
Në oborrin e Katedrales së Shën Palit në Tiranë, mbrëmjen e së hënës në prag të Krishtlindjes, pak besimtarë katolikë mblidhen për meshën e pasdites. Pranë hyrjes, një instalacion i thjeshtë me dru dhe kashtë rikrijon në miniaturë skenën e lindjes së Krishtit, një kujtesë e qetë e një historie të përsëritur brez pas brezi.
Mes tyre është Prena Frroku, 63 vjeçe, e cila nuk mungon asnjë ditë në meshë. Ajo u rrit mes ritualeve fetare që prindërit i ruanin me fanatizëm, fillimisht në Spaç të Mirditës, ku lindi, e më pas në Shënkoll të Lezhës, ku kaloi rininë.
“Në shtëpi e kishim kryqin dhe figurat e Zojës,” kujton Prena, me zërin që i dridhet. “Baba i ruante në një kuti që të mos i shihnim ne dhe i nxirrte vetëm për festat e bashkë me nanën luteshin pranë votrës.”
Në familjen Prenës, vigjilja e Krishtlindjeve niste me ritualin e Buzmit – një zakon i lashtë pagan, që shënonte fillimin e një jete të re përmes djegies në vatër të druve nga pemë të ndryshme dhe që, me kalimin e kohës, u ndërthur me kremtimin e lindjes së Krishtit.
Më pas, e ëma shtronte sofrën me çfarë kishte më të mirën – zakonisht një ëmbëlsirë dhe byrek me kungull e arra. I ati ulej në gjunjë pranë një qiriu të ndezur dhe lutej, me rruzaren në dorë dhe ikonën e Shën Mërisë përpara.
“Isha e vogël dhe nuk kuptoja,” shton ajo, “por kur na pyesnin në shkollë nuk tregonim, sepse e dija se nëse festonim festat fetare, prindërit tanë mund të dënoheshin me burg.”
Në familjen e Prenës, Krishtlindjet janë festuar gjithmonë. Për 33-vjet, gjatë regjimit komunist larg syve të të tjerëve.
“Me frikë,” kujton ajo, duke sjellë ndër mend mbrëmjet e Kërshëndellave – siç quhet festa në Veri, të shënuara nga varfëria dhe ankthi i ndëshkimit në një pushtet që e kishte nxjerrë jashtë ligjit besimin fetar.
Vendi i parë ateist në botë

Feja e krishterë në Shqipëri besohet se daton që në shekullin e parë pas Krishtit, ndërsa dokumenti më i hershëm i shkruar në gjuhën shqipe është një vepër liturgjike, Meshari i Gjon Buzukut, i botuar në vitin 1555, në një kohë kur trojet shqiptare ndodheshin nën sundimin e Perandorisë Osmane.
Edhe pse gjatë shekujve të pushtimit osman feja islame u bë besimi mbizotërues, disa zona arritën të ruajnë besimin katolik, kryesisht në veri të vendit – në Mirditë, Shkodër, Dukagjin, Mat, Lurë dhe Malësi të Madhe.
Këto rite, të ruajtura prej shekujsh, u vunë në shënjestër për t’u fshirë përmes terrorit dhe frikës nga regjimi totalitar komunist i drejtuar nga Enver Hoxha, i cili u vendos në Shqipëri pas Luftës së Dytë Botërore. Që në vitet e para, regjimi sulmoi ashpër Kishën Katolike, duke burgosur, torturuar dhe pushkatuar dhjetëra priftërinj.
Të dhënat tregojnë se gjatë gjithë periudhës së diktaturës, 58 priftërinj u pushkatuan ose vdiqën nën tortura në hetuesitë e ish-Sigurimit të Shtetit, ndërsa mbi 160 të tjerë u burgosën, u internuan ose u persekutuan. Në vitin 2016, Vatikani nisi procesin e lumturimit të 38 martirëve të Kishës Katolike, të vrarë nga regjimi komunist, shumica e të cilëve ende pa varr.
Meshën në Katedralen e Shën Palit e mbajti At Konradi, një prift belg që e ushtron detyrën e tij në Shqipëri që prej vitit 1993.
“Isha në Gjermani ku jam shuguruar prift kur dëgjova për herë të parë për priftërinjtë shqiptarë të vrarë nga komunizmi, kjo ishte arsyeja që erdha këtu”, thotë ai me një shqipe të pastër.
Një politikë e ngjashme represive u ndoq edhe ndaj besimeve të tjera fetare. Dhjetëra klerikë myslimanë, ortodoksë dhe bektashinj u burgosën dhe u persekutuan.
Propaganda komuniste ishte antifetare që në fillimet e diktaturës, por ajo arriti kulmin në vitin 1967, pas një fjalimi të Enver Hoxhës në shkurt të atij viti dhe vendimit për mbylljen e kishave dhe xhamive në nëntor. Ky vendim çoi në shembjen e mijëra objekteve të kultit ose në kthimin e tyre në institucione me funksione kulturore dhe argëtuese.
Shqipëria u shpall shteti i parë ateist në botë kur në Kushtetutën e vitit 1976 u sanksionua se “Shteti nuk njeh asnjë fe dhe përkrah e zhvillon propagandën ateiste për të rrënjosur te njerëzit botëkuptimin materialist shkencor” dhe një vit më vonë në Kodin Penal propaganda fetare dënohej me burg nga 3 deri në 10 vjet.
Prena ishte ende fëmijë kur e gjithë kjo ndodhi, por e kujton me krenari një akt që babai i saj, Ndue, kreu natën e Krishtlindjeve të atij viti të mbrapshtë, kur Krishti ishte shpallur “armik” nga pushteti komunist.
“Ka dalë nga miniera në orën 12 të natës e shkoi mori kambanën e kishës që e kishin hequr komunistët dhe i ra disa herë; njerëzit nëpër shpia u çuen në kambë tu lëvdu Krishtin”, tregon Prena, duke rikujtuar historinë që ia ka treguar i ati dhe diskutohet në fshatin ku ka lindur ende sot.
Një tjetër kujtim që e lidh me Krishtlindjet është rrugëtimi nëpër natë me prindërit dhe një motër të sëmurë për të shkuar tek Kisha e Shën Ndout – Shën Antoni i Padovës – një vend i shenjtë për besimtarët e krishterë, e cila u shkatërrua gjatë komunizmit.
“Natën ecnim nëpër përrua e nëpër male për të dalë në Shëna Ndu’, ku bashim uratë, lenim diçka te gurët – se s’ka qënë ndërtu kisha”, kujton Prena.
Edhe pse e lidhur fort me besimin katolik, meshën në kishë Prena e përjetoi për herë të parë vetëm në dhjetor të vitit 1990.
“Një ditë që nuk marr pjesë në meshë s’marr kurbin e Krishtit më duket se më mungon gjithçka, është ushqimi shpirtëror”, thotë ajo me buzëqeshje.
“Natë e qetë” në ferr

Pak metra mbi rrugën nacionale pranë Tepelenës, rrënojat e ish-kazermave të ushtrisë italiane të Luftës së Dytë Botërore rrethojnë dhjetëra qiparisa të mbjellë vitet e fundit. Pemët përkujtojnë fëmijët që humbën jetën nga sëmundjet dhe kequshqyerja në këtë vend, i cili shërbeu si kamp internimi për mijëra familje të shpallura kundërshtare të regjimit komunist gjatë viteve 1949–1954 dhe që nga të mbijetuarit është përshkruar si “ferri mbi tokë”.
Megjithatë, edhe në këtë cep të errët të regjimit komunist, në mesnatën e Krishtlindjeve të vitit 1953, tingujt e “Stille Nacht” (Natë e qetë!) – himnit të Krishtlindjes, krijuar nga një meshtar austriak dy shekuj më parë, erdhën me erën e ftohtë të dimrit nga një trombë që luante diku afër kampit.
Gjosho Vasija u internua në këtë kamp famëkeq në moshën 18-vjeçare, si ndëshkim për arratisjen e vëllait të tij nga vendi. Vasija, i cili nuk jeton më, shkruan në kujtimet e tij se ata tinguj hyjnorë vinin nga tromba e Gaspër Çurçisë, një artist shkodran virtuoz, instrumentist dhe dirigjent i Orkestrës së Radio Televizionit Shqiptar.
Besohet se Çurçija ishte në një turne me orkestrën, rrugës për në Gjirokastër, kur vendosi të ndalonte pranë kampit, ku ai e dinte se kishte shumë familje shkodrane të internuara, për t’u dhuruar pak “dritë” në qetësinë e pazakontë të natës, në kazermat ku mbizotëronte frika nga vdekja.
“Baba na tregonte se kur dëgjoi tingujt e trombës së Gaspër Çurçisë, pati një ngazëllim në kamp; filluan të këndonin të gjithë të internuarit,” tregon Angjela Vasija, vajza e tij, e cila është rritur duke e dëgjuar këtë histori nga babai i saj, që pati një karrierë të shkëlqyer si aktor humori.
Angjela kujton se babai e rrëfente shpesh këtë histori, në çdo festë dhe në çdo ambient ku ndodhej, pasi ajo natë kishte shënjuar jetën e tij për shkak të aktit të humanizmit që përfaqësonte gjesti i Çurçisë.
“Nuk e di nëse baba u takua me Gaspërin pasi doli nga internimi, por e di që ai moment ishte shumë i rëndësishëm për të,” thotë ajo në një bisedë me video nga Italia, ku jeton prej 35 vitesh.
Gaspër Çurçija u pushkatua në vitin 1985, bashkë me Shkëlzen Doçin dhe Gjon Jakun, pas një gjyqi të montuar me akuza për falsifikimin e disa biletave treni.
Djali i tij, Alfred Çurçija, ishte vetëm 19 vjeç dhe nuk pati kurrë mundësinë ta dëgjonte nga goja e të atit historinë e asaj melodie që hodhi një tis shprese në terrin e kampit të Tepelenës. Ai tregon në një bisedë telefonike se është ndier shumë krenar për të atin, kur e ka mësuar historinë nga Gjosho Vasija.
“Muzika e Krishtlindjeve më ngjall kujtime të hidhura për humbjen e tij para kohe dhe pa faj, por më jep edhe një ndjenjë krenarie kur mendoj se babai, me tingujt e tij, ka dashur t’u japë shpresë atyre njerëzve në atë mjerim,” thotë Alfredi.
Në familjen Vasija, kujtimi i atyre tingujve është mbajtur gjallë së bashku me besimin. Angjela kujton se nata e Krishtlindjes ishte një natë e veçantë, kur gjyshja nxirrte kryqin e fshehur dhe u bënte me gisht shenjën e kryqit në ballë fëmijëve.
“E festonim me frikë, se kishte spiunë gjithkund, dhe gjyshja na thoshte: kur të shkoni në shkollë, tash po e shajnë Krishtin, po ju rrini urtë.”/BIRN/






















