Shqipëria po teston nëse trashëgimia e saj historike mund të shndërrohet në motor ekonomik, përmes rijetëzimit të kullave tradicionale të Veriut. Nisma, që ka evoluar nga projekt pilot në program kombëtar, synon t’i japë larmishmëri turizmit përtej bregdetit dhe sezonit, duke krijuar zinxhir vlerash në zonat rurale. Modeli parashikon përdorime të ndryshme, nga bujtinat te muze dhe agroturizme duke integruar komunitetet lokale në ofertën turistike. Megjithatë, sfida të vjetra si pronësia e paqartë, infrastruktura e dobët dhe mungesa e fuqisë punëtore mbeten pengesa thelbësore. Suksesi i nismës do të varet nga balancimi i kujdesshëm mes autenticitetit dhe modernes, si dhe nga zbatimi praktik i politikave mbështetëse. Deri më tani ka 350 aplikime nga pronarët e kullave, të cilët presin një program mbështetës nga qeveria.
Në këtë cep të Europës, ku kullat moderne po ecin me shpejtësi, Shqipëria ka vendosur të eksperimentojë edhe me një ide të vjetër: se e kaluara mund të jetë aset ekonomik. Kullat e Veriut, struktura guri të shekujve XVII–XVIII, dikur simbol i identitetit dhe mikpritjes së kësaj zone, po orientohen drejt përfshirjes në një produkt turistik me vlera.
Ajo që nisi si një projekt pilot i nxitur nga partnerë zhvillimi, po shndërrohet tani në një program kombëtar, me ambicie për të lidhur trashëgiminë me rritjen e ekonomive lokale, por edhe zgjerimin e paketës turistike të vendit.
Turizmi shqiptar është rritur me ritme të shpejta, por mbetet i përqendruar në bregdet dhe sezon. Veriu, me peizazhe dramatike dhe “kapital” kulturor të fjetur, ofron një anë tjetër për të cilën ka interes. Rijetëzimi i kullave synon të krijojë një zinxhir vlerash që nis me restaurim, akomodim, përvojë dhe prodhim lokal.
Por një projekt si ky nuk mund të jetë i izoluar nga problemet që, në përgjithësi, shoqërojnë realitetin shqiptar. Pronësia e paqartë, infrastruktura e dobët dhe mungesa e fuqisë punëtore janë pengesa të njohura, të cilat edhe këtu kanë rolin e tyre kufizues. Edhe vetë akti i restaurimit ngre dilema: sa modernitet mund të zbatohet këtu pa e zhveshur nga autenticiteti?
Një kullë që sillet në formën e një hoteli, deri diku, duket sikur humbet shpirtin, por një muze që refuzon krijimin e kushteve komode humbet vizitorin. Kjo është një balancë delikate dhe kërkon qasje të kujdesshme për mënyrën se si zbatohet.
Programi premton një qasje më të strukturuar: inventarizim, digjitalizim, tipologji përdorimi dhe, nëse politika e lejon, stimuj fiskalë për pronarët privatë. Ideja është të krijohet një treg i ri, ku kullat funksionojnë si bujtina, muze, hapësira artizanale apo agroturizëm, të lidhura me operatorë lokalë.
Nëse funksionon, modeli mund të rrisë net-qëndrimet e turistëve, të shpërndajë përfitimet në mënyrë më të gjerë dhe, ndoshta, të frenojë zbrazjen e zonave rurale.
Megjithatë, si çdo program, pavarësisht dëshirës dhe ambicies për të bërë gjithçka, kapacitetet mund të mos e lejojnë maksimumin. Suksesi do të varet më pak nga retorika dhe më shumë nga detajet: rrugët që të çojnë deri te kulla, kontratat e qarta të pronësisë, trajnimi i mikpritësve dhe një kornizë fiskale që nxit investimin.
Këtë herë, Shqipëria po vë bast se historia e saj mund të shitet, por pa u shitur.
Më poshtë, një intervistë nga Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit, që është edhe institucioni përgjegjës që po udhëheq këtë program, i cili sot është në fazë studimi.
Prej disa kohësh ka nisur projekti për rijetëzimin e kullave në disa qarqe. Sa është buxheti total për këtë projekt dhe çfarë pjese mbulohet nga fondet publike kundrejt donatorëve?
Programi për Rijetëzimin e Kullave është një nismë kombëtare e qeverisë shqiptare, e cila ka nisur si një iniciativë e GIZ Shqipëri për të krijuar një ofertë turistike të qëndrueshme në zonat rurale të Veriut. Gjatë këtij procesi, kullat tradicionale u identifikuan si elemente me potencial të madh për t’u përfshirë në zinxhirin e turizmit rural dhe kulturor, duke u kthyer në atraksione të veçanta për vizitorët vendas dhe ndërkombëtarë.
Nga një projekt, kjo nismë po shndërrohet në një program të plotë qeveritar, e udhëhequr nga Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit (MTKS), në bashkëpunim me GIZ Shqipëri dhe me mbështetjen e Drejtorive Rajonale të Monumenteve të Kulturës.
Synimi është ndërthurja e trashëgimisë kulturore me turizmin rural dhe zhvillimin ekonomik lokal, duke e kthyer këtë projekt nga një nismë pilot në një program të qëndrueshëm kombëtar, të shtrirë në 4 qarqe: Lezhë, Dibër, Kukës dhe Shkodër.
Kullat, të cilat datojnë nga shekujt XVII–XVIII, përfaqësojnë një simbol të identitetit dhe mikpritjes shqiptare veriore, duke qenë njëkohësisht arkitekturë mbrojtëse, histori familjare dhe vlera shoqërore.
Potenciali i tyre është i jashtëzakonshëm për t’u shndërruar në qendra të turizmit kulturor dhe edukimit lokal, siç dëshmohet nga modeli pilot “Turi i Kullave”, i zbatuar nga GIZ dhe i financuar nga qeveria gjermane, zvicerane dhe britanike.
Aktualisht, programi ndodhet në fazë studimi, ku po punohet me një grup ekspertësh në fusha të ndryshme: arkitekturë dhe restaurim, trashëgimi kulturore, etnografi dhe tradita lokale, muzikologji, kulinari, çështje ligjore, hartografi dhe dokumentim vizual, si dhe turizëm rural.
Në përfundim të kësaj faze do të hartohet një program i plotë, i cili do të përfshijë analizën e gjendjes fizike, historike dhe funksionale të kullave, identifikimin e potencialit për restaurim e ripërdorim, inventarizimin dhe analizën ndërdisiplinore, dokumentimin dhe digjitalizimin GIS, si dhe udhëzues për ruajtje e restaurim.
Ky program do të shërbejë si bazë për vendimmarrjen e mëtejshme, duke përfshirë rekomandime për politika publike, legjislacion mbështetës, incentiva ekonomike dhe plane zhvillimi.
Cili është modeli i të ardhurave për kullat e rijetëzuara (akomodim, muze, evente)?
Modeli i të ardhurave që propozohet nga ekspertiza për kullat e rijetëzuara përfshin tipologji të ndryshme, secila me potencial të veçantë ekonomik dhe kulturor. Kulla muze gjeneron të ardhura përmes vizitorëve kulturorë, biletave të hyrjes dhe ekspozitave, duke e kthyer kullën në një qendër edukimi dhe ruajtjeje të trashëgimisë.
Kulla bujtinë ofron akomodim për turistët dhe mikpritje tradicionale, duke krijuar një përvojë autentike të jetesës në Veri të Shqipërisë. Kulla agroturizëm lidhet me eksperienca kulinare, produkte lokale dhe aktivitete bujqësore, duke e bërë turizmin një përvojë të plotë rurale.
Ndërsa kulla artizanat shërben si hapësirë për punëtori, shitje produktesh artizanale dhe organizim eventesh kulturore, duke mbështetur artizanët lokalë dhe ruajtjen e traditave. Këto tipologji jo vetëm gjenerojnë të ardhura, por edhe ruajnë identitetin lokal, duke e bërë komunitetin pjesë aktive të turizmit dhe duke kontribuar në zhvillimin e qëndrueshëm të zonave rurale.
Ekonomi që gjeneron
Modeli i të ardhurave që propozohet nga ekspertiza për kullat e rijetëzuara përfshin tipologji të ndryshme, secila me potencial të veçantë ekonomik dhe kulturor. Kulla muze gjeneron të ardhura përmes vizitorëve kulturorë, biletave të hyrjes dhe ekspozitave, duke e kthyer kullën në një qendër edukimi dhe ruajtjeje të trashëgimisë. Kulla bujtinë ofron akomodim për turistët dhe mikpritje tradicionale, duke krijuar një përvojë autentike të jetesës në Veri të Shqipërisë.
A do të ketë skema incentivuese fiskale për pronarët privatë që investojnë në restaurim?
Pritet të hartohen skema fiskale dhe mbështetje financiare për pronarët privatë që investojnë në restaurim. Këto masa janë ende në diskutim, por konsiderohen të domosdoshme për të nxitur pjesëmarrjen e pronarëve dhe për të siguruar që investimet të jenë të qëndrueshme.
Cilat janë kriteret e matshme për përzgjedhjen e kullave në Dibër, Kukës, Shkodër dhe Lezhë?
Përzgjedhja e kullave do të bazohet mbi disa kritere të matshme, si: kulla me histori të pasur dhe të dokumentuar; potenciali për t’u kthyer në shërbim të turizmit; aftësia e pronarëve për të menaxhuar tipologjinë e zgjedhur (kulla muze, kulla bujtinë, kulla agroturizëm); gjendja fizike dhe mundësia e restaurimit pa humbur autenticitetin. Këto kritere dhe disa të tjera do të sigurojnë që kullat e përzgjedhura të kenë vlerë kulturore dhe potencial ekonomik.
Çfarë nënkupton restaurimi dhe rijetëzimi dhe si auditohet respektimi i standardeve konservuese?
Restaurimi dhe rijetëzimi nënkuptojnë ruajtjen e elementeve autentike të kullës: arkitekturën, materialet tradicionale dhe funksionet historike, duke i përshtatur me standardet e shërbimit dhe komoditetit që kërkon turizmi modern. Auditimi i respektimit të standardeve do të bëhet mbi bazën e një pakti konservues, ku parimi kryesor është ndërhyrja minimale, me synim ruajtjen sa më të plotë të autenticitetit të strukturës.
Për shembull, për kullat muze do të sugjerohet që hapësirat e gatimit të mos përfshihen brenda strukturës së kullës, por të përshtaten sipas tipologjive të dikurshme, si “Shtëpia e Bukës” apo “Shtëpia e Zjarrit”, duke respektuar traditën dhe duke shmangur deformimin e arkitekturës historike.
Po kështu, edhe hapësirat për facilitete të tjera, si artizanati i veglave bujqësore apo mbajtja e bagëtive, duhet të konceptohen në harmoni me arkitekturën e kullave, në mënyrë që të ruhet autenticiteti dhe të sigurohet një integrim i qëndrueshëm mes trashëgimisë dhe funksioneve për shërbime.
Sa vizitorë shtesë vjetorë parashikohet të sjellë kjo nismë pas përmbylljes për këto rajone?
Është ende herët për të dhënë një shifër konkrete, pasi kjo varet nga numri i kullave që do të klasifikohen dhe financohen nga buxheti i vënë në dispozicion, si dhe nga tipologjitë e zgjedhura. Megjithatë, pritet që nisma të ketë ndikim të ndjeshëm në rritjen e vizitorëve kulturorë dhe ruralë.
Si do të integrohen operatorët lokalë (agroturizëm, guida malore, artizanë)? A ka një plan për këtë?
Operatorët lokalë do të jenë pjesë e itinerareve turistike dhe përfituesit kryesorë të nismës. Agroturizmi, guidat malore dhe artizanët do të lidhen drejtpërdrejt me kullat e rijetëzuara, duke krijuar një rrjet të integruar turistik që gjeneron vlerë të shtuar për komunitetin.
Cili është efekti në ekonominë lokale që pritet nga ky projekt?
Projekti pritet të gjenerojë efekte pozitive në ekonominë lokale përmes rritjes së turizmit kulturor, krijimit të vendeve të reja të punës, promovimit të produkteve tradicionale dhe nxitjes së sipërmarrjes rurale. Kjo do të ndihmojë në diversifikimin e të ardhurave dhe në ruajtjen e trashëgimisë kulturore.
Si balancohet autenticiteti arkitektonik me kërkesat moderne të sigurisë dhe komoditetit për turistët?
Ky është një diskutim i vazhdueshëm mes ekspertëve. Për kullat muze, ruajtja e autenticitetit është përparësi absolute, ndërsa për kullat agroturizëm ose bujtina, integrimi i faciliteteve moderne bëhet me kujdes, duke respektuar parimin e arkitekturës tradicionale.
Modele si “Shtëpia e Zjarrit” apo “Shtëpia e Bukës” përdoren për të ofruar komoditet pa cenuar dimensionin historik.
Çfarë trajnimesh do të ofrohen për komunitetet për menaxhimin e mikpritjes dhe mirëmbajtjen afatgjatë?
Komponenti i ngritjes së kapaciteteve njerëzore tashmë ka nisur. Vlen për t’u theksuar se për produktin “Turi i Kullave” janë iniciuar disa trajnime në zonë, në bashkëpunim me “TUI Care Foundation”.
Këto trajnime janë fokusuar në fushën e kuzhinës lokale, mikpritjes, storytelling-ut (rrëfimi i historive lokale) dhe gjuhës së huaj, kryesisht anglishtes.
Subjektet që janë pjesë e këtij turi janë certifikuar nga ky projekt për përmirësimin e standardeve të mikpritjes. Për më tepër, është bërë një punë shumë e mirë për promovimin e këtyre subjekteve.
Në bashkëpunim me GIZ, është promovuar “Turi i Kullave” përmes tureve familjarizuese me operatorët kombëtarë, si dhe është prezantuar ky produkt i ri në disa panaire kombëtare dhe ndërkombëtare, nga të cilat është parë se ky produkt turistik ka potencial të jashtëzakonshëm.
Cilat janë sfidat kryesore (pronësia, infrastruktura rrugore, mungesa e fuqisë punëtore) dhe si mund të zgjidhen ato?
Projekti përballet me disa sfida madhore që kërkojnë zgjidhje të koordinuara. Pronësia është një nga problemet më të mëdha, pasi shumë kulla kanë çështje të pazgjidhura me certifikatat e pronësisë. Deri më tani janë regjistruar rreth 350 aplikime nga pronarët e kullave, të cilët presin një program mbështetës nga qeveria.
Infrastruktura rrugore është një tjetër sfidë, pasi mungesa e aksesit cilësor në disa zona e vështirëson zhvillimin e turizmit. Mungesa e fuqisë punëtore lidhet me emigracionin dhe ul disponueshmërinë e stafit lokal për menaxhimin e aktiviteteve turistike.
Për zgjidhjen e këtyre sfidave, projekti po punon me Drejtorinë Rajonale të Kadastrës për thjeshtimin e procedurave të regjistrimit të pronësisë, duke marrë angazhimin për të adresuar këtë problem.
Ndërkohë, plane të investimeve publike dhe mbështetje nga partnerët ndërkombëtarë synojnë të përmirësojnë infrastrukturën dhe të krijojnë kushte më të favorshme për zhvillimin e turizmit kulturor dhe rural./monitor.al






















