Bota 8 Maj 2025, 08:43 Nga VNA

“S’kisha asgjë për të ngrënë kur linda”: Kequshqyerja rritet në Gaza ndërsa bllokada izraelite hyn në muajin e tretë

Ndaje në Whatsapp
“S’kisha asgjë për të ngrënë kur

Ndonjëherë, në kohë lufte, është zëri më i vogël ai që flet më fort.

Në spitalin Nasser në Gaza, një vajzë pesë muajshe përpiqet të qajë.

Siwar Ashour është e zbehur dhe mezi nxjerr zë. Ajo nuk ka energji të shprehë dhimbjen e saj. Nuk përthith dot qumësht të zakonshëm formulë dhe, sipas mjekëve, për shkak të bllokadës izraelite që po zgjat prej tre muajsh, furnizimet me ushqimin që ajo ka nevojë janë të rralla.

Siwari duket sikur ka peshën e luftës mbi mushkëritë e saj.

Nëna e saj, Najwa, 23 vjeçe, po i ndërron pelenën. Ajo peshon vetëm pak më shumë se 2 kg. Një vajzë 5 muajshe duhet të peshojë rreth ose mbi 6 kg.

“Nuk kishte fare ushqim kur e linda,” thotë Najwa.

“Nëse doja të haja që të kisha mundësi ta ushqeja me gji, nuk kisha asnjë lëndë ushqyese që të më përmirësonte shëndetin… Tani ajo pi vetëm formulë, dhe nuk e dimë si do ia sigurojmë.”

Izraeli ka ndaluar hyrjen e gazetarëve ndërkombëtarë në Gaza për të raportuar në mënyrë të pavarur.

Një koleg lokal i BBC ka filmuar shenjat e padiskutueshme të kequshqyerjes së rëndë në trupin e Siwarit: kokë më e madhe se trupi, krahë dhe këmbë si shkopinj, brinjët që i dalin jashtë lëkurës kur përpiqet të qajë, sy të mëdhenj kafe që ndjekin çdo lëvizje të nënës.

Najwa shqetësohet për atë që do ndodhë pasi të dalin nga spitali.

“Spitali me shumë vështirësi gjeti pak qumësht për të, kërkuan në të gjitha spitalet dhe e gjetën vetëm në një. Më thanë që kur të largohemi, do më japin një shishe, por ajo mjafton vetëm për katër ditë. Babai i saj është i verbër dhe nuk mund t’ia sigurojë. Edhe po ta gjenim, është shumë i shtrenjtë dhe ai nuk punon.”

Sipas mjekut të Siwarit, Ziad al-Majaida, ky është qëndrimi i saj i dytë në spital për mungesë të formulës.

“Asgjë nuk futet nga kufijtë, as ushqim, as qumësht, asgjë. Kjo po krijon probleme shumë të mëdha për fëmijët. Kjo foshnjë ka nevojë për një lloj të veçantë qumështi. Para bllokadës ishte i disponueshëm, por tani stoket kanë mbaruar.”

Spitali po përpiqet të gjejë furnizime të tjera, por Siwari është shumë e dobët dhe vuan nga diarre e vazhdueshme.

“Nëse vazhdon kështu, jeta e saj është në rrezik. Por nëse do i sigurohej qumështi dhe trajtimi i duhur, ajo do përmirësohej,” thotë mjeku.

Që nga fillimi i vitit, sipas OKB-së, janë identifikuar rreth 10,000 raste të kequshqyerjes akute tek fëmijët në Gaza.

Çmimet e ushqimeve janë rritur deri në 1,400%.

Kuzhinat bamirëse, që ndihmonin me ushqim qindra mijëra njerëz, po mbyllen për shkak të mungesës së furnizimeve.

25 furra buke që mbështeteshin nga Programi Botëror i Ushqimit janë mbyllur.

Në qytetin jugor Khan Younis, aty ku ndodhet spitali Nasser, gazetari i BBC vizitoi një kuzhinë të drejtuar nga “Shabab Gaza” (Rinia e Gazës), që shpërndan ushqim direkt tek familjet, një vakt në ditë për çdo familje.

Drejtuesi i organizatës, Mohammad Abu Rjileh, 29 vjeç, tha se 3 nga 4 kuzhinat e tyre janë mbyllur për shkak të mungesës së furnizimeve.

“Shumë nga organizatat që na ndihmonin janë plaçkitur. Në vend që të kishim mjaftueshëm për 10,000 vakte në ditë për një javë apo 10 ditë, tani kemi për vetëm një ose dy ditë. Nëse nuk hapen menjëherë kufijtë dhe nuk gjendet një zgjidhje, do detyrohemi të ndalojmë së gatuari.”

Izraeli ndërpreu çdo ndihmë humanitare dhe furnizime për Gazën më 2 mars dhe rifilloi ofensivën ushtarake dy javë më vonë, duke thënë se po bën presion mbi Hamasin për të liruar 59 pengjet që ende mban, prej të cilëve mendohet se rreth 24 janë gjallë.

Organizata e Kombeve të Bashkuara e ka cilësuar bllokadën izraelite si një “ndëshkim kolektiv mizor”ndaj civilëve.

Drejtori humanitar i OKB-së, diplomati britanik Tom Fletcher, tha se ligji ndërkombëtar është i qartë:

“Si fuqi pushtuese, Izraeli duhet të lejojë ndihmën humanitare të hyjë… Ndihma dhe jetët e civilëve nuk duhet të përdoren kurrë si mjet shantazhi.”

Gazetari i BBC e përballi me këtë deklaratë Boaz Bismuth, anëtar i lartë i partisë Likud të kryeministrit Netanyahu.

Ai mohoi ekzistencën e një krize ndihmash në Gaza:

“Ka ushqim në Gaza… Izraeli nuk do bënte kurrë një ndalim nëse popullata nuk do kishte ushqim. E njoh shumë mirë vendin tim,” tha ai.

Kur u ballafaqua me faktin se fëmijët po vdisnin urie, ai tha:

“Nuk ka fëmijë që po vdesin nga uria. Po e përsëris.”

Sipas tij, akuzat për uri, spastrim etnik dhe gjenocid janë “budallallëqe”.

“Asgjë nuk ka ndryshuar, sepse jemi Izrael, dhe i bindemi ligjit ndërkombëtar dhe atij humanitar.”

“Ne duam që pengjet të kthehen dhe Hamasi të largohet nga Gaza. Lufta mund të mbarojë për 30 sekonda.”

Izraeli ka akuzuar vazhdimisht Hamasin se uzurpon ndihmat, gjë që Hamasi e mohon.

Presidenti i Autoritetit Palestinez, Mahmoud Abbas, i vendosur në Bregun Perëndimor, ka akuzuar grupe të lidhura me Hamasin për grabitjen e ndihmave. Ai e quajti Hamasin “bij qenësh” dhe kërkoi lirimin e pengjeve izraelite.

Hamasi reagoi duke thënë se Abbas “përsërit në mënyrë të dyshimtë akuzat për krimet e pushtuesit [Izraelit] dhe agresionin e vazhdueshëm kundër popullit tonë”.

Pa mundësi për të hyrë në Gaza dhe raportuar në mënyrë të pavarur, është e vështirë të hetohen ngjarjet që po zhvillohen.

Bandat kriminale të dhunshme janë përfshirë rëndë në vjedhjen e ndihmave.

Hamasi ka kërcënuar me dhunë individët që akuzohen për vjedhje. Dy persona janë qëlluar për vdekje pranë një magazine të UNRWA-së, por nuk është e qartë se kush i vrau.

Një aktivist lokal i pranishëm, Moumen al-Natour, akuzoi Hamasin:

“Hamas po grumbullon ndihma, po i mohon popullit të uritur ushqimin dhe po e shet me çmime shumë të larta. Populli protestoi dhe kërkoi që ushqimi të shpërndahej, përndryshe do ta merrnin me forcë. Hamasi hapi zjarr ndaj të uriturve.”

E gjithë kjo ndodh në një klimë urie në rritje dhe kolapsi të rendit shoqëror për shkak të luftës dhe bllokadës.

Qeveria izraelite ka miratuar përshkallëzimin e ofensivës ushtarake në Gaza. Synimi mbetet shkatërrimi i Hamasit – një qëllim që mbetet i paarritur prej 19 muajsh luftë.

Raportohet se Izraeli planifikon të përdorë kompani private sigurie për shpërndarjen e ndihmave, megjithatë ende nuk ka një datë të caktuar.

OKB-ja dhe organizatat e mëdha humanitare e kanë cilësuar këtë si politizim të ndihmës dhe kanë deklaruar se nuk do të bashkëpunojnë me një sistem të tillë. /BBC

Video

Në pritje të skadimit të ultimatumit të Trump-it (“një qytetërim i tërë do të vdesë sonte”) dhe ndërsa sulmet ndaj infrastrukturës prodhuese dhe ekonomike të vendit janë tashmë në zhvillim, Teherani po publikon në rrjetet sociale dhe në televizion pamje të urave dhe centraleve bërthamore të ruajtura nga qytetarë iranianë, të thirrur të shërbejnë si mburojë njerëzore në përgjigje të thirrjes së regjimit. Në videot e shpërndara shfaqen centrali elektrik i Kazerounit dhe një urë në Ahvaz, të rrethuar nga njerëz që janë mbledhur për të mbrojtur objektet strategjike. Video nga X.

Sejko Veliu quhet personi që shpëtoi vajzën 4-vjeçare nga sulmi i një pitbulli në Vlorë. Ai rrëfen momentet e vështira që kaloi fëmija dhe gjyshja që e shoqëronte

Fermerët dhe blegtorët protestuan kundër skemës kombëtare të bujqësisë për vitin 2026, duke kërkuar subvencione më të larta dhe rikthimin e naftës pa taksa. Ata shprehen se kostot e karburantit dhe ushqimit për bagëtitë janë të papërballueshme. Protestuesit kërkojnë gjithashtu krijimin e një bordi për produktet bazë dhe një laborator për sigurinë ushqimore. Skema e re nuk përfshin mbështetjen e premtuar, gjë që e bën situatën të rëndë për sektorin. Qeveria pranoi të rishikojë skemën vetëm në shtator, por blegtorët e konsiderojnë këtë të papranueshme. Ata paralajmërojnë përshkallëzim të protestave dhe thonë se do të dalin në rrugë me traktorë dhe lopët e tyre nëse nuk dëgjohen.

Fermerët dhe blegtorët gjatë protestës së sotme para Ministrisë së Bujqësisë kërkuan rikthimin e naftës pa taksa për bujqësinë ose rregullimin e taksës së qarkullimit. Ata theksuan se çmimi i lartë i karburantit po e bën të pamundur funksionimin normal të fermave dhe blegtorisë. Një tjetër kërkesë ishte rritja e subvencioneve për sektorin, duke u ankuar se ato janë 7-8 herë më të ulëta se në vendet fqinje. Fermerët kërkuan gjithashtu ngritjen e një bordi për produktet bazë të shportës. Protestuesit kërkuan krijimin e një laboratori për sigurinë e produkteve ushqimore dhe një trajtim më të drejtë të TVSH-së për fermerët. Ata paralajmëruan se, nëse kërkesat e tyre nuk merren parasysh, do të përshkallëzojnë protestat në rrugët e Tiranës.

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive?

Bashkohuni me grupin tonë privat.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme