Sociale 4 April 2026, 08:14 Nga VNA

KLSH: Luleshtrydhet me pesticide mbi normë u kthyen në Shqipëri, nuk dihet nëse u asgjësuan

Ndaje në Whatsapp

KLSH: Luleshtrydhet me pesticide mbi normë u kthyen në Shqipëri,

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit nuk ka trajtuar siç duhet një alarm të sistemit evropian për sigurinë ushqimore (RASFF) për luleshtrydhe të eksportuara nga Shqipëria me nivel të lartë pesticidi. Gjjthashtu, pasi është kthyer në Shqipëri, nuk dihet nëse produkti është asgjësuar. Këto janë disa nga gjetjet e KLSH në një raport të publikuar së fundmi.

Sipas të dhënave në vitin 2021, sistemi RASFF njoftoi se një sasi prej 10,700 kg luleshtrydhe të eksportuara nga Shqipëria në Kroaci nga kompania “A” Sh.p.k. rezultonin me përmbajtje të pesticidit Tebuconazole 0.09 mg/kg, një fungicid sistemik që sipas analizave të autoriteteve kroate ishte mbi kufijtë e lejuar të Bashkimit Evropian dhe potencialisht i dëmshëm për shëndetin e konsumatorëve. Si pasojë, produkti u refuzua në kufi dhe u kthye në Shqipëri në të njëjtën datë, 30 prill 2021.

Sipas auditimit, reagimi institucional ka qenë i vonuar dhe i paplotë nga AKU Fier me 4 ditë vonesë. Në procesverbalin e inspektimit kompania deklaroi se nuk kishte më gjendje produkti në magazinë, pasi luleshtrydhet ishin kthyer te fermerët që i kishin furnizuar.

Auditimi zbulon gjithashtu mospërputhje në dokumentacionin e analizave. Një raport laboratorik i paraqitur si provë nga inspektimi rezultoi se i përkiste një produkti tjetër: lakër sallatë dhe jo luleshtrydheve të eksportuara. Ndërkohë, sipas dokumenteve të kontrolluara, kompania kishte blerë luleshtrydhet nga fermerë të ndryshëm në Fier në disa fatura, me sasi që varionin nga 1270 kg deri në mbi 3400 kg për furnizim, por procedura e kthimit të produktit te fermerët ishte kryer pa njoftuar Autoritetin Kombëtar të Ushqimit.

Auditimi thekson se produkti i dyshuar si i pasigurt është rikthyer te fermerët pa kontrollin dhe dijeninë e autoriteteve, ndërsa nuk ka prova nëse luleshtrydhet janë asgjësuar apo janë futur sërish në treg. Po ashtu nuk ka gjurmë dokumentare për verifikimet në pikat kufitare, për bllokimin e produktit apo për procedurat e asgjësimit që kërkon legjislacioni për sigurinë ushqimore.

Në fund të inspektimit, ndaj kompanisë është vendosur vetëm një gjobë administrative prej 200,000 lekësh për shkelje të ligjit “Për ushqimin”. Sipas auditimit, ky sanksion nuk është proporcional me rrezikun e krijuar, pasi ligji parashikon edhe masa më të rënda si bllokimi i aktivitetit apo kallëzim penal, në rastet kur produktet e pasigurta mund të rrezikojnë shëndetin e konsumatorëve.

Raporti nxjerr në pah edhe një problem tjetër sistemik. Në kohën kur ndodhi rasti, Shqipëria nuk kishte një udhëzim specifik për nivelin maksimal të mbetjeve të pesticideve në luleshtrydhe. Vetëm më 10 maj 2021, Ministria e Bujqësisë miratoi një udhëzim të ri që vendoste kufirin maksimal për pesticidin Tebuconazole në 15 mg/kg, shumë më i lartë se standardi i Bashkimit Evropian dhe ai i Kroacisë, ku kufiri është 0.02 mg/kg. Diferenca mes dy standardeve arrin në 14.98 mg/kg.

Sipas auditimit, vetëm në vitin 2025 Shqipëria harmonizoi përfundimisht këtë tregues me normat e BE-së, duke vendosur të njëjtin kufi maksimal prej 0.02 mg/kg për pesticidin Tebuconazole në luleshtrydhe./ekofin.al

Video

Punojmë 8 orë në shtet…pastaj të gjithë te Spitali Amerikan

Pas përfundimit të protestës para Kryeministrisë, qytetarët kanë nisur marshimin në rrugët kryesore të Tiranës.

Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky zhvilloi takimin e tij të parë me kryeministrin e ri të Britanisë së Madhe në bordin e aeroplanmbajtëses HMS Queen Elizabeth, në bazën detare të Portsmouthit. Gjatë bisedës, kryeministri britanik rikonfirmoi mbështetjen për Ukrainën, ndërsa Zelensky ftoi kryeministrin të vizitojë vendin e tij.

Të paktën dy persona humbën jetën pasi një automjet u godit nga një sulm ajror në Deir al-Balah, në qendër të Rripit të Gazës. Sipas raportimeve, sulmi u krye nga forcat izraelite, ndërsa viktimat ishin dy zyrtarë të sigurisë së Hamasit. Ushtria izraelite konfirmoi se kishte në shënjestër një militant të Hamasit.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme