Sociale 20 Dhjetor 2025, 14:59 Nga VNA

Ngrohja që u premtua me gazifikimin e Korçës

Ndaje në Whatsapp

Ngrohja që u premtua me gazifikimin e Korçës

U premtua gaz natyror, por Korça vazhdon të ngrohet me dru. Dy vite pas fushatës elektorale dhe “lajmit fantastik” për gazifikimin, Faktoje.al gjeti në terren tym, soba druri dhe qytetarë që nuk dinë asgjë për ecurinë e projektit. Dokumentet tregojnë vonesa, kosto të larta për banorët dhe afate të shtyra deri në 2027.

Pak ditë para se korçarët t’i drejtoheshin kutive të votimit, kryebashkiaku socialist Sotiraq Filo, në kërkim të mandatit të tretë, premtoi zgjidhjen përfundimtare të problemit të ngrohjes përmes gazifikimit të qytetit. Një “lajm fantastik”, siç e quajti ai vetë, i shoqëruar me garancinë politike të kryeministrit Edi Rama.

“Lajmi fantastik i zgjidhjes përfundimtare të problemit të ngrohjes për Korçën përmes projektit të madh të GAZIFIKIMIT jo rastësisht ishte sot në fjalën e kryeministrit Rama në takimin e tij në Korçë me mijëra vajza e gra!”, premtoi Filo.

Ngrohja që u premtua me gazifikimin e Korçës

Në fushatë, korçarëve ju premtua gaz natyror në çdo shtëpi, fund i druve të zjarrit, ajër më i pastër dhe kosto më të ulëta. Kryeministri Edi Rama dhe ministrja Belinda Balluku prezantuan publikisht projektin, ndërsa Rama shkoi edhe më tej, duke folur për “hapjen e çelësit të gazit” dhe duke hedhur si afat fundin e vitit 2026. 

Por dy vite më vonë premtimet janë larg realitetit. Faktoje udhëtoi drejt juglindjes në muajin tetor.  

Ngrohja që u premtua me gazifikimin e Korçës

Edhe këtë vit, ngrohja në qytet vazhdonte me dru. Banorët e qendrës dhe të lagjeve përreth nuk kishin asnjë dijeni për ecurinë e projektit të gazifikimit, as për afate dhe as për hapa konkretë. Ajo që dinin me siguri ishte i ftohti i mbrëmjeve të tetorit dhe sobat që duhej të ndizeshin herët. 

“Kemi nisur t’i ndezim stofat që para një muaji, se bën ftohtë në darkë”, na tregoi një banor.  

Tymi ndihej kudo. Oxhaqet lëshonin shtellunga të dendura që mbulonin rrugët dhe oborret, duke e kthyer ajrin e Korçës në një përzierje të rëndë druri të djegur, si dëshmi se premtimi i ngrohjes moderne mbetej ende larg realitetit.

Ngrohja që u premtua me gazifikimin e Korçës

Ngrohja që u premtua me gazifikimin e Korçës

Një metër kub dru këtë vit shkonte në 55 mijë lekë të vjetra. 

“Mua më duhen deri në 15 metër”, pohoi një pensioniste, duke bërë llogaritë e dimrit që ende s’kishte hyrë mirë. 

Shkelje afatesh

Në nëntor 2024, qeveria njoftoi nga Azerbajxhani nënshkrimin e një Memorandumi Mirëkuptimi me kompaninë shtetërore SOCAR dhe Albgaz-in, duke e paraqitur gazifikimin e Korçës si gur themeli të zhvillimit të sektorit të gazit në Shqipëri. 

Edhe Filo, në intervista publike, fliste për zbatim të shpejtë dhe për rezultate të dukshme “brenda dy viteve”.

Një vit më vonë, një përgjigje zyrtare nga Bashkia Korçë tregon se projekti ndodhet ende në fazën e parafizibilitetit. 

“Studimi nga SOCAR ka përfunduar, por pritet ende marrëveshja mes qeverisë shqiptare dhe asaj azerbajxhanase”, tha për Faktoje.al Bashkia e Korçës.

Pa këtë hap, nuk ka afate konkrete dhe as punime në terren.

Kosto e gazifikimit

Ndërkohë, plani 10-vjeçar i investimeve të Albgaz-it parashikon nisjen e projektit në vitin 2025 dhe dorëzimin në 2027. Pra, më vonë se afatet optimiste të përmendura në fushatë dhe, si zakonisht, me rrezikun e shtyrjeve të mëtejshme.

Sipas skenarit bazë, kostoja totale e gazifikimit të Korçës është rreth 20.8 milionë euro. Prej tyre, 13.3 milionë euro pritet të investohen nga vetë rezidentët, ndërsa bashkia parashikon rreth 7 milionë euro për zëvendësimin e burimeve aktuale të ngrohjes dhe instalacionet përkatëse. Me fjalë të tjera, barra kryesore financiare bie mbi qytetarët që sot mezi përballojnë drutë e dimrit.

Projekti parashikon një rrjet të gjerë tubacionesh dhe stacionesh, si dhe furnizimin me gaz të rreth 6 mijë banesave dhe 30 institucioneve. Por edhe këtu ka një kusht kritik, bashkia duhet të sigurojë buxhet për instalimet e brendshme të gazit në shkolla, kopshte, muze dhe zyra publike. 

“Është kritike për suksesin e projektit që Bashkia të sigurojë buxhet për ndërtimin e instalimeve të brendshme të gazit për institucionet nën drejtimin e tij (shkolla, kopshte, muze, zyra publike), si këto, së bashku me industriale kompanitë, do të përbëjnë konsumatorët ankorues rreth të cilëve do të ndërtohen tubacionet kryesore”, thekson plani. 

Përfundim

Gazifikimi i Korçës është listuar si projekt prioritar në zonën e juglindjes. Në letër, gjithçka duket premtuese. Në terren, oxhaqet vazhdojnë të nxjerrin tym, pensionistët numërojnë metrat e druve dhe dimri vjen çdo vit, pa pritur memorandume.

Deri sa gazi të mbërrijë realisht në shtëpitë e korçarëve, “lajmi fantastik” mbetet një premtim elektoral, ndërsa ngrohja vazhdon të matet me dru, tym dhe fatura që rriten.

Nisur nga informacionet e mbledhura dhe verifikimi në terren, premtimin e kryebashkiakut Sotiraq Filo për zgjidhjen përfundimtare të problemit të ngrohjes përmes gazifikimit të qytetit, e kategorizojmë të pambajtur./Faktoje.al/

Video

Forcat amerikane kanë nisur operacionin “Syri i Skifterit” në Siri për të eliminuar luftëtarët e ISIS-it, infrastrukturën dhe depot e armëve, si përgjigje e drejtpërdrejtë ndaj sulmit kundër forcave amerikane më 13 dhjetor. Këtë e ka konfirmuar Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, duke bërë të ditur se operacioni ushtarak vjen pas një sulmi në Palmira ku humbën jetën dy ushtarë amerikanë. Sipas Komandës Qendrore të SHBA-së, ushtria amerikane ka goditur mbi 70 objektiva në disa zona të Sirisë qendrore, duke përdorur avionë luftarakë, helikopterë dhe artileri. Janë përdorur mbi 100 municione të drejtuara me saktësi kundër pozicioneve të ISIS-it. Presidenti amerikan deklaroi se SHBA po ndërmerr një kundërpërgjigje shumë të fortë ndaj terroristëve, duke goditur bazat e ISIS-it në Siri. Ai theksoi se Siria ka një të ardhme më të mirë vetëm nëse ISIS shkatërrohet plotësisht dhe paralajmëroi se çdo kërcënim apo sulm ndaj amerikanëve do të marrë një përgjigje edhe më të ashpër.

Gjatë protestës së zhvilluar mesditën e së shtunës përballë Kryeministrisë nga partia Shqipëria Bëhet, janë shënuar përplasje mes protestuesve dhe forcave të rendit. Sipas aktivistëve të partisë, incidentet nisën kur policia tentoi të heqë foninë dhe podiumin e ngritur për fjalimet e protestës.

Këto janë pamjet e përleshjes fizike mes nxënësve në Shkodër. Ngjarja ka ndodhur të premten, kur disa nxënës nga zona e Vau Dejës, pas përfundimit të mësimit, kishin lënë takim për të “sqaruar” konfliktet mes tyre. Ata u takuan pranë vendqëndrimit të furgonëve, me të cilët udhëtojnë çdo ditë drejt shkollës dhe në kthim, nisën të godisnin njëri-tjetrin me grushte e shkelma. Në pamje shihen dy grupe adoleshentësh që fillimisht përplasen me grushte ndërsa dy prej tyre i shtrijnë në tokë, por situata përshkallëzohet dhe njëri prej tyre shihet duke mbajtur në dorë një thikë. Fatmirësisht, nga ky konflikt nuk ka persona të plagosur.

Aktivistët e lëvizjes “Shqipëria Bëhet” kanë nisur sot një protestë para Kryeministrisë, duke kërkuar dorëheqjen e qeverisë. Pak minuta pas nisjes së tubimit, protestuesit janë përleshur me policinë. Me thirrjet “Edi Rama o hajdut”, ata denoncuan situatën e rëndë sociale dhe ekonomike, si dhe aferat korruptive të qeverisë, duke kërkuar largimin e menjëhershëm të kryeministrit. https://www.vna.al/politika/nis-protesta-para-kryeministrise-e-shqiperia-behet-aktivistet-kerkojne--i18099

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive?

Bashkohuni me grupin tonë privat.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme