Sociale 30 December 2025, 18:11 Nga VNA

Zërat qytetarë kundër betonit frymëzuan komunitetet

Ndaje në Whatsapp

Zërat qytetarë kundër betonit frymëzuan komunitetet

Transformimi urban në Shqipëri vijoi të prodhojë konflikte përgjatë vitit 2025. Zakonisht, debati ndahet mes atyre që e shohin këtë zhvillim si modernizim estetik dhe atyre që e kritikojnë atë kryesisht nën dyshimin për interesa të errëta ekonomike.

Por përtej këtij polarizimi, një fakt mbetet i padiskutueshëm, ndikimi i thellë që ky transformim urban ka dhënë dhe po jep te komunitetet lokale. Citizens.al është munduar t’u japë gjithmonë vëmendje zërave qytetarë dhe të përcjellë të parin shqetësimet e tyre.

Projektet e ndërtimeve masive, rikualifikimeve urbane dhe infrastrukturore në Shqipëri zhvillohen shpesh pa konsultime me banorët që preken prej tyre. Objektet nuk vlerësohen si duhet për shpronësim, nuk respektohet trashëgimia, hapësirat, distancat me godinat ekzistuese, shpesh ndërtohet në tejkalim të lejeve etj.

Për rrjedhojë, ky zhvillim ka nxitur pasiguri mbi pronën dhe strehimin duke ngjallur rezistencë qytetare në zona të ndryshme të vendit në rastet kur projektet trokasin dyerve të shtëpive apo institucioneve.

Të tilla ishin rastet e banorëve pranë qendrës kulturore “Ten”, shkollës “Emin Duraku” dhe ata të një pallati te Astiri në Tiranë, banorët e lagjes historike dhe zonës së ish-kabinave të plazhit në Durrës, apo dhe banorët e zonës së Rrjollit në Velipojë.

Mes dëbimit dhe pasigurisë së strehimit

Dy komunitete në Durrës u përballën me largim nga shtëpitë e tyre, për arsye të ndryshme. Në “lagjen 13”, 32 familje u gjetën në rrugë në prag të festave, pasi godinat ku banonin që nga vitet ’90 iu kalua pronarit me një proces të cilin ata e kontestojnë.

Banorët, të cilët u vendosën te ish-kabinat e plazhit rreth 30 vite më parë si përfitues nga statusi pastrehë, thonë se morën vesh vonë vendimin e bashkisë për t’ia kaluar objektin “me banorë brenda”. Vetëm një person, me aftësi të kufizuara, mori mbështetje për qira. Të tjerët mbetën pa ndihmë.

Ndryshe është situata në lagjen e Kalasë. Mbi 70 familje mund të shpërngulen për shkak të projektit të rikualifikimit urban të zonës, njohur ndryshe dhe si “TID Durrës”.

Parashikohet dëmshpërblim, por shumica e banorëve e konsiderojnë si të pamjaftueshëm për një zonë kaq strategjike, për më tepër vlera e përllogaritur i referohet çmimeve të 10-15 viteve më parë.

Projekti zbatohet nga Ministria e Kulturës, Bashkia Durrës dhe Fondacioni Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim (AADF). Banorët i kanë paditur në Gjykatën Administrative. Paralelisht, kanë bërë kallëzim edhe në SPAK.

Ndërtimet “fasadë më fasadë”

Rindërtimi i qendrës kulturore “Ten” në rrugën Myslym Shyri në Tiranë, parashikoi rritjen e godinës nga dy në katër kate. Banorët përreth u alarmuan. Ata u ankuan për mungesën e konsultimit dhe rrezikun që ndërtesat e tyre të dëmtoheshin nga ana strukturore ose të mbeteshin pa dritë dhe ajrim.

Ata iu drejtuan Citizens.al. Bashkia Tiranë deklaroi se projekti përputhej me Planin e Përgjithshëm Vendor dhe nuk dëmtonte ndërtesat afër. Megjithatë, punimet u ndërprenë në mars, për arsye të paqarta. Sot, banorët janë në proces gjyqësor me bashkinë dhe kompaninë zbatuese.

Një tjetër konflikt shpërtheu pranë shkollës “Emin Duraku”, në ish-Bllok. Këtë herë bëhej fjalë për një kullë 16-katëshe, me katër kate nën tokë dhe rreth 10 mijë metra katrorë sipërfaqe ndërtimi.

Banorët protestuan, duke nxjerrë si shqetësim kryesor jo vetëm humbjen e hapësirave të përbashkëta, por edhe rrezikun e një ndërtimi të tillë pranë një shkolle që frekuentohet nga fëmijë të shumtë. Megjithatë, me kalimin e kohës, rezistenca u zbeh.

“Pjesa më e madhe e banorëve është tërhequr, edhe pse çështja është në Gjykatën e Tiranës”, tha avokati Redon Meksi për Citizens.al.

Ky grup banorësh duket se e ka pasur të vështirë të gjejë një inxhinier të gatshëm të angazhohet si ekspert për të analizuar parregullsitë e projektit e që përmes saj më pas të kërkohej sigurimi i padisë.

Megjithatë ky vit pati edhe raste ku komunitetet arritën fitore, qoftë dhe të pjesshme. I tillë ishte rasti i një grupi prej 24 familjesh, të cilët me mbështetjen e organizatës “Drejtësi Sociale”, siguroi legalizimin e banesave pas protestave para Agjencisë Shtetërore të Kadastrës.

Përmes avokatit Gentian Serjani, grupi i zonës së Astirit, ia ka dalë që të ndërhyjë dhe përshpejtojë procedurat duke i dhënë fund një anashkalimi prej rreth 20-vitesh.

Ndërkohë, në Rrjoll të Velipojës, banorët panë pezullimin e projektit të resortit turistik “Blue Borgo”. Ata protestuan, madje dhe u përplasën me policinë duke iu drejtuar më pas dhe SPAK-ut për çështjen e pronësisë.

Prek Molla, banor i zonës, tregoi se prej marsit nuk ka pasur tentativa për rikthim të punimeve.

“Pati një tentativë për marrëveshje, por pas skandalit [të korrupsionit] me [ministren Belinda] Ballukun, investitori u tërhoq”, tha ai.

Këto raste të hasura këtë vit, tregojnë edhe njëherë se konfliktet e përsëritura urbane fshehin pas modelin e projekteve të mëdha që aplikohen me përgjegjësi dhe kosto sociale të paqarta dhe pa konsultim publik.

Rezistenca qytetare mbetet një nga pak mekanizmat që duket se i vë frenë proceseve të tilla./Citizens.al/

Video

Kokainë kolumbiane e fshehur në kërcell plastikë trëndafilash, një lulishte fantazmë dhe një vilë në Marathona. Mes të arrestuarve raportohet edhe Lulzim Caka, një emër i njohur i kronikës shqiptare. I dënuar me 25 vite burg, i liruar gabimisht para kohe në vitin 2019 dhe më pas i shpallur në kërkim, Caka rikthehet tashmë në një dosje ndërkombëtare droge. Mbi 110 kilogramë kokainë lidhen me grupin e goditur në Greqi. Si përfundoi një i kërkuar nga drejtësia shqiptare në zemër të kësaj skeme?

Rama “djeg” Allajbeun dhe i fik dritën jeshile tenderit prej afro 50 milionë eurosh. Pas denoncimeve të VNA, Ministria e Shëndetësisë anulon procedurën për hemodializën në pesë spitale rajonale, ku në garë ishte vetëm “Diaverum AB”. Por “shkundja” nuk ndalet këtu. Nga drejtimi i OSHIS largohet Arisa Cane, e cila kishte punuar më parë në Spitalin Amerikan të Klodian Allajbeut. Kontrata që dukej se po shkonte drejt firmosjes tashmë është ndalur. Çfarë do të ndodhë me tenderin 50-milionë eurosh dhe kush do ta marrë në dorë hemodializën?

Elektriçistët po vdesin në shtyllat e OSHEE-së: tre viktima në pak muaj dhe ende asnjë përgjegjësi

Elektriçistët po vdesin në shtyllat e OSHEE-së: tre viktima në pak muaj dhe ende asnjë përgjegjësi

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme