojshme për një pishinë në Dhërmi, në kompleksin e vilave të ndërtuara nga Pandeli Carapuli.

Sipas Kadillit, Julian Kelo kishte përzgjedhur pllakat dhe materialet në showroom-in e kompanisë dhe kishte koordinuar dërgesat e mallrave. Ai kishte kërkuar gjithashtu që si blerëse e materialeve të shënohej shoqëria “Albanian Facility Management” sh.p.k. Po ashtu, Kelo kishte kërkuar rekomandim për një punëtor që do të kryente shtrimin e pllakave të pishinës.

I pyetur për faturat e lëshuara në vitin 2020 nga “Brunes” për shoqërinë “Albanian Facility Management”, me adresë dërgimi në Dhërmi dhe Palasë, Kadilli deklaron se ato lidhen pikërisht me materialet e përdorura për ndërtimin e pishinës në kompleksin e vilave në Dhërmi dhe se ishin lëshuar me kërkesë të Julian Kelos.

Sipas tij, në lidhje me këtë porosi kishte pasur edhe komunikime me email me Julian Kelon, të cilat përmbanin fletë-porositë paraprake mbi materialet që do të bliheshin.

Por elementi që ka tërhequr vëmendjen e hetuesve lidhet me një takim të zhvilluar vetëm pak javë përpara deklarimit të tij në SPAK. Kadilli deklaron se rreth dy javë më parë Julian Kelo kishte shkuar në ambientet e “Brunes” në autostradën Tiranë-Durrës dhe e kishte pyetur për blerjet e kryera në emrin e tij, si dhe për komunikimet që kishin pasur lidhur me porositë për pishinën në Dhërmi.

Pasi Kadilli kishte kontrolluar email-in e punës dhe kishte konstatuar se ekzistonte ende një komunikim me Julian Kelon lidhur me porosinë fillestare, sipas dëshmisë së tij, Kelo i kishte kërkuar që email-i të fshihej.

Kadilli deklaron se i kishte shpjeguar se nuk kishte mundësi ta fshinte pasi bëhej fjalë për email zyrtar të kompanisë dhe se, edhe nëse email-i do të fshihej, gjurmët e porosive dhe blerjeve mbeteshin të dokumentuara në faturat e deklaruara pranë organeve tatimore. Pas kësaj bisede, Julian Kelo ishte larguar.

Belinda Balluku, ish-zv.kryeministre dhe ish-ministre e Infrastrukturës, po hetohet nga SPAK për dyshime që lidhen me abuzimin me tenderat, korrupsionin dhe pastrimin e parave.

Video

🔴LAJM I FUNDIT/ Flakadanët u kushtojnë dy muaj jashtë Kuvendit pesë demokratëve, Berisha përjashtohet për 10 ditë

Presidenti amerikan Donald Trump u përplas verbalisht të enjten me gazetarin e Reuters, Jacob Bogage, pasi ai e pyeti nëse anulimi i një vizite elektorale në Kansas lidhej me lodhjen apo shëndetin e tij. “Je i çmendur që bën një pyetje të tillë, je i sëmurë”, iu drejtua Trump reporterit, duke sulmuar më pas edhe agjencinë Reuters. Megjithëse gazetari shpjegoi se donte vetëm të sigurohej që presidenti ishte mirë, Trump vijoi me fyerje për pamjen dhe formën e tij fizike. Presidenti këmbënguli se ndihej shumë mirë dhe tha se vizita në Kansas nuk ishte e nevojshme, pasi senatori republikan Roger Marshall, të cilin do të mbështeste, po ecte mirë në garë.

Vendoret 2027, Balla dhe Klosi te Begaj për datën e zgjedhjeve, opozita refuzon konsultimet

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme