Politika 25 Dhjetor 2025, 10:07 Nga VNA

Presioni i Edi Ramës mbi Gjykatën Kushtetuese dhe akuzat pa emra për anëtarët nga Sali Berisha

Ndaje në Whatsapp

Presioni i Edi Ramës mbi Gjykatën Kushtetuese dhe akuzat pa emra

“Vetëm dje, dy gjyqtarë, skllevër, gjyqtarë, të Gjykatës Kushtetuese, u deklaronin miqve të tyre se: e kuptojmë që Edi Rama ka marrë fund, por sërish na kërkohet që më datën 18 të votojmë në favor të tij. Kjo është e vërteta. I dini ju, lexoni librin, i gjeni kush janë. Kjo është e vërteta. Ndaj edhe nuk kam asnjë lloj mëdyshjeje që ai nuk do ta heqë imunitetin, sepse sapo të heqë imunitetin e parë, do të detyrohet të heqë të dytin, të vetin, dhe këtë ai nuk e bën. Nuk e bën. Atëherë populli opozitar do të flasë me gjuhën e tij më të bukur: gjuhën e luftës për liri dhe dinjitet.”

Kjo ishte deklarata e djeshme e Sali Berishës dhe, pavarësisht kësaj, ajo që është deklaruar është jashtëzakonisht e rëndë, si në planin politik, ashtu edhe në planin juridik. Përveç lajthitjes për datën 18 (me shumë gjasë bëhet fjalë për datën 22 janar, ditën kur është lënë gjykimi në Gjykatën Kushtetuese për kërkesën e Edi Ramës mbi çështjen Balluku), pjesa tjetër përbën qartësisht informacion për një vepër penale që është ose po konsumohet në institucionin më të lartë të drejtësisë në vend.

Kjo nuk është një dalje emocionale, as një hiperbolë e momentit. Berisha jep të dhëna të strukturuara: presioni është ushtruar “dje”, më 23 dhjetor; është bërë në mënyrë të pavarur ndaj secilit gjyqtar; objekt i presionit është një vendimmarrje në favor të Edi Ramës, palë në proces; dhe gjyqtarët janë burra. Nga katër burrat në përbërjen e Gjykatës Kushtetuese, dy kanë votuar kundër Ramës (Ilir Toska dhe Asim Vokshi). Kështu, aludimi bie mbi dy të tjerë, Sandër Beci dhe Genti Ibrahimi, të cilët, siç gjithë Shqipëria e di, kanë votuar pro kërkesës së Ramës edhe dy javë më parë.

Kjo tablo përforcohet nga deklarata, e dy ditëve më parë në një emision televiziv, e kryetarit të grupit parlamentar të PD-së, Gazmend Bardhi, i cili pranoi publikisht se një gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese ka kërkuar rivotim pasi “e rimendoi” qëndrimin, për shkak të një presioni të paprecedentë. Bardhi madje pohon se këtë presion e ka denoncuar edhe tek ndërkombëtarët.

“Zoti Berisha ka vlerësuar guximin e prokurorëve për disa çështje. Berisha foli për Gjykatën Kushtetuese, sepse ajo që vendosi ishte e paprecedentë: ka pezulluar vendimin e GJKKO-së. Votimi atje doli 4 me 4, pra në favor të SPAK-ut për pezullimin nga detyra. Por një nga gjyqtarët ka thënë ‘ta rihedhim edhe njëherë në votim sepse e rimendova’. Nuk ia di emrin dhe nuk merrem me emra konkretë, por mund të them se po ushtrohet presion i paprecedentë ndaj Kushtetueses. E kam denoncuar edhe te ndërkombëtarët presionin që po bëhej ndaj Kushtetueses dhe që solli pikërisht këtë situatë ku gjyqtari kërkoi rivotim. Nuk e di nëse kjo është e paligjshme, por zoti Berisha për këtë foli: për presionin ndaj Kushtetueses dhe faktin e guximit që ka treguar prokuroria.”

Duket qartë se edhe z. Bardhi është në dijeni të një skenari presioni, këtë herë ndaj një anëtari të Gjykatës Kushtetuese, i cili ka ndryshuar mendje për shkak të këtij presioni dhe përfundimisht ka votuar pro Edi Ramës.

Në fakt, as njëri e as tjetri nuk flasin me emra. Dhe pikërisht këtu qëndron edhe problemi. Pra, kemi dy figura të larta të opozitës që flasin për presion konkret mbi Gjykatën Kushtetuese. Por të dy ndalen në të njëjtin kufi: nuk nxjerrin emra, nuk depozitojnë kallëzim penal, nuk aktivizojnë mekanizmin e vetëm që e ndan denoncimin politik nga përgjegjësia institucionale.

Në interes publik, por edhe në interes të vetë opozitarizmit, emrat duhet të bëhen publikë, pasuar edhe nga një kallëzim penal respektiv. Nuk imagjinohet çfarë mund të mbrohet më nga këto dy figura të larta të PD-së, në një kohë kur i madh e i vogël e ka kuptuar dimensionin skandaloz të qeverisjes së Ramës, kriminalizimin dhe korrupsionin sistemik pothuajse në çdo qelizë të saj. Në raste të tjera, si Sali Berisha ashtu edhe Gazmend Bardhi, kanë folur hapur për emra, vende dhe ngjarje konkrete.

E vetmja gjë që këta dy personazhe nuk bënë kësaj here ishte t’i drejtoheshin SPAK-ut, qoftë për ushtrim të ndikimit të paligjshëm në rastin më të keq, qoftë për shpërdorim detyre nga vetë gjyqtarët në rastin më të mirë. Sigurisht, dezertimi i Adriana Kalasë nga radhët e tyre, e cila, për hir të së vërtetës, depozitonte sistematikisht kallëzime penale, nuk mund të shërbejë si justifikim.

Duket qartë se këta personazhe, por edhe një pjesë tjetër e asaj që quhet PD, e kanë të pasinqertë “betejën finale për liri dhe dinjitet” në çështjen Balluku. Ata prodhojnë vetëm zhurmë, skandale dhe “gjetje bombë” për vëmendje mediatike, por nuk kryejnë aktin minimal dhe më efektiv për të pasur sukses: depozitimin e një kallëzimi penal. Një veprim i tillë do t’i bënte më të përmbajtur si ata që ushtrojnë presion, ashtu edhe ata që e pranojnë atë. Do të fitonte interesi publik dhe, pse jo, edhe vetë opozitarizmi.

Sali Berisha kujdeset të saktësojë se bëhet fjalë për dy gjyqtarë, dy burra. Në fakt, ata që kanë votuar pro Edi Ramës dy javë më parë janë pesë anëtarë. Sipas kësaj logjike, edhe ata kanë qenë nën presion: dy burra dhe tre gra. Mes tyre edhe gjyqtarja që Sali Berisha e ka lavdëruar publikisht për integritetin e saj, Sonila Bejtja, e cila ka votuar pro Edi Ramës dhe kundër SPAK-ut për pezullimin e vendimit të GJKKO-së, duke i hapur rrugë rikthimit të Ballukut në detyrë. Për këtë fakt, as Sali Berisha, as Gazmend Bardhi dhe askush tjetër në atë seli nuk ka belbëzuar asnjë fjalë.

Që Gjykata Kushtetuese ka qenë nën presion, këtë s’ka nevojë të na e tregojë as doktori dhe as Gazi. Ajo që po bërtasin nga selia opozitare duket të jetë thirrja për një marrëveshje me Edi Ramën, i cili sot ndodhet realisht në gjendjen e tij më të rëndë politike, ndoshta edhe pa kthim. Jo falë Sali Berishës, por falë SPAK-ut dhe GJKKO-së, pikërisht institucioneve që Berisha i sulmon çdo ditë. Duke e kuptuar situatën e rëndë të Ramës, Berisha dhe të vetët i kërkojnë atij të ulet në tryezë për të gjetur “zgjidhje të përbashkëta” për halle të përbashkëta.

Të tregosh sa gjoba makine ka marrë Ergys Agasi, apo se ka filmime të makinës së tij në kolonë me eskortën e kryeministrit, apo të pretendosh se gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese i “kanë rrëfyer” doktorit se e dinë që Edi Rama ka marrë fund, por nën presion do ta votojnë sërish, nuk është kërkesë për përmbysje sistemi. Është thjesht rikujtesë për Edi Ramën se, sado keq e ka situatën, aleancat fluide mund të jenë shpëtimi dhe oksigjeni për të zgjatur jetën e një qeverie. Fundi i ciklit nuk po vjen as nga beteja me opozitën dhe as nga alternativat me të, por vetëm nga përballja me drejtësinë.

Ndaj, nëse e kanë seriozisht këtë betejë me Ramën në emër të drejtësisë, Berisha apo Bardhi qoftë, le të shkruajnë dy gishta letër dhe ta çojnë çështjen e presionit të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese në SPAK. Në mos sot që është pushim, nesër zyrat e Prokurorisë së Posaçme janë hapur. Përndryshe, le të vazhdojnë të merren me targat e makinave dhe verën e Ergys Agasit. Aty janë në habitatin e tyre dhe në lojën e interesit të Edi Ramës. Drejtësia dhe interesi publik kërkojnë diçka më shumë se giallo dhe histori nga ato të filmave të Elisa Spiropalit!

Video

Një mjek në Indi është pezulluar nga detyra pasi u filmua duke ushtruar dhunë fizike ndaj një pacienti të shtruar në spital. Incidenti ndodhi në Kolegjin Mjekësor Indira Gandhi në Shimla, ku mjeku Raghav Narula goditi pacientin gjatë një debati verbal, pasi ky i fundit kërkoi të trajtohej me respekt. Pamjet e dhunës u bënë publike dhe çuan në reagime të forta nga familjarët dhe qytetarët, të cilët kërkuan arrestimin e mjekut. Autoritetet spitalore konfirmuan pezullimin e tij dhe nisjen e një hetimi.

Në Katedralen “Shën Shtjefni” në Shkodër u kremtua Mesha e Shenjtë me rastin e Krishtlindjes, e cila u celebrua nga Arqipeshkvi i Dioqezit Shkodër-Pult, imzot Giovanni Peragine. Gjatë predikimit, imzot Peragine theksoi rëndësinë e ndriçimit të brendshëm shpirtëror: “Ne i kemi zbukuruar shtëpitë dhe rrugët me drita, por ato ndriçojnë vetëm jashtë. Duhet të ndezim dritën brenda nesh, dhe ajo drite vjen përmes Krishtit të lindur.” Ngjarja u zhvillua në një atmosferë solemne dhe festive, ku besimtarë të shumtë morën pjesë për të festuar lindjen e Krishtit.

Këto janë momentet e zhytjes për bamirësi në Belfast Lough, ku qindra persona përqafuan traditën me qëllim bamirësinë

Një banesë është përfshirë nga flakët në zonën e Plazhit të Vjetër. Në vendngjarje kanë ndërhyrë menjëherë forcat zjarrfikëse për shuarjen e zjarrit. Fatmirësisht nuk raportohet për persona të lënduar, por vetëm dëme materiale.

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive?

Bashkohuni me grupin tonë privat.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme