Sociale 21 Dhjetor 2025, 13:11 Nga VNA

Porosisni këtu ju lutem

Ndaje në Whatsapp
Porosisni këtu ju lutem

Rritja më e frikshme e eksporteve të Kinës. Vendet po mbajnë radhë për të blerë mjetet dhe teknikat e shtetit të sigurisë të Partisë Komuniste Kineze, shkruan The Economist

“U takova me njerëzit më të dashur në rrugët e Serbisë: oficerë policie kinezë”, shkruan me entuziazëm një turist kinez në një artikull të publikuar nga një prej universiteteve të policisë në vendin e tij, për patrullimet e përbashkëta me policinë serbe në Beograd. “U ndjeva kaq i lumtur, i sigurt dhe krenar”, thotë ai.

Artikulli propagandistik përputhej në mënyrë të përsosur me vizionin e Kinës për sigurinë globale: një botë ku ajo ndihmon në “ruajtjen e paqes dhe sigurisë botërore”, duke respektuar “mosndërhyrjen në punët e brendshme”, në kontrast me mënyrat perëndimore të “unilateralizmit” dhe “përballjes mes blloqeve”.

Të paktën kështu e përshkroi iniciativën, kur e nisi atë në vitin 2022, lideri suprem i Kinës, Xi Jinping, të ashtuquajturën Nismë Globale për Sigurinë (GSI).

Që prej atëherë, Kina ka zgjeruar me ritme të shpejta aktivitetin e saj të sigurisë jashtë vendit, duke u ofruar qeverive të huaja trajnim policor dhe teknologji survejimi, me fokus te stabiliteti i brendshëm.

Kina po i ndihmon qeveritë jo vetëm të luftojnë kriminalitetin, por edhe të kontrollojnë qytetarët dhe të qëndrojnë në pushtet, dhe kjo po rezulton jashtëzakonisht e pëlqyer.

GSI, ashtu si tre nismat e tjera globale të Xi (për zhvillimin, qeverisjen dhe diversitetin kulturor), është në radhë të parë një përpjekje për të ndërtuar rrjete të reja ndikimi ndërkombëtar të përqendruara rreth Kinës.

Për këtë arsye ajo ka riformatuar një forum të vogël rajonal policor në ngjarjen më të madhe ndërkombëtare të sigurisë që organizon: Forumin Global të Bashkëpunimit për Sigurinë Publike.

Delegatë nga më shumë se 120 vende mblidhen për të diskutuar bashkëpunimin në fushën e sigurisë dhe për të admiruar teknologjitë policore të Kinës, përfshirë qentë robotikë.

Vitin e kaluar, organizatorët nisën “Indeksin Global të Sigurisë Publike”, i cili rendit vendet sipas vlerësimeve dukshëm arbitrare mbi indikatorë si kriminaliteti me armë, aksidentet rrugore dhe terrorizmi.

Performuesi më i mirë ishte Kina. SHBA-ja ishte në mënyrë të qëllimshme nën mesataren. Ishte një “riformatim i standardeve se çfarë do të thotë siguri dhe si duket ajo”, si dhe një përpjekje për të përcaktuar “shembullin e duhur për t’u ndjekur”, thotë Sheena Greitens nga Universiteti i Teksasit.

Ndikimi i Kinës në fushën e sigurisë publike po përhapet edhe në forma praktike.

Eksportet e teknologjisë së survejimit janë duke u rritur me ritme të larta. Dy firma kineze, Hikvision dhe Dahua, janë prodhuesit më të mëdhenj të kamerave të survejimit në botë, me një pjesë të kombinuar tregu 40%. Huawei furnizon sistemet e survejimit “Safe City” në më shumë se 100 vende.

Një hetim i fundit i InterSecLab, platformë hetimore dixhitale, zbuloi se kompania private kineze Geedge Networks u ka shitur qeverive të Etiopisë, Kazakistanit, Mianmarit dhe Pakistanit teknologji për kontroll të internetit, duke i ndihmuar t’i censurojnë dhe spiunojnë qytetarët e tyre.

Kina ka ofruar gjithashtu gati 900 sesione trajnimi për policinë dhe forcat e sigurisë së brendshme të 138 vendeve që prej vitit 2000, sipas një studimi të ri të Greitens, Isaac Kardon dhe Cameron Waltz në Carnegie Endowment for International Peace, institut kërkimor amerikan.

Numri vjetor i sesioneve është rritur gati dhjetëfish në dekadën e parë të qeverisjes së Xi, nga 14 në vitin 2010 në 138 në vitin 2019 (shih grafikun).

Ato ranë gjatë pandemisë së Covid-it dhe ende nuk janë rikthyer plotësisht në nivelet e mëparshme.

Shumica e programeve të trajnimit zhvillohen në akademi policie brenda Kinës, të cilat zakonisht presin grupe prej disa dhjetëra personash për disa javë ose muaj.

Ata mësojnë rreth sistemit të zbatimit të ligjit në Kinë, bëjnë vizita në zyrat lokale të sigurisë publike dhe ndjekin kurse mbi tema të specializuara si kontrolli kufitar apo siguria hekurudhore.

Shpesh fotografitë tregojnë drejtuesit e kursit duke u dhënë trajnerëve kopje të librit të Xi “Qeverisja e Kinës”. Ndonjëherë bëjnë edhe tai chi ose kaligrafi. Policia kineze gjithashtu vendoset në patrullime jashtë vendit me policitë e huaja.

Këtë vit një grup këshilltarësh kinezë shkoi në Ishujt Solomon për të promovuar “Modelin Fengqiao”, një sistem që daton që nga koha e Maos, ku fshatarët spiunonin njëri-tjetrin.

Vendet që marrin më shumë trajnim policor nga Kina janë fqinjët e saj, veçanërisht ato në Azinë Qendrore dhe Juglindore (shih hartën). Disa bashkëpunime datojnë me dekada, për shkak të shqetësimeve për sigurinë kufitare.

Azia Qendrore bën më shumë trajnim për antiterrorizmin, ndërsa Azia Juglindore bashkëpunon me Kinën për luftën kundër mashtrimeve dhe trafikimit.

Vendet e Afrikës janë gjithashtu pjesëmarrës të mëdhenj, ndoshta sepse Kina është e shqetësuar për mbrojtjen e investimeve të saj të mëdha të nismës Belt and Road në kontinent.

Më intriguese janë llojet e regjimeve me të cilat po punon Kina. Economist Intelligence Unit zbuloi se 82% e regjimeve autoritare kanë marrë trajnim policor nga Kina (shih grafikun).

Pothuajse një e treta e demokracive të plota kanë pasur gjithashtu trajnim policor kinez, megjithëse studiuesit e Carnegie thonë se ky bashkëpunim priret të jetë relativisht sipërfaqësor, si për shembull mësimi i gjuhës kineze për oficerët europianë për t’i ndihmuar ata të komunikojnë me homologët e tyre kinezë.

Shumica e trajnimeve të policisë kineze mësojnë aftësi të përgjithshme, si lufta kundër krimit kibernetik ose kundër narkotikëve.

Kjo nuk është shumë e ndryshme nga trajnimi që ofron SHBA-ja për policitë e huaja përmes Akademive të saj Ndërkombëtare të Zbatimit të Ligjit në Botsvana, El Salvador, Ganë, Hungari dhe Tajlandë.

Këto kanë diplomuar më shumë se 70,000 pjesëmarrës nga 100 vende që nga viti 1995.

Dallimi është se ndihma amerikane synon gjithashtu promovimin e demokracisë dhe nuk u jepet abuzuesve të të drejtave të njeriut. (Megjithëse këto ligje nuk janë zbatuar gjithmonë, dhe programet për promovimin e demokracisë u shkurtuan nën administratën Trump.)

Kina, megjithatë, thotë se ndihma e saj nuk ka kushte. Kjo e ka bërë atë popullore te regjimet autoritare, demokracitë e pjesshme dhe regjimet hibride, të cilat kanë institucione të dobëta politike dhe zgjedhje problematike.

Tre të katërtat e demokracive të pjesshme dhe 86% e regjimeve hibride kanë marrë trajnim policor nga Kina.

Kjo nuk do të thotë domosdoshmërisht që Kina u mëson atyre të bëhen autoritare, megjithëse disa kurse adresojnë drejtpërdrejt sigurinë e regjimit, si mbrojtja e VIP-ave dhe kontrolli i trazirave. Shumica e studentëve të regjistruar në këto kurse janë oficerë policie nga regjime autoritare si Republika e Afrikës Qendrore, Mianmari dhe Guinea.

Megjithëse Kina pretendon se ndihma nuk është kushtëzuese, në realitet pritet që përfituesit të mbështesin pretendimet e saj territoriale mbi Tajvanin dhe territore të tjera.

A e bën angazhimi i sigurisë së Kinës qeveritë të sillen në mënyrë më autoritare? Varet nga prirjet e tyre. Një studim i fundit nga Erin Carter dhe Brett Carter në Universitetin e Kalifornisë Jugore zbulon se importet e teknologjisë së Huawei rrisin represionin dixhital në vendet autokratike, por nuk kanë efekt në vendet demokratike.

Kina po “ofron një të mirë publike duke krijuar njëkohësisht kapacitete potenciale represive”, thotë Greitens. Trajnimet dhe teknologjia e saj po plotësojnë nevoja të vërteta të shumë vendeve, dhe ato që kanë sisteme të forta ligjore dhe shoqëri civile të zhvilluara mund t’i përdorin këto mjete pa u zhvendosur drejt autoritarizmit.

Për qeveritë që priren drejt autoritarizmit, Kina është një lehtësim dhe një frymëzim. Kazakistani, për shembull, pas trazirave civile në vitin 2022, mbuloi rrugët e qytetit më të madh, Almaty, me mijëra kamera të prodhuara nga Kina, thotë Dana Malikova, eksperte kazake për të drejtat dixhitale.

Agjencitë e tij të sigurisë mund të jenë duke mësuar nga sistemet kineze të përdorura në Xinjiang, të cilat përdorin inteligjencën artificiale për të identifikuar dhe vendosur kufizime shtesë ndaj individëve të konsideruar potencialisht problematikë, edhe nëse nuk kanë kryer krime.

Në qershor, një aktivist kundër korrupsionit, Sanzhar Bokayev, u ndalua në aeroportin e Almaty pasi fytyra e tij ndezi një alarm në një bazë të dhënash policore për “personat e kërkuar”.

Mbështetja e Kinës për sigurinë nuk e bën domosdoshmërisht vendin më të qëndrueshëm. Etiopia është bërë më e monitoruar dhe më represive me ndihmën e Kinës, e cila ka trajnuar forcat e saj të sigurisë dhe kompanitë e së cilës kanë ofruar sisteme survejimi dhe censurimi të internetit.

Megjithatë, ajo sot qëndron buzë kaosit, me kryengritje që shpërthejnë në dy rajonet e saj më të populluara, tensione etnike gjithnjë e më të rënda dhe kërcënimin e një lufte të re me Eritrenë. Kjo është larg vizionit të paqes dhe stabilitetit që përshkruan GSI e Xi.

Paketa “bëje vetë” e shtypjes

Pjesa më “e zgjuar” e ndihmës së sigurisë së Kinës është mënyra se si ajo ka arritur t’u japë fuqi regjimeve autoritare pa promovuar haptazi autoritarizmin. Ajo paraqitet thjesht si ofruese mjetesh që qeveritë kliente mund t’i përdorin si të duan.

Në Serbi, shembja e një çatie stacioni hekurudhor të ndërtuar nga Kina, që vrau 16 persona në nëntor të vitit të kaluar, nxiti protesta masive që kanë tundur vendin për gati një vit.

Studentët protestues janë të indinjuar me BE-në që nuk mbështeti kauzën e tyre. (“BE-ja nuk bën asnjë kritikë për gjendjen e demokracisë në Serbi”, tha njëri prej tyre.) Megjithatë, 81% e serbëve e shohin Kinën pozitivisht, edhe pse ajo trajnon policinë e tyre dhe ka ofruar pajisjet e spiunazhit që aktivistët besojnë se përdoren për të shënjestruar protestuesit.

Në njëfarë mënyre kjo lidhet me faktin se Kina nuk pretendon të përfaqësojë një sistem të caktuar vlerash politike, siç bëjnë vendet perëndimore, dhe ajo është përmbajtur nga komentet për trazirat e brendshme të Serbisë.

Diplomacia e sigurisë së Kinës, pa vlera të deklaruara, është e vështirë për t’u sfiduar. Kjo shihet më qartë në Ishujt e Paqësorit.

Që kur kanë pranuar trajnim nga Kina, forcat policore në vende si Ishujt Solomon janë zhvendosur drejt një kulture të mbrojtjes së shtetit, në vend të popullit, thotë Mihai Sora nga Lowy Institute, institut australian.

Australia mund të konkurrojë vetëm duke hyrë në “garë dhuratash”, sipas Sorës: duke u ofruar policive lokale më shumë pajisje dhe ndihmë sesa Kina, me më pak kushte.

Kohët e fundit, qeveria e Ishujve Solomon ka filluar të flasë për krijimin e forcave të saj të armatosura, gjë që “askush nuk mendon se është ide e mirë”, por Australia mund të ndjehet e detyruar ta mbështesë, që të mos kërkojnë ndihmë nga Kina, thotë ai.

Kina u ofron fuqive të mesme mundësinë për të marrë njëkohësisht mbështetjen e Kinës për sigurinë e brendshme dhe asistencën e SHBA-së për mbrojtjen. Këtë e bëjnë vende si Vietnami dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.

Bota mund të jetë duke u zhvendosur drejt një “territori të pashkelur”, ku “dy lloje të ndryshme asistence sigurie mbivendosen, por drejtohen nga aktorë të ndryshëm”, thotë Greitens. Do të ishte një botë më transaksionale dhe më cinike, ku shtetet janë më të forta, por qytetarët më të dobët./Monitor

Video

Porti i Vlorës po përjeton rritje të ndjeshme të fluksit të pasagjerëve në kuadër të lëvizjeve të fundvitit. Mëngjesin e së dielës kanë mbërritur 692 pasagjerë dhe 147 automjete me tragetin Brindisi–Vlorë, ndërsa një ditë më parë janë regjistruar rreth 300 pasagjerë. Autoritetet parashikojnë kulmin e fluksit më 23–24 dhe 26–29 dhjetor. Strukturat portuale janë angazhuar për të garantuar përpunim normal dhe shmangien e vonesave.

Dhjetëra tonë patate kanë ndotur rrugët e Brukselit pasi fermerët evropianë organizuan një protestë kundër rritjes së kostove, çmimeve të ulëta dhe politikave të BE-së. Pasojat e befasishme kanë kthyer qendrën e qytetit në një simbol të zemërimit rural dhe presionit ekonomik. Por teksa fermerët kanë hedhur patatet në tokë në shenjë protestë, qytetarë të shumtë kanë rendur në shesh për të mbledhur për gatim.

Kthimi i emigrantëve që punojnë dhe jetojnë në Greqi, për festat e fundvitit në Shqipëri ka krijuar radhë kilometrike në pikën kufitare të Kakavijës, në anën greke. Radha nga sporteli në pjesën greke të Kakavijës e deri në pjesën shqiptare është 4 kilometra. Emigrantët presin deri në 3 orë për të hyrë në Shqipëri. Policia kufitare greke punon me 2 sportele, të pamjaftueshme për të përballuar fluksin e kthimit të emigrantëve në atdhe për festa.

Aktivisti Andi Tepelena ka denoncuar projektimin e emisionit Big Brother në faqen ballore të Universitetit Politeknik në Tiranë. Në një status në Facebook ai shkruan se " Në fasadën e tempullit të arsimit projektohet imazhi i emisionit te një televizioni privat komerçial. Universiteti Publik i Tiranës që duhet të imazhet e "Vëllait të Madh". E gjithë rinia sytë nga modeli i Big Brother, si dikur nga 2-shi i Jugosllavit. Vizioni i tmerrshëm i 1984-s të George Orwell-it depërton deri tek Universiteti i Tiranës që në vend të kontribojë ne edukimin e një brezi me mendim kritik, përgatit skllevërit e ardhshëm të sistemit"-shkruan ndër të tjera Tepelena. Videocredits: Andi Tepelena

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive?

Bashkohuni me grupin tonë privat.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme