Kronika 14 Gusht 2024, 19:37 Nga VNA

Vrasja në Pogradec/ Të vërtetat publike dhe ato të fshehura nga policia dhe drejtësia

Ndaje në Whatsapp
Vrasja në Pogradec/ Të vërtetat publike dhe ato të fshehura

Eglantin Proga nuk jeton më. Ai u dhunua dhe për pasojë humbi jetën duke lënë jetimë dy fëmijë të mitur. Denis Mece, autor i dyshuar i ngjarjes, sot ndodhet nën masën e arrestit me burg, ndërsa tre personat që panë ngjarjen e nuk e treguan atë, po hetohen për moskallëzim krimi, në gjendje të lirë.

Vrasja e një qytetari është një ngjarje e rëndë. Por rrethanat sesi krim ndodhi, në një vend normal, duhet ti hetojnë institucionet. Dhe në Shqipëri ndodh shpesh që rolet ngatërrohen. Polici bën kriminelin, media bën prokurorin, politika bën avokatin e institucioneve. Dhe kështu ndodhi për fat të keq edhe në rastin e vrasjes së Eglantinit, babai të dy fëmijëve të mitur.

Me të ndodhur ngjarja disa gazetarë “stisën” pista e insinuata, nxitën urrejtje e përcarje. Pastaj, institucionet të “tredhura”, me individë pa profesionalizëm dhe personalitet nga presioni filluan ti hedhin topin njëri-tjetrit. Korit të reagimeve, si përherë iu bashkua dhe politika.

Kryeministri i vendit Edi Rama doli në mbrojtje të policisë dhe Urgjencës Kombëtare. “Sot Policia e Shtetit dhe Urgjenca Kombëtare dhanë publikisht provat që hedhin poshtë agresionin e neveritshëm ndaj tyre lidhur me ngjarjen tragjike të Pogradecit, ku policia u akuzua pa asnjë bazë sikur tentoi të fshihte ngjarjen, ndërsa urgjenca sikur u vonua tejmase në dhënien e ndihmës për viktimën. Në fakt të gjitha provat e dokumentuara, qoftë të operacionit policor e qoftë të sistemit elektronik të Urgjencës Kombëtare tregojnë, se Policia e arrestoi në kohë rekord autorin për “Vrasje me dashje” dhe Urgjenca iu përgjigj në 7 minuta thirrjes për ndihmë!”, theksoi Rama.

Po si gjithmonë kryeministri e gjen një fajtor. Në këtë rast gjeti si përgjegjëse prokurorinë.

“Vrasja nga pakujdesia” e ngritur si akuzë nga Prokuroria, e cila tingëllon e pakuptueshme për këdo që është njohur me dinamikën e kësaj ngjarjeje tragjike, nuk ka asnjë lidhje me Policinë e Shtetit apo me punonjësit e urgjencës, të cilët e kanë kryer detyrën me profesionalizëm dhe integritet të plotë ligjor e moral. Ky është edhe konkluzioni i Agjencisë së Mbikqyrjes Policore, e cila është angazhuar nga Ministria e Brendshme, menjëherë pas daljes së pretendimeve apo fabrikimeve mbi rrjedhën e ngjarjes, duke kryer kontrollin e të gjitha hapave të operacionit për kapjen e autorit të vrasjes”, theksoi Rama.

Reagimi i tij erdhi pas një deklerate që më herët kishte bërë drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku, i cili theksonte se policia e kishte bërë detyrën dhe nuk kishte patur asnjë përpjekje për ta fshehur ngjarjen.

Qëndrimi i Rrumbullakut mori miratimin e Edi Ramës. “Duke mos komentuar qëndrimin e organeve të drejtësisë, por duke mirëkuptuar plotësisht indinjatën e kujtdo që ndjehet i skandalizuar nga akuza e ngritur nga Prokuroria, bashkohem me thirrjen e Policisë së Shtetit për të gjitha burimet e përgjegjshme të informimit, që t’i referohen dokumenteve të operacionit të policisë si edhe të shërbimit të urgjencës, për të luftuar dizinformimin dhe keqinformimin e qëllimshëm të publikut, duke luajtur me një vdekje tragjike për lloj-lloj motivesh të dobëta politike, mediatike apo edhe thjesht jonjerëzore”, shkroi kryeministri.

Por meqë Edi Rama e gjeti “fajtorin” dhe fajtori sipas tij ishte prokurori i cështjes, u zgjua nga gjumi apo ndërpreu pushimet dhe Inspektori i Lartë i Drejtësisë Artur Metani dhe tha se ka nisur hetimet për prokuroren e gjyqtaren e rastit.

Sipas ILD-së, është duke u hetuar sesi u ndryshua akuza për autorin e dyshuar Denis Mece nga “vrasje me dashje” që kishte referuar në fillim policia në “vrasje nga pakujdesia”.

Gjyqtarja Luljeta Kole që shqyrtoi kërkesën e prokurorisë për masën e sigurisë vrapoi të lante duart me këtë histori. Sepse në fund të fundit, Edi Rama nuk kishte ngritur akuzë ndaj saj, por ndaj prokurores. Ndaj, ajo e pati të lehtë. Sipas ligjit, gjyqtarët flasin me vendime. Por në këtë rast gjykata e Korcës bëri një sqarim të gjatë dhe tha se nuk ishte faji i gjyqtares, por përgjegjësi e prokurorisë.

“Në këtë fazë të procesit penal, në shqyrtimin e kërkesave për caktimin e masave të sigurimit personal, gjyqtari i hetimeve paraprake nuk mund të bëjë ndryshimin e cilësimit juridik të veprës penale për të cilën procedohet personi nën hetim dhe as të caktojë një masë sigurimi më të rëndë se ajo e kërkuar. Përcaktimi i plotë dhe saktë i rrethanave të faktit dhe përgjegjesisë penale të secilit person të përfshirë, i takon vijimit të hetimeve. Në përfundim të hetimeve, është gjyqtari i seancës paraprake i cili vlerëson plotësinë e tyre dhe cilësimin juridik të veprës penale”, theksoi Gjykata e Korcës në njoftim.

Gjykata theksoi se “vëren me shqetësim disa artikuj të publikuar në media, të cilat synojnë apo tentojnë të denigrojnë figurën e gjyqtarit të çështjes, duke ritheksuar zbatimin e ligjit me korrektësi dhe saktësi maksimale në çdo rast”.

Por le të ndalemi hap pas hapi te kjo ngjarje. rrethanat e plota si ndodhi.

Rreth orës 10:00 të datës 10 gusht 2024, policia u njoftua se në afërsi të vendit, të quajtur “Agjencia” tek rrethrrotullimi, lagjia numër 2 në Pogradec përballë kafe-kafe “Stropcka” është gjetur një shtetas i shtrirë pa ndjenja. Ai u trasportua në spitalin e qytetit, pa shenja jete. U identifikua si Eglantin Proga i datëlindjes 1982 banues në Trebinje.

Në lokalin ku ai ndodhej para se të dhunohej, nuk u vunë re çrregullime ne ambjent. Mediat raportuan se u dhunua me këmbë karrigeje, por në fakt, nuk ishte asgjë më shumë sesa një hamendësim, me gjasë nga paaftësia.

Mjekët zbuluan se Eglantini kishte shenja dhune në kokë. Pronari i lokalit Voltan Shkulaku tha se Eglantini shkoi në lokalin e tij dhe u ul bashkë me të në tavolinë dhe po pinte një birrë. “I cova birrën dhe shkova të pastroja”, tregon Shkulaku. Eglantini - thotë ai - shkoi në banjo dhe doli më pas jashtë. “Pak më vonë dëgjova disa persona që flisnin më zë të lartë dhe kërkonin ujë. Jam hutuar dhe kur kam dalë nuk kam marrë ujë, por kam parë se Igli ishte shtrirë në tokë. Ai nuk reagonte. Unë i kam nxjerrë gjuhën jashtë. Në atë moment nxirrte vetëm shkumë nga goja. Aty ka ardhur ambulanca e ka marrë, ndërsa unë kam vazhduar te lokali”, thotë ai. Voltan Shkulaku po hetohet nën masën e detyrimit për paraqitje, pasi sipas prokurorisë, edhe pse e njihte autoirin e dyshuar të ngjarjes, Denis Mece, nuk ia përmendi emrin. Shkulaku tha se nuk kishte dëgjuar asnjë debat apo zënkë mes ndonjë personi në lokalin e tij.

Ardian Bego kushëri i viktimës tha se e pa momentin kur një person u godit nga një tjetër person me grusht në pjesën e kokës dhe ra në tokë ne pjesën e asfaltit. “Nuk u afrova por kam parë nga larg. Kur mora vesh që ishte kushëriri im jam afruar. Kam kërkuar ndihmë rreth e rrotull për ndonjë person që të mund ta merrte me makinë kushëririn tim dhe ta çonin në spital. Pas 10 minutash erdhi ambulanca. Në ambulancë hipa dhe unë. Eglantini nuk reagonte fare”, deklaroi Bego.

Krejt ndryshe nga sa tha kryeministri dhe kreu i Urgjencës Kombëtare se ambulanca mbërriti për 7 minuta, kushëriri i viktimës thotë se ambulanca erdhi pas 10 minutash. Ashtu si pronari i lokalit, edhe kushëriri i viktimës tha se nuk e njohu personin që goditi Eglantinin. “Nuk kam mundur ta fiksoj dot personin që goditi kushëririn tim”, thotë Ardian Bego.

Andi Shkulaku ishte i vetmi që deklaroi se Eglantin Progën e dhunoi Denis Mece. Ai tha se mes tyre pati një debat. “Denis Mece i tha Eglantinit ti dridhte një cigare. Eglantini i tha “ja po ta dredh”. Ai drodhi për vete dhe më pas drodhi dhe për Denisin,i tha ‘Denis hajde se ta drodha”. Denisi hyri brenda mori cigaren dhe filluan t’i thoshin njëri tjetrit kushëri. Pas një Çast I Eglantini e shan Denisin. Më pas kaluan përsëri me te qeshur. Në këtë moment Denisi i thotë Eglantinit hajde dalim jashtë. Po i shihja nga dritarja. Ata debatuan një minutë dhe Denis Mece e godet me grusht Eglantinin. Këtij të fundit i zuri koka në një makinë të parkuar aty pranë. Më pas u rrëzua dhe i zuri koka në asfalt. U çova dhe shkova t’i jap ndihmë. Eglantini nuk reagonte ishte i gjakosur nga goja dhe hundët”, thotë dëshmitari.

Andi Shkulaku thotë se Denisi dhe Eglantini njiheshin, ndryshe nga sa deklaroi kryepolici Rrumbullaku se ata nuk kishin asnjë njohje me njëri-tjetrin.

Arian Manellari dhe Leonidha Guce, të cilët po ashtu po hetohen për moskallëzim krimi, u përpoqën të mos ngrinin gishtin e akuzës ndaj Denis Meces.

“Nuk e kam parë Denis Mecen të dalë nga lokali bashkë me Eglantinin”, tha Guce. Po ashtu ai thekson: NUk e kam parë kush e goditi Eglantinin.

“Unë nuk kam parë gjë fare se isha ulur me kurriz”, tha Manellari. Por të dy u tradhtuan nga një përgjim ambjental.

“Nga përgjimi ambjental i kryer shtetasve Leonidha Guce dhe Arian Manellari, duket se ata i tregojnë njëri-tjetrit që kanë deklaruar se nuk kishte lidhje me ngjarjen dhe nuk kishin parë gjë dhe pretendonin se meqënëse ishin shoqëruar dhe ata, duhet të ishte shoqëruar edhe Voli (pronari i lokalit), i cili e kishte parë ngjarjen. Gjithashtu nga biseda e tyre rezulton se ata pyesin njëri-tjetrin sesi kishte mundësi që viktima vdiq nga një grusht i Denisit, fakt që tregon se ata e kishin parë ngjarjen”, arsyeton gjykata.

Autori i dyshuar Denis Mece, u vetëdorëzua disa orë pas krimit, pasi ishte larguar nga vendngjarja dhe pretendoi se kishte bërë një sy gjumë në makinë, për shkak se ishte i dehur. Ai pretendon se nuk e njihte Eglantin Progën dhe se e goditi atë, pasi ai e kishte sharë, pasi i kishte dredhur një cigare. “Për respekt ja mora. Ktheva kurrizin dhe ai më shau. Dola jashtë lokalit dhe u ula te tavolina ime. Vazhdoi të më shante. I thashë hajde jashtë. I rashë me shpullë. Ai u rrëzua dhe su ngrit më”, thotë Denis Mece. Pasi është larguar Denis Mece thotë se “fjeta në makinë pasi isha i dehur. Pastaj I kërkova avokatit të më shoqëronte në polici”.

Denis Mece pretendoi se ishte në gjendje të rënduar psikologjike dhe nuk ishte në gjendje të jepte detaje të mëtejshme, por theksoi se nuk kishte qëllim ta vriste. Qëndrimi i tij sigurisht kërkon hetime të thelluara.

Nisur nga rrethanat më lart, policia e referoi ngjarjen “vrasje me dashje”. Prokuroria kërkoi masë arresti me burg për Denis Mecen për akuzën e “vrasjes nga pakujdesia”.

Në vendim gjykata thotë se “i përket prokurorisë të çmojë se për çfarë vepre duhet të regjistrojë procedimin penal, referuar provave që disponon apo indicieve të bazuara në prova në lidhje me veprën penale.

Këto janë momentet e para të hetimit dhe prokuroria disponon vetëm të dhënat e grumbulluara deri më tani,ndërkohë që janë duke u kryer veprime të tjera hetimore, si marrja e konkluzioneve të akteve të ekspertimit mjeko-ligjor për viktimën, kqyrja me ekspertë e kamerave që janë marrë nga objekte pranë vendit të ngjatje dhe për rrjedhim mund të arrihet edhe në konkluzione të ndryshme ligjore me kualifikimin ligjor të faktit penal, të ndryshëm apo më të rëndë se ajo për të cilën është regjistruar procedimi penal për këtë shtetas (Denis Mecen)”.

Gjykata caktoi sipas kërkesës së prokurorisë masën e sigurisë “arrest me burg” për Denis Mecen një i skeduar më herët për krime të tjera dhe detyrim paraqitje për 3 personat e tjerë që nuk kallëzuan krimin.

Institucionet duhet ta zbardhin vrasjen e Eglantinit dhe drejtësia duhet vënë në vend. Por ta “vrasësh” sërish Eglantinin me hamendësime mediatike është një vrasje edhe më e rëndë. Sepse shumëçka është thënë nuk ka asnjë bazë. Përkundrazi vetëm një zell “gazetarësh” të etur për klikime që në fakt janë po aq fajtorë sa vrasësi i vërtetë.

Video

Rrugët e Londrës Perëndimore u mbushën me ngjyra dhe muzikë për ditën e parë të Notting Hill Carnival, festivali më i madh rrugor në Evropë. Muzikantë dhe kërcimtarë me kostume të shndritshme morën pjesë në paradë, duke sjellë një atmosferë feste dhe shumë argëtim. Dita nisi me J’ouvert, një traditë që fillon në orën 06:00 të mëngjesit dhe shënon hapjen e festimeve gjatë fundjavës së Bank Holiday. Rrugët u mbushën me bojë dhe pluhur ngjyrash, ndërsa tingujt e daulles dhe instrumenteve të ndryshme muzikore ndiqnin paradën.

Vullkani Kilauea, një nga më aktivët në botë shpërtheu për herë të 31-të që nga muaji dhjetor, duke konfirmuar aktivitetin e tij të shpeshtë. Aktiviteti ishte i kufizuar në kraterin e majës, që do të thotë se asnjë shtëpi apo zonë banimi nuk u kërcënua, raportojnë mediat e huaja. Megjithatë, vizitorët dhe banorët e Havait patën mundësinë ta shihnin spektaklin nga afër në Parkun Kombëtar të Vullkaneve të Havait.

Këto janë pamjet nga aksidenti i rëndë i ndodhur mbrëmjen e kësaj të diele në aksin Delvinë-Sarandë, ku humbën jetën dy motra të identifikuara si Rozina dhe Ela Dhimaku, banuese në Delvinë. Nga aksidenti fatal ka mbetur e plagosur dhe një vajzë tjetër e identifikuar si Antonela Zhupa. Policia thotë se vajzat udhëtonin me automjetin tip “Lancia” kur janë përplasur përballë me një tjetër automjet tip “Audi” që drejtohet nga Kevi Norra. Njoftimi i Policisë: Sot, rreth orës 20:15, në aksin rrugor Delvinë-Sarandë, shtetasi K. N., 23 vjeç, duke drejtuar automjetin tip “Audi”, është përplasur me automjetin tip “Lancia”, me drejtuese shtetasen E. Dh. Si pasojë e aksidentit, kanë humbur jetën drejtuesja e automjetit “Lancia”, shtetasja E. Dh., 22 vjeçe, së bashku me pasagjeren shtetasen R. Dh., 20 vjeçe, ndërsa pasagjerja tjetër në këtë automjet, shtetasja A. Zh., 24 vjeçe, ka mbetur e dëmtuar dhe ndodhet nën kujdesin e mjekëve. Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po kryen veprimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit.

Rinas 1959 VideoCredits: Adi Darsi

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive?

Bashkohuni me grupin tonë privat.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme