“Shoqata Kombëtare e Ndërmjetësve të Pasurive të Paluajtshme të Shqipërisë” (NAREA) shprehu sot shqetësimin për vonesën e dekretimit të ligjit “Për Rivlerësimin e Pasurisë së Paluajtshme”.
Në një kërkesë drejtuar drejtuar Presidentit të Republikës, NAREA shprehet se po ndjek me shqetësim zgjatjen e paarsyeshme të procesit të Dekretimit të Ligjit 85/2025 dhe për pasojë shtyrjen e botimit në Fletoren Zyrtare, vonesën e hyrjes në fuqi përtej datës 1 Janar 2026 dhe pengimin e prodhimit të akteve nënligjore.
NAREA shprehet se, pavarësisht se ka shprehur në mënyrë konstante rezerva për masën e Tatimit 5% për banesat dhe pavarësisht se ka ngritur pikëpyetje mbi zbatueshmërinë e Amortizimit 1%/vit vjetërsi, beson shumë se një vonesë e mëtejshme e Dekretimit të këtij ligji do të sjellë efekte shumë më negative, duke shtuar stresin në treg përtej presioneve inflacioniste, të pranishëm prej 18 muajsh tashmë.
“NAREA bën thirrje që të dekretohet sa më parë të Ligjit Nr. 85/2025 datë 12.12.2025 “Për Rivlerësimin e Pasurisë së Paluajtshme”, për të përshpejtuar botimin në fletoren zyrtare dhe për pasojë hyrjen në fuqi si dhe emetimin e Akteve Nënligjore.
Njëkohësisht, NAREA kërkon angazhimin sa më parë dhe bashkëpunimin e të gjithë Institucioneve, duke filluar nga Qendra e Botimeve Zyrtare, Ministria e Financave dhe Agjencia Shtetërore e Kadastrës në nxjerrjen sa më parë të Akteve Nënligjore dhe Udhëzimit të Përbashkët për zbatimin e Ligjit Nr. 85/2025 datë 12.12.2025 “Për Rivlerësimin e Pasurisë
së Paluajtshme”,” thuhet në kërkesën e NAREA.
Ligji “Për Rivlerësimin e Pasurisë së Paluajtshme” parashikon që gjithë individët dhe bizneset, të cilët kanë në pronësi pasuri të paluajtshme kanë të drejtë që, nga data 1 Janar 2026 deri në datën 31 dhjetor 2026, të bëjnë rivlerësimin e kësaj pasurie me vlerën e tregut.
Tatimi që paguhet për regjistrimin e këtij rivlerësimi do të jetë sa 5% e bazës së tatueshme, e shprehur si diferenca mes vlerës së mëparshme të pronës dhe vlerës së re të saj, që do të dalë nga rivlerësimi.
Rivlerësimi mund të bëhet nga një ekspert i licencuar për vlerësimin e pasurisë së paluajtshme nga institucionet përkatëse ose nga zyrat vendore të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës.
Në rast se individi zgjedh që të bëjë rivlerësimin me një ekspert të licencuar, atëherë aplikimit të tij për rivlerësim të pasurisë së paluajtshme i bashkëlidh edhe aktin e vlerësimit të ekspertit.
Zyrat vendore të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës do të përllogarisin bazën e tatueshme, e cila llogaritet si diferencë ndërmjet vlerës së pasqyruar në akt ekspertimi, e cila nuk mund të jetë më e vogël se çmimet minimale fiskale në fuqi në momentin e vlerësimit, dhe vlerës së regjistruar të pasurisë ose vlerës së rivlerësuar sipas ligjeve të mëparshme të rivlerësimit dhe për të cilin është paguar tatimi.
Çmimi minimal fiskal do të llogaritet sipas dispozitave të Udhëzimit të Përbashkët mes ministrisë përgjegjëse për financat dhe Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, nr. 34, datë 29.12.2023 “Për tatimin mbi të ardhurat nga tjetërsimi i pasurive të paluajtshme”. ASHK gjithashtu do të llogarisë vlerën e tatimit që duhet të paguajë individi për ta regjistruar këtë rivlerësim.
Në rast se individi zgjedh që rivlerësimi të kryhet nga ASHK, me çmimet minimale fiskale në fuqi, atëherë ky fakt duhet të shprehet në formularin që i bashkëlidhet aplikimit të tij për rivlerësim.
Ministri përgjegjës për Financat dhe drejtori i përgjithshëm i Agjencisë Shtetërore të
Kadastrës duhet të nxjerrin udhëzimin e përbashkët për procedurat e zbatimit të këtij ligji për llogaritjen e bazës së tatueshme, paraqitjen dhe administrimin e kërkesës për rivlerësim, pagesën e tatimit të rivlerësimit, rregullat e procedurat për pasqyrimin e rivlerësimit të pasurisë në regjistrat e pasurive të paluajtshme, pagesën e të ardhurave nga tatimi i rivlerësimit në buxhetin e shtetit, si dhe për përcaktimin e tarifës së kryerjes së shërbimeve të parashikuara nga ky ligj nga Agjencia Shtetërore e Kadastrës brenda 30 ditëve nga hyrja në fuqi e ligjit.
Por, vonesat në hyrjen në fuqi të ligjit pritet të sjellin vonesa edhe në përgatitjen dhe hyrjen në fuqi të akteve nënligjore dhe në nisjen e procesit të rivlerësimit./Monitor






















