Sociale 19 Prill 2026, 10:23 Nga VNA

Qeveria e Shqipërisë së varfër, që sillet si e pasur

Ndaje në Whatsapp
Qeveria e Shqipërisë së varfër, që sillet si e pasur

Lufta në Lindjen e Mesme i gjeti të papërgatitura shumë qeveri, por jo të gjitha reaguan njësoj. Disa zgjodhën të ndajnë barrën me qytetarët. Të tjera, si Shqipëria, zgjodhën të akumulojnë të gjithë fitimin në buxhet.

Edhe shtete shumë më të pasura se ne lëvizën shpejt për të mbrojtur konsumatorin. Gjermania, ekonomia më e madhe e Europës, miratoi këtë muaj një paketë lehtësimi që ul taksën e energjisë për benzinën dhe naftën me rreth 17 euro centë për litër për dy muaj, me një kosto totale rreth 1.6 miliardë euro për buxhetin.

Qeveria gjermane kërkoi shprehimisht që kjo ulje të kalojë e plotë te konsumatori. Nëse kjo ndodh, një drejtues mjeti kursen rreth 8.5 euro për një furnizim tipik prej 50 litrash. Vetë Reuters thekson se në Berlin, debati nuk ishte nëse qytetari duhet ndihmuar, por si të garantohet që ulja të mos mbetet te kompanitë e naftës.

Ky është ndryshimi thelbësor mes një shteti që e sheh krizën si ngjarje për t’u administruar që të mos shndërrohet vetëm në barrë publike dhe një shteti që e sheh thjesht si burim të ardhurash.

Edhe në rajon, refleksi ka qenë më i shpejtë se në Shqipëri. Serbia uli akcizën e naftës me 25%. Mali i Zi e përgjysmoi akcizën për naftën dhe e uli me 25% për benzinën. Maqedonia e Veriut uli TVSH-në e karburanteve nga 18% në 10% dhe reduktoi edhe akcizat.

Kosova vendosi kufij për marzhet e fitimit. Edhe Bosnja, e ngatërruar në procedura, ka shtyrë përpara uljen ose heqjen e përkohshme të akcizës dhe pezullimin e përkohshëm të detyrimeve doganore mbi importet e naftës nga vendet e treta. Pra, pothuajse të gjithë po përpiqen t’i kthejnë diçka mbrapsht konsumatorit.

Shqipëria vazhdon t’i marrë. Sepse Shqipëria, ndonëse është ndër vendet më të varfra të Europës, me të ardhurat për frymë sa 34% e mesatares europiane, po sillet si qeveri e një vendi të pasur. Jo si një shtet që duhet të mbrojë qytetarët e vet, por si një arkëtar që numëron fitimin nga kriza.

Vetëm në mars, sipas të dhënave të doganave, buxheti arkëtoi të paktën 3.3 milionë euro më shumë vetëm nga TVSH-ja mbi naftën në doganë, ndërsa në çmimin final kjo shumë vlerësohet rreth 4.3 milionë euro. Në të njëjtën kohë, konsumatorët paguan rreth 11 milionë euro më shumë për të blerë naftë.

Me fjalë të tjera, një pjesë e mirë e barrës së krizës nuk u përthith nga shteti, por u faturua te qytetarët, ndërsa shteti mori edhe komisionin e vet. Qeveria kishte në dorë të vepronte ndryshe. Akti normativ për uljen e akcizës me 20% ekzistonte. Por u zbatua vetëm për pesë ditë. Vetëm pesë.

Më pas, Bordi i Transparencës bëri atë që di të bëjë më mirë, jo të ulë barrën, por të lëvizë metodologjinë e çmimit dhe të mbajë tregun poshtë tavanit formal prej 220 lekësh për litër, që aktivizon uljen e akcizës pa prekur thelbin e problemit. Barra fiskale mbi karburantin mbeti aty ku ishte, ndër më të lartat në rajon, ndërsa qytetarit iu la në dorë fatura.

Nuk e dimë nëse është rastësi, por vetëm kur transporti publik u bllokua pjesërisht, erdhi lëshimi i parë, subvencioni prej 50 lekësh për litër. Pra, jo si zgjedhje politike, por si reagim ndaj presionit.  Ndërkohë në kulmin e krizës së çmimeve të naftës i heqin subvencionin sektorit të bujqësisë.

Kjo është edhe pjesa më e rëndësishme moralisht. Paratë e mbledhura shtesë nga TVSH-ja nuk janë para të qeverisë. Ato nuk erdhën nga ndonjë reformë, as nga ndonjë zgjuarsi fiskale apo reduktim të informalitetit. Janë para të marra më shumë nga xhepi i qytetarëve, vetëm sepse çmimi i produktit u rrit.

Dhe kur kriza e jashtme ta fryn artificialisht arkën, gjëja minimale që pritet nga një qeveri e përgjegjshme është t’ua kthejë një pjesë taksapaguesve, qoftë përmes uljes së përkohshme të taksave, qoftë përmes mbështetjes së targetuar për transportin, fermerët dhe familjet me të ardhura të ulëta. Kjo nuk po ndodh me dëshirë. Po ndodh vetëm kur zemërimi del në rrugë.

Dhe kjo nuk është hera e parë. Në periudhën e Covid-it, Shqipëria u dallua jo për madhësinë e paketave mbështetëse, por për kursimin e tyre.

Sipas FMN-së, paketa e parë emergjente ishte 1.4% e PBB-së, ndërsa më pas, masat buxhetore të lidhura me Covid-in, duke mbetur shumë poshtë vendeve të zhvilluara europiane dhe nën mesataren e ekonomive në zhvillim dhe shteteve të tjera që arritën deri në 5% të PBB-së.

Ndërkohë, qytetarët shqiptarë nuk jetojnë në një vend të pasur. Jetojnë në një vend ku çmimet janë rritur më shpejt se në rajon sipas fuqisë blerëse, ndërsa pagat mbeten më të ulëta se te fqinjët. Kjo e bën çdo litër nafte, çdo bukë dhe çdo faturë edhe më të rëndë. Qeveria, megjithatë, vazhdon të sillet sikur problemi i vetëm është menaxhimi i perceptimit, jo lehtësimi i kostos reale të jetesës.

Në fund, ironia është pothuajse e përsosur. Në Gjermani, një shtet i pasur sillet si shtet social dhe ul taksat për të ndihmuar qytetarin. Në Shqipëri, një shtet i varfër sillet si pronar i një luksi që nuk i takon, mban të ardhurat shtesë të krizës “për vete” dhe ua lë qytetarëve faturën.

Qeveria e Shqipërisë së varfër vazhdon të injorojë situatën, ndonëse nuk e ka luksin të lërë ekonominë të vetme përballë valës së krizës. Vetëm se luksi i saj paguhet nga njerëz që janë gjithnjë e më pak në gjendje ta përballojnë./monitor.al

Video

Forcat amerikane kanë ndaluar dhe marrë nën kontroll një anije me flamur iranian pranë Ngushticës së Hormuzit, në ndërhyrjen e parë që nga nisja e bllokadës ndaj Iranit. Sipas US Central Command, marinsat zbarkuan nga ajri mbi anijen “Touska” dhe morën kontrollin e saj. Donald Trump deklaroi se anija refuzoi urdhrin për të ndaluar dhe u godit në dhomën e motorit për ta neutralizuar. SHBA pretendon se anija ishte nën sanksione për aktivitete të paligjshme. Nga ana tjetër, Irani e quajti ndërhyrjen akt piraterie dhe paralajmëroi reagim. Ngjarja vë në pikëpyetje edhe bisedimet e mundshme mes dy vendeve për zgjatjen e armëpushimit.

Tre persona u vranë të dielën në një sulm ajror amerikan ndaj një anijeje të dyshuar për trafik droge në Karaibe, bëri të ditur ushtria amerikane, duke çuar në të paktën 180 numrin e viktimave në kuadër të kësaj fushate në Paqësorin lindor dhe Detin e Karaibeve. Operacionet ushtarake kanë nisur që nga shtatori i vitit 2025 dhe, sipas autoriteteve amerikane, janë pjesë e një “lufte” kundër karteleve të drogës që veprojnë nga Amerika Latine drejt tregut të SHBA-së. Disa nga këto grupe janë cilësuar si organizata “terroriste”, ndërsa shpesh përdoret termi “narko-terroristë” për anëtarët e tyre. https://www.vna.al/bota/serish--ajror-amerikan-ne-karaibe-tre-te-vrare-ne-nje-anije-te-dyshuar--i22774

Marinsat amerikanë ndalojnë dhe marrin nën kontroll anijen me flamur iranian në Detin Arabik Forcat e Marinës së SHBA kanë ndërmarrë një operacion për ndalimin dhe marrjen nën kontroll të anijes tregtare “M/V Touska” në Detin Arabik. Sipas Komandës Qendrore të SHBA (CENTCOM), marinsat u nisën me helikopter nga anija amfibe “USS Tripoli (LHA 7)” dhe zbarkuan mbi mjetin lundrues me flamur iranian më 19 prill. Operacioni u krye pasi destrojeri “USS Spruance (DDG 111)” neutralizoi sistemin e shtytjes së anijes. Autoritetet amerikane bëjnë me dije se ndërhyrja erdhi pasi “M/V Touska” nuk iu bind paralajmërimeve të përsëritura të forcave amerikane për një periudhë prej gjashtë orësh.

Kristjan Asllani ia bën sefte në Superligën Turqisë me fanellën e Besiktasit duke shënuar golin e parë. Mesfushori shqiptar ka shënuar gol nga penalltia ndaj Samsunsporit. Asllani shënoi nga 11-metërshi në minutat e fundit, por skuadra e tij u mposht 2:1 në ndeshjen e javës së 30-të në Superligë. Ky ishte goli i parë i lojtarit ‘kuqezi’ me fanellën e klubit turk.

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive?

Bashkohuni me grupin tonë privat.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme