
SPAK përfundoi hetimet ndaj Festim Qolit dhe e akuzoi për vrasjen e Elvis Dedajt, ish-ortaku i tij në biznes, dhe të nënës së këtij të fundit, Fatmira Dedaj. Për vrasjen e Elvis Dedajt, SPAK ka ngritur akuzë të re edhe për të shumëkërkuarin Talo Çela.
Elvis Dedaj u ekzekutua më 5 qershor të vitit 2012, në afërsi të Shkumbinit të Kavajës, ndërsa nëna e tij, e cila ishte kthyer në shqetësim serioz për grupin kriminal, pasi kërkonte drejtësi për të birin, u ekzekutua një vit më vonë, në shtator të vitit 2013.
Për vrasjen e Fatmira Dedajt, ka dhënë dëshmi i penduari i drejtësisë, Nuredin Dumani.
DËSHMIA E PLOTË E NUREDIN DUMANIT
“…Gjatë diskutimit, Festim Qoli më tha: ‘Po më ngushton nëna e Ervis Dedës,’ kjo pasi ajo po interesohej vazhdimisht në Prokurori për vrasjen e djalit dhe e akuzonte direkt Festimin. Më kërkoi nëse mund ta ndihmoja me eliminimin e saj. Ajo ishte nëna e Ervisit. Emrin e kishte Fatmira Dedaj. Pasi diskutuam, më tha: ‘Do të jap 40.000 euro po ta vrasësh.’ I thashë: ‘Do flas me disa persona’, nuk e di atë ditë apo më vonë, por di që shkova i vetëm në Elbasan tek Talo Çela. Talon, me sa mbaj mend, e kam takuar tek lokali/servisi i Gent Sharrës (Gentin e kam njohur nga Talo Çela në Elbasan, pasi kishim kryer grabitje bashkë. Jeton në Elbasan përballë parkut. Është i gjatë rreth 1.70 m, ka flokë kaçurrela të zeza, është diku tek të 50-at, ka një djalë dhe tre vajza, me sa mbaj mend) në Bradashesh. Ishte diku 300 metra nga shtëpia e Talos, në krahun e majtë kur vjen nga rruga e vjetër nga Peqini për në Elbasan; luanim bilardo, poker. Kam diskutuar me Talon dhe Gent Sharrën për këtë çështje, u thashë që janë shumë lekë. U thashë, për të thënë të drejtën, se janë 30.000 euro, pasi doja të fitoja diçka më shumë. Talo e pranoi ofertën që i thashë për momentin… Di që jeton tek rrethrrotullimi i luleve kur vjen nga Peqini, diku 100 m larg, në krahun e djathtë në një pallat të vjetër. Aty afër jetonte edhe ish-gruaja e Talos me vajzën. Ai i mbante flokët gjithmonë lart, ishte trup normal, i gjatë diku tek 1.75 m… Atë ditë nuk mora përgjigje, por ai pothuajse e pranoi. Erdhi pas disa ditësh Talo Çela. I kam treguar vendin, emrin, lëvizjet e Fatmira Dedajt. E ndoqa bashkë me Talon me makinë disa ditë, nuk i mbaj mend makinat. Ajo shkonte çdo ditë në varrezat e Durrësit në mëngjes. Ideja ishte ta vrisnim tek varrezat. Në ndjekjen e saj përfshinë dhe Dorjan Shkozën, i cili kishte një makinë Suzuki ose Toyota, me portobagazh të vjedhur, ngjyrë e kuqe. Dorjani e ndiqte dhe na jepte të dhënat: ku ishte, ku shkoi. Talo donte që vrasja të bëhej tek varrezat pasi, sipas tij, krijonte lehtësi në largim në drejtim të Spitallës, por unë nuk pranova. Më pas, pasi folëm me Festimin, ai më tha që të bëhej te garazhi, pasi duhej të dukej si grabitje dhe jo si vrasje, sepse aty do kishim dhe Agronin që do na ndihmonte me telefon për lëvizjet e saj. Për çdo lëvizje që bënte Fatmira, unë flisja me të vëllain e Festimit, Petritin, të cilin e informoja për çdo lëvizje, por jo për planin. Petriti merrej me biznes. Ka ndërtuar pallate; me sa di, ka edhe 2-3 peshkarexha për peshkim. Mesa di, ka edhe një piceri ‘Erdogan’ ngjitur me ish-Apolloninë, që u shemb pas tërmetit. Petriti është diku tek 50-55 vjeç, është 1.80 m i gjatë, i shëndoshë, mban mjekër gjithmonë. Është i martuar por nuk ka fëmijë. U vendos përfundimisht që ta eliminonim Fatmirën te garazhi i pallatit ku banonte. Festimi ndërkohë ishte jashtë shtetit. Mua më ka thënë që ishte në Itali, por më vonë mora vesh nga bisedat me të se kishte qenë në Greqi… Largimi i tij nga Shqipëria ishte i planifikuar. Kishim biseduar më parë që, para se të kryhej vrasja, ai duhej të ishte jashtë shtetit. Kjo për të shmangur dyshimet nga policia. Unë lajmërova Petritin të largohej nga Shqipëria se do mbaronim punë. Di që iku në Greqi, por nuk e di a është e vërtetë. Mesa mbaj mend, Petritin e kam lajmëruar 10 ditë para vrasjes. Mesa di, ai iku jashtë. Petriti, vëllai i Festimit, na dha dy telefona Nokia të vjetër – një për mua dhe një për Agronin. Agroni është djali i xhaxhait të Festimit dhe Petritit. Di që merret me ndërtim dhe është rreth të 50-ve. Aktualisht nuk e di ku punon. Agroni jetonte në të njëjtin pallat me viktimën. Petriti na i dha telefonat për punë vëzhgimi: kur hynte dhe dilte Fatmira. Ditën e ngjarjes, shkuam me suzukin/toyotën. Talo ishte ulur në pjesën e pasme, me xhama të zinj; unë isha shoferi. Qëndruam tek hyrja e garazhit. Me vete kishim një pistoletë TT dhe një thikë, të cilën e mbante Talo Çela. Talo kishte doreza dhe kapuç; unë kisha vetëm doreza dhe një triko sportive me kapuç e kapele, me sa mbaj mend. Goni na dërgoi mesazh që Fatmira kishte dalë dhe dinim që do kthehej. Agroni na jepte të gjitha informacionet kur hynte dhe dilte Fatmira. Ajo lëvizte me Citroën C4, ishte lehtësisht e identifikueshme. E pritëm për rreth një orë dhe e pamë që erdhi. U nisa pas saj me makinë, tek garazhi; hymë njëkohësisht. Ajo zbriti nga makina, pasi parkoi, dhe po dilte për punën e saj. Unë po rrotullohesha në parkim, ndërsa Talo doli nga makina dhe priste momentin. E pashë që Talo po e godiste me shqelma, ndërsa ajo nuk reagonte. Talo kishte dhe armën me vete, por nuk e përdori. Ai përdori thikën për ta eliminuar. Ajo ishte pa ndjenja nga goditjet me grushta dhe shqelma. Ai i drejtoi thikën dhe, më duket, e goditi në qafë. Unë nuk mund ta shikoja dot. Kështu donte dhe Festimi të ndodhte, që të dukej si grabitje, jo si vrasje, ndaj u përdor konflikti. Talo më pas i grabiti çantën – nuk e di çfarë kishte brenda, nuk pashë. Isha i tensionuar nga gjaku dhe nga vdekja e zonjës. Më pas u larguam. Shkuam me të njëjtën makinë deri në Plepa, tek ura. Unë mora një taksi aty, ndërsa Talo mori makinën dhe nuk di ku e çoi më pas. Më rëndoi shumë vrasja. Telefonin e hodha në kanalin e ujërave të zeza. Hodha dhe rrobat. Më pas shkova në shtëpi. Pas disa ditësh, po prisja tek lokali i Festimit ardhjen e Petritit. Me sa mbaj mend, Petriti erdhi me një ML gri. Më tha të dilja tek nënkalimi i Shën Vlashit. Bëmë një xhiro me makinë dhe më tha: ‘Ja ku e ke pagesën’. Më falënderoi, më tha se do kishim shumë punë. Lekët i kishte futur tek marshi i makinës. Ishin në euro, në disa prerje. Pas xhiros më la tek nënkalimi dhe u largova në shtëpi. Shkova në Elbasan atë ditë ose të nesërmen dhe komunikova me Talo Çelën që do shkoja ta takoja. Komunikonim vetëm me mesazhe. Talon e takova tek ‘pilafi’ në Bradashesh, Elbasan. I dhashë 30.000 euro Talo Çelës dhe 10.000 euro i mbajta për vete. Unë me Festimin jemi takuar disa herë më pas, por nuk e ka hapur kurrë bisedën për vrasjen. Më ka falënderuar për vrasjen dhe më pas kemi prerë gishtat bashkë – jemi bërë vëllezër gjaku. Të shtëpisë sime dhe të atij e dinë që jemi vëllezër gjaku.”