Sociale 6 July 2026, 21:21 Nga VNA

Dita e 37-të e protestës, qytetarët rikthehen para Kryeministrisë: Kërkohet largimi i Ramës dhe Berishës, apel për vijimin paqësor të tubimeve

Ndaje në Whatsapp
Dita e 37-të e protestës, qytetarët rikthehen para

Qytetarët u mblodhën këtë të hënë për të 37-ën ditë radhazi në protestë në Tiranë, duke vijuar mobilizimin që nisi fillimisht kundër projektit të investimit në Zvërnec dhe që tashmë është shndërruar në një lëvizje me kërkesa të gjera politike, institucionale dhe kushtetuese.

Pas grumbullimit në sheshin “Skënderbej”, protestuesit marshuan drejt Kryeministrisë, ku u mbajtën fjalime nga organizatorët dhe pjesëmarrësit. Nga bulevardi u përsëritën thirrjet për largimin e kryeministrit Edi Rama, ndërsa një pjesë e protestuesve kërkuan edhe largimin e kreut të Partisë Demokratike, Sali Berisha.

Nga foltorja u lexuan sërish kërkesat zyrtare të protestës. Protestuesit kërkojnë dorëheqjen e panegociueshme të kryeministrit Edi Rama dhe të gjithë kabinetit qeveritar, ngritjen e një qeverie teknike tranzitore me mandat 12-mujor, hartimin e një Kushtetute të re që do t’i nënshtrohet referendumit popullor, ndryshimin e Kodit Zgjedhor dhe të ligjit për financimin e partive politike, si edhe kufizimin e mandatit të kryeministrit në jo më shumë se dy mandate gjatë gjithë jetës politike.

Një tjetër pjesë e kërkesave lidhet me çështjet që shërbyen si shkak për nisjen e protestës. Protestuesit kërkojnë anulimin e ndryshimeve në ligjin për Zonat e Mbrojtura dhe atë për Trashëgiminë Kulturore, shfuqizimin e Paketës së Maleve, heqjen e statusit të investimeve strategjike, si dhe ndërtimin e një kontrate të re sociale mes qytetarëve dhe shtetit përmes një procesi konsultimi me ekspertë, intelektualë dhe qytetarë apartiakë.

Gjatë tubimit, një qytetare u bëri thirrje protestuesve të ruajnë karakterin paqësor të lëvizjes, duke paralajmëruar se çdo rrëshqitje drejt dhunës do të dëmtonte qëllimin e saj.

“Nëse rrëshqasim në dhunë, dështon misioni i kësaj proteste. Rrëzimi i Ramës është detyrë e protestës dhe jo e institucioneve që mund të krijohen në emër të saj. Kjo protestë ka sjellë një vlerë të madhe, sepse ka zgjuar ndërgjegjen qytetare pa ndërmjetësimin e politikës”, u shpreh ajo.

Emocione solli edhe fjala e nënës së Arbër Lleshit, një prej protestuesve të arrestuar pas përplasjeve me policinë para Kuvendit. Ajo deklaroi se djali i saj mban ende shenja në trup nga dhuna e ushtruar gjatë shoqërimit në polici dhe iu drejtua kryeministrit me një mesazh të fortë.

“Ti mendon se do të na trembësh me arrestimin e fëmijëve tanë, por jemi bërë edhe më të fortë. Do të jemi këtu jo vetëm 37 ditë, por edhe 37 javë apo 37 muaj, derisa kjo klasë politike të largohet”, tha ajo.

Një nga organizatorët e protestës, Andi Tepelena, iu referua deklaratave të ambasadorit të Gjermanisë në Shqipëri, Karl Bergner, i cili gjatë ditës tha se protestat paqësore janë pjesë e vlerave evropiane, ndërsa aktet e dhunës nuk janë në përputhje me standardet e Bashkimit Evropian.

Sipas Tepelenës, ky është një sinjal mbështetjeje për protestën qytetare.

“Sot kemi marrë një mbështetje të rëndësishme nga ambasadori i shtetit më të fuqishëm të Bashkimit Evropian. Protestat paqësore janë cilësuar pjesë e vlerave evropiane dhe kjo është një njohje e të drejtës së qytetarëve për të kërkuar drejtësi dhe shtet ligjor”, deklaroi ai.

Tepelena shtoi se, sipas tij, protesta ka ndryshuar tashmë perceptimin publik për qeverinë dhe se, nëse ruan ritmin dhe karakterin paqësor, do të vazhdojë të ushtrojë presion politik në javët në vijim.

Protesta, e cila nisi si një reagim qytetar kundër projektit të investimit në Zvërnec dhe kërkesës për transparencë mbi përdorimin e tokës publike, ka evoluar në një lëvizje me kërkesa të gjera politike. Gjatë javëve të fundit janë shënuar edhe episode përplasjesh me policinë, veçanërisht pranë Kuvendit, ku disa protestues u arrestuan pas tensioneve me forcat e rendit.

Video

Dyqanet e markave luksoze në rrugën e njohur Kurfürstendamm, një nga zonat kryesore tregtare të Berlinit, kanë nisur të marrin masa mbrojtëse përpara protestave të të rinjve, të planifikuara për të shtunën. Pronarët e bizneseve po mbulojnë vitrinat dhe hyrjet e dyqaneve me panele druri, me qëllim parandalimin e dëmeve të mundshme gjatë protestave. Kurfürstendamm është një nga rrugët më të frekuentuara të kryeqytetit gjerman, e njohur për dyqanet e markave ndërkombëtare, butikët luksozë dhe aktivitetin e lartë tregtar.

Teksa Gentian Gjyli ish-kreu i ARRSH del nga SPAK një qytetar i drejtohet me fjalët: S'ju vjen turp që keni vjedhur lekët e popullit!

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme