Sektori i pasurive të paluajtshme po dominon investimet e huaja për të katërtin vit radhazi, me një peshë gjithnjë e më të lartë.
Investimet e huaja në prona në tremujorin e tretë të vitit 2025 arritën në 150 milionë euro, 70% më shumë krahasuar me tremujorin e tretë të vitit të kaluar.
Për të gjithë 9-mujorin 2025, investimet e huaja në pasuri të paluajtshme arritën vlerën e 403 milionë eurove. Vlera e investimeve të huaja në prona është rritur me 50% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Investimet në këtë sektor përbëjnë më shumë 33% të investimeve të huaja për këtë vit, nga 23% që zinin një vit më parë.
Blerjet e shtetasve të huaj në vitet e fundit kanë qenë një faktor me peshë në tregun e pronave në Shqipëri dhe kanë luajtur një rol të konsiderueshëm në rritjen e çmimit të pronave, veçanërisht në zonat bregdetare të vendit.
Pas pasurive të paluajtshme, sektori me vlerën më të lartë të investimeve të huaja është ai financiar. Vlera e investimeve të huaja në degën e aktiviteve financiare dhe të sigurimit për 9-mujorin 2025 arriti në 219 milionë euro, në rritje me 6.3% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Rritja e vlerës së investimeve të huaja në këtë sektor në vitet e fundit ka qenë kryesisht e lidhur me rritjen e kapitalit dhe investimeve nga subjektet ekzistuese në treg.
Kuadri i ri i rregullator, që ka nisur të zbatohet prej vitit 2019, ka detyruar bankat të rrisin gradualisht kapitalin aksionar. Rritja e fitimeve të bankave në vitet e fundit ka ndikuar pozitivisht edhe ecurinë e fitimeve të riinvestuara.
Ndërkohë, në vitin 2025 ka një rikthim të interesit të investitorëve të rinj në sektorin bankar. Banka e Shqipërisë ka dhënë miratimin për hyrjen në treg të dy bankave të reja, degës së bankës turke Ziraat dhe bankës dixhitale, Jet Bank.
Sektorët e tjerë tradicionalisht me peshë në investimet e huaja, si industria apo energjetika këtë vit paraqiten në rënie.
Sektori i tretë për nga vlera e investimeve të huaja është ai i industrisë nxjerrëse. Për 9-mujorin 2025, investimet në sektorin e industrisë nxjerrëse arritën në 134 milionë euro. Megjithatë, investimet në këtë sektor kanë pësuar rënie me 17% krahasuar me një vit më parë. Flukset në këtë sektor konsistojnë kryesisht në fitime të riinvestuara të kompanive ekzistuese në aktivitetin e nxjerrjes së naftës bruto. Një ndikim në rënien e investimeve të huaja në këtë sektor, për të dytin vit radhazi, mund të ketë pasur edhe vendimi i kompanisë Shell për ndërprerjen e operacioneve në Shqipëri.
Në rënie paraqitet gjithashtu edhe dega e industrisë përpunuese. Për 9-mujorin, investimet e huaja në këtë sektor arritën në 77 milionë euro, në ulje me 62% krahasuar me një vit më parë.
Sektori energjetik renditet i pesti për nga vlera e investimeve të huaja direkte, me 92 milionë euro për 9-mujorin 2025. Megjithatë, edhe në këtë sektor vlera e investimeve të huaja paraqitet në rënie, me 26% më pak krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Energjetika udhëhoqi rritjen e investimeve të huaja direkte në Shqipëri për vite me radhë, kryesisht falë investimit madhor në gazsjellësin TAP, por edhe projekteve të tjera, sidomos në energjinë hidrike. Në vitet e fundit, ka një rritje të interesit kryesisht në ndërtimin e parqeve fotovoltaike, që prodhojnë energji diellore.
Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, investimet e huaja direkte në 9-mujorin e parë të vitit arritën një shifër rekord prej 1.21 miliardë eurosh, niveli më i lartë historik i regjistruar ndonjëherë për këtë periudhë të vitit. Vlera e investimeve të huaja direkte deri tani këtë vit paraqitet në rritje me 4% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë./ Monitor






















