Bota 19 Dhjetor 2024, 08:44 Nga VNA

Zelensky, drejtuesit e NATO-s dhe BE-së diskutojnë garancitë e sigurisë për Ukrainën

Ndaje në Whatsapp
Zelensky, drejtuesit e NATO-s dhe BE-së diskutojnë garancitë e

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenski pati bisedime me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s Mark Rutte dhe udhëheqës të tjerë evropianë të mërkurën, me synimin për të marrë ndihmë të menjëhershme për të forcuar përpjekjet e Kievit në luftë dhe për të diskutuar garancitë afatgjata të sigurisë.

Presidenti Zelenskiy u tha gazetarëve se bisedimet e së mërkurës në Bruksel dhe një diskutim me 27 udhëheqësit e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian të nesërmen, ishin “një mundësi shumë e mirë për të folur për garancitë e sigurisë për Ukrainën për sot dhe për nesër”.

Ndërsa udhëheqësit evropianë këmbëngulin se po fokusohen në nevojat urgjente të Ukrainës, disa zyrtarë kanë filluar të diskutojnë se si të garantojnë sigurinë e vendit pasi lufta të ndalet, përfshirë me mundësinë e vendosjes së forcave evropiane.

Duke postuar më vonë në rrjetin X, Presidenti Zelenskiy tha se ai dhe zoti Rutte patën një “takim të rëndësishëm dhe shumë thelbësor” duke u fokusuar tek “forcimi i mbrojtjes ajrore për Ukrainën dhe sigurimin e besueshmërisë së paqes për të cilën po punojmë kolektivisht”.

NATO “do të bëjë gjithçka për t’u siguruar që Ukraina të jetë sa më e fortë që të jetë e mundur, kur të kthehemi drejt diplomacisë më aktive”, tha ai.

Bisedimet e së mërkurës u zhvilluan me Ukrainën në lidhje me mbrojtjen në fushën e betejës dhe pasigurinë mbi mbështetjen e ardhshme nga Shtetet e Bashkuara, ndërsa Presidenti i zgjedhur Donald Trump kërkon një fund të shpejtë të luftës dhe ka bërë thirrje për një armëpushim të menjëhershëm

Zoti Rutte tha se bisedimet do të fokusohen tek marrja e masave që Ukraina të jetë “në pozicionin më të mirë të mundshëm” sa herë që vendos të hyjë në bisedimet e paqes, duke e furnizuar me më shumë sisteme të mbrojtjes ajrore dhe armë të tjera për të mbështetur luftën e Kievit kundër forcave pushtuese ruse.

Zoti Rutte dhe zoti Zelenskiy iu bashkuan më vonë një grupi udhëheqësish të tjerë evropianë.

NATO-ja nuk tha se kush do të merrte pjesë në këto bisedime. Por diplomatët thanë se në bisedime do të përfshiheshin Kancelari gjerman Olaf Scholz, Kryeministrja italiane Giorgia Meloni, Presidenti polak Andrzej Duda, ministrat e jashtëm të Francës dhe Britanisë, si dhe zyrtarët e lartë të BE-së, Ursula von der Leyen dhe Antonio Costa.

Dislokimi i forcave evropiane

Më herët, Presidenti ukrainas Zelenskiy u takua me Presidentin francez Emmanuel Macron, i cili ka mbështetur diskutimin për idenë e forcave evropiane për Ukrainën.

“Ndajmë një vizion të përbashkët: garancitë e besueshme janë thelbësore për një paqe që mund të arrihet vërtet”, postoi zoti Zelenskiy në rrjetin X pas takimit.

“Vazhduam të punojmë për iniciativën e Presidentit Macron në lidhje me praninë e forcave në Ukrainë, që mund të kontribuojnë në stabilizimin e rrugës drejt paqes”.

I pyetur se si do të përgjigjet Britania nëse Presidenti Zelenskiy do të kërkonte dërgimin e trupave britanike në Ukrainë, ministri i Jashtëm britanik David Lammy tha për Sky News se nuk shihte asnjë shenjë se Presidenti rus Vladimir Putin ishte i gatshëm për të negociuar.

“Diskutimi ka të bëjë me furnizimin e Ukrainës për ditët në vijim. Kjo është arsyeja pse takohemi në këtë moment shumë të zymtë, për t’u siguruar që Ukraina do ta kalojë dimrin dhe do të hyjë në vitin 2025”, tha ai.

“Unë e di se ka shumë spekulime, por e vërteta është se Putini nuk është një njeri me të cilin mund të negociosh, kur ai po shkakton një kaos të tillë në tokën evropiane në këtë moment në kohë”, shtoi ai. “Është forca ajo ndaj së cilës Vladimir Putini do të reagojë”./ REL

 

Video

Sirena për sulme ajrore dhe shpërthime u dëgjuan në orët e para të së shtunës në kryeqytetin e Venezuelës, Karakas. Sipas raportimeve, një nga objektet e goditura ishte Fort Tiuna, kompleksi kryesor ushtarak i Venezuelës, ku ndodhen – ndër të tjera – Ministria e Mbrojtjes dhe Akademia Ushtarake. Gjatë gjithë kësaj periudhe, Donald Trump e kishte lënë të hapur mundësinë e ndërhyrjes ushtarake kundër Karakasit për shkak të çështjes së drogës.

Aksi kombëtar Prrenjas–Elbasan është bllokuar për mbi 12 orë, duke lënë mijëra automjete dhe qytetare të izoluar në temperatura nën zero. Trafiku vijon të jetë i paralizuar nga Qukësi deri në Fushë Labinot, për shkak të ngricave, motit të keq dhe mungesës së ndërhyrjes nga firmat e mirëmbajtjes. Drejtuesit e mjeteve raportojnë mungesë ndihme, informacioni dhe masash nga autoritetet, ndërsa situata konsiderohet alarmante dhe një dështim serioz në menaxhimin e emergjencave dimërore. Bllokimi vijon edhe në orët e mbrëmjes, pa një njoftim zyrtar për zgjidhje.

Një situatë e vështirë ka përfshirë disa akse rrugore në Qarkun e Shkodrës gjatë orëve të fundit, ku reshjet e breshërit dhe dëborës kanë krijuar vështirësi të konsiderueshme në qarkullimin e automjeteve. Prefekti i Qarkut Shkodër informon se gjatë orëve të fundit në sallën operative të Komisariatit të Policisë Shkodër janë regjistruar një numër i konsiderueshëm telefonatash nga qytetarë, të cilët raportojnë se disa familje, përfshirë edhe fëmijë, kanë mbetur të bllokuara në segmente të ndryshme rrugore. Bllokimet janë evidentuar në disa akse rrugore, konkretisht nga zona e Bunit të Bajraktarit deri në zbritje në drejtim të qytetit të Koplikut. Aktualisht, në këtë aks po bien reshje breshëri të alternuara me dëborë dhe ka nisur formimi i ngricave, duke e vështirësuar ndjeshëm qarkullimin rrugor. Sipas raportimeve, mbi 200 mjete po tentojnë të lëvizin në drejtim të qytetit të Koplikut. Nga informacionet më të fundit bëhet me dije se aksi rrugor Qafë Thore–Bogë është zhbllokuar dhe qarkullimi po vijon normalisht. Ndërkohë, aksi rrugor Selcë–Qafë Berdelëcit paraqet problematika serioze për shkak të ngricave të shumta, si pasojë e të cilave disa automjete janë detyruar të kthehen në fshatin Tamarë.

Aktorja e njohur hollivudiane Angelina Jolie ka vizituar anën egjiptiane të pikëkalimit Rafah me Gazën, ku ka zhvilluar takime me përfaqësues të Gjysmëhënës së Kuqe dhe drejtues mjetesh që transportojnë ndihma humanitare. Sipas mediave lokale, aktorja dhe ish-e dërguara speciale e Agjencisë së Kombeve të Bashkuara për Refugjatët (UNHCR) e ka zhvilluar këtë vizitë për të parë nga afër gjendjen e palestinezëve të plagosur të transferuar në Egjipt, si dhe për të ndjekur procesin e dërgimit të ndihmave humanitare drejt territorit të Gazës.

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive?

Bashkohuni me grupin tonë privat.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme