Bota 24 Shtator 2024, 21:06 Nga VNA

Sondazhi i radhës për zgjedhjet në SHBA, ja kë zgjedhin deri tani votuesit me origjinë aziatike

Ndaje në Whatsapp
Sondazhi i radhës për zgjedhjet në SHBA, ja kë zgjedhin deri

Sipas një sondazhi të ri, Nënpresidentja Kamala Harris gëzon një mbështetje më të madhe mes votuesve amerikanë me origjinë aziatike, ata nga Havai dhe amerikanët me orgjinë nga ishujt e Oqeanit Paqësor, sesa ish-Presidenti Donald Trump. Këto grupe votuesish kanë gjithashtu më shumë gjasa të besojnë se ajo është kandidatja që përfaqëson më mirë pikëpamjet e tyre politike.

Sondazhi i ri nga organizata “AAPI Data” dhe “APIAVote” zbulon se rreth 6 në 10 votues amerikanë me origjinë aziatike kanë një opinion të favorshëm për kandidaten demokrate Harris, ndërsa rreth një e treta kanë një pikëpamje të pafavorshme për të. Vetëm 3 në 10 votues të këtij grupi kanë një pikëpamje pozitive për kandidatin republikan Donald Trump dhe rreth dy të tretat kanë një mendim negativ për të.

Anketa tregon shtimin e mbështetjes për zonjën Harris nga tetori i vitit 2023, kur një sondazh i agjencisë së lajmeve Associated Press, Qendrës NORC dhe organizatës “AAPI Data” gjeti se rreth gjysma e të rriturve të këtij grupi votuesish kishin një pikëpamje të favorshme për të. Opinionet e votuesve të këtij grupi për zotin Trump nuk patën ndonjë ndryshim.

Kamala Harris, me origjinë zezake dhe aziatike, ka punuar për të fituar mbështetjen e këtyre grupeve votuesish në shtetet e pavendosura si Xhorxhia, ku numri i tyre po rritet. Por ndërsa sondazhi tregon se votuesit amerikanë me origjinë aziatike dhe nga ishujt e paqësorit kanë shumë më shumë gjasa të shohin identitetin e tyre kulturor të pasqyruar tek ajo sesa tek zoti Trump, rreth gjysma e tyre thonë se zonja Harris përfaqëson më mirë origjinën dhe kulturën e tyre krahasuar me rreth 1 në 10 që thonë këtë për zotin Trump. Nuk është e qartë se si do të ndikojë kjo në zgjedhjet presidenciale të nëntorit.

Vetëm rreth 3 në 10 votues të këtij grupi thonë se identiteti aziatik i zonjës Harris është jashtëzakonisht apo shumë i rëndësishëm për ta. Rreth 7 në 10 amerikanë me prejardhje nga India e shohin zonjën Harris si kandidaten që përfaqëson më mirë prejardhjen dhe kulturën e tyre, gjë që është më e lartë se amerikanët me origjinë aziatike në përgjithësi.

Ping Hackl, një 27-vjeçare kinezo-amerikane, e cila jeton në Tulsa të Oklahomës do të votojë për zonjën Harris, por jo për shkak të racës apo gjinisë së kandidates demokrate. “Nuk më intereson vërtet. Ajo mund të jetë kushdo”, – tha zonja Hackl. Zonja Hackl thotë se për të ka rëndësi mbrojtja e demokracisë dhe shmangia e përçarjeve, që mund të çojnë në dhunë politike. Ajo mendon se zoti Trump “është shumë i rrezikshëm për vendin”.

Në fakt, sondazhi tregon se gjinia e zonjës Harris mund të jetë më e rëndësishme për votuesit amerikanë me prejardhje aziatike sesa prejardhja e saj racore. Ndërsa fushata e zonjës Harris ka shmangur theksimin se ajo mund të jetë presidentja e parë grua, rreth gjysma e votueseve me prejardhje aziatike thonë se identiteti i saj si grua është jashtëzakonisht apo shumë i rëndësishëm.

Rezultatet e anketës sugjerojnë se votuesit amerikanë me orgjinë aziatike dhe nga ishujt e paqësorit mund të jenë më të prirur të kontaktohen nga ekipet e fushatave të demokratëve. Rreth 4 në 10 votues të këtij grupi thanë se janë kontaktuar nga Partia Demokrate “shumë” ose “disa” herë vitin e kaluar, ndërsa rreth 3 në 10 thanë të njëjtën gjë për Partinë Republikane.

Ish Presidenti Donald Trump dhe kandidati republikan për postin e nënpresidentit, JD Vance, kohët e fundit u kanë bërë jehonë gjithashtu stereotipeve të vjetra për amerikanët me origjinë aziatike dhe ushqimin e tyre duke përforcuar thashethemet e rreme se emigrantët nga Haiti në Springfield të Ohajos po hanë kafshë shtëpiake.

Anketa tregon se çështja e racizmit është shumë e rëndësishme për këtë grup grup votuesish. Rreth 7 në 10 votues me orgjinë aziatike apo nga ishujt e paqësorit thonë se “nuk do të mund të votonin kurrë” për një kandidat që nuk ndan pikëpamjet e tyre mbi racizmin apo diskriminimin, duke e bërë atë një çështje më të rëndësishme sesa ekonomia.

Megjithatë, jo të gjithë votuesit me origjinë aziatike dhe nga ishujt e paqësorit kanë pikëpamje negative për zotin Trump. Jihua Ma, një shtetas amerikan 45-vjeçar me origjinë nga Kina, që jeton në Boston, është republikan dhe votoi për zotin Trump në vitin 2020. Ai mendon se zoti Trump është ende udhëheqësi më efektiv në këtë garë presidenciale.

“Unë po zgjedh dikë që të drejtojë vërtet këtë vend, jo dikë që të jetë një mik, një person i mirë”, tha ai për zotin Trump. Jihua Ma dëshiron dikë që do të kontrollojë inflacionin dhe kufirin, dhe ai nuk është i kënaqur me propozimet e zonjës Harris për këto çështje./VOA/

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Video

Dy anije cisternë u shënjestruan nga një sulm me dronë në Detin e Zi, i raportuar në orët e para të mëngjesit në një zonë detare pranë portit të Novorossiysk. Në rrjetet sociale është publikuar një video ku shihet momenti kur një dron godet cisternën “Delta Harmony”, megjithëse rrethanat e plota të sulmit mbeten ende të paqarta. Sipas të dhënave, njëra prej cisternave është “Delta Harmony”, e operuar nga kompania greke Delta Tankers, e cila pritej të ngarkonte naftë nga Tengizchevroil. Anija tjetër është “Matilda”, e operuar nga kompania greke Thenamaris, e planifikuar për të ngarkuar naftë nga Karachaganak.

13 dhjetor 2021. Sali Berisha për shpenzimet e Kuvendit të Rithemelimit: Janë bërë transparente dhe do bëhet çdo qindarkë për shpenzimet e Kuvendit, të cilat ju garantoj se janë minimumi 50 herë më të ulëta sesa shpenzimet që paraqet pengmarrësi Edi Rama me pengun e tij Lulzim Basha në mediat e tyre. Por çdo gjë do bëhet transparente, me fatura dhe gjithçka tjetër. Pas 4 vitesh nuk ka ende asnjë transparencë.

Disa qindra fermerë u mblodhën sot përpara Asamblesë Kombëtare në Paris për të protestuar kundër marrëveshjes tregtare mes Bashkimit Evropian dhe Mercosur-it. Gjatë protestës, fermerët ndërmorën një veprim simbolik duke derdhur rreth 25 tonë patate përpara ndërtesës së Asamblesë Kombëtare, si shenjë kundërshtimi ndaj politikave që, sipas tyre, rrezikojnë seriozisht bujqësinë vendase franceze. Protestuesit shprehën shqetësimin se marrëveshja me Mercosur-in do të lehtësonte importin e produkteve bujqësore nga Amerika e Jugut, të cilat prodhohen me standarde më të ulëta mjedisore dhe sociale, duke krijuar konkurrencë të padrejtë për fermerët evropianë.

Këto janë momentet e arratisjes së Altin Ndocit nga Spitali i Durrësit. Ai arriti t’i shpëtojë policëve që e shoqëronin në spital duke e goditur fizikisht punonjësin e sigurisë së burgut. Ai ndodhej në katin e tretë të spitalit rajonal të Durrësit, në repartin infektiv ku ndodhet zona e veçantë e sigurisë për të paraburgosurit.

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive?

Bashkohuni me grupin tonë privat.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme