Refuzohet ankimi i subjektit “Micro Credit Albania” sh.p.k., me anë të të cilit kërkohet shfuqizimi i vendimit nr. 2302, datë 23.5.2024, “Për revokimin e licencës së subjektit financiar jobankë ‘Micro Credit Albania’ sh.p.k.”,
Guvernatori i Bankës Sejko njofton se pas analizës së historikut të licencimit dhe të ecurisë së procesit të mbikëqyrjes së subjektit financiar jobankë “Micro Credit Albania” sh.p.k. është vendosur refuzimi i ankimit si të pabazuar dhe lënien në fuqi të vendimit nr. 2302, datë 23.5.2024, për revokimin e licencës së subjektit financiar jobankë “Micro Credit Albania” sh.p.k.
Vendimi t’i njoftohet subjektit ankimues “Micro Credit Albania” sh.p.k dhe kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim në Gjykatë sipas ligjit.
I. Rrethanat e procedimit administrativ:
Subjekti financiar jobankë “Micro Credit Albania” sh.p.k. (MCA), është licencuar për kryerjen e veprimtarive financiare, “të gjitha format e kredidhënies” dhe “shërbimeve këshilluese ndërmjetëse” dhe “shërbime të tjera ndihmëse për veprimtarinë e kredidhënies” sipas licencës së dhënë nga Banka e Shqipërisë nr. 38, datë 9.5.2016.
Me vendimin nr. 5689, datë 19.12.2022, të Guvernatorit, veprimtaria e subjektit financiar jobankë “Micro Credit Albania” sh.p.k. u pezullua deri më 31.12.2023, për një periudhë 12-mujore.
Me vendimin nr. 644, datë 6.2.2024, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, për shkelje të përsëritura dhe të paadresuara nga ana e subjektit, vendosi të caktojë masën e pezullimit me kufizime të tjera shtesë të veprimtarive të përcaktuara në licencë për këtë subjekt deri më datë 30.6.2024.
Me shkresën nr. 12287/1, datë 23.5.2024, të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, Banka e Shqipërisë u vu në dijeni të faktit se ndaj ortakut Elda Ibro, të subjektit financiar jobankë “Micro Credit Albania” sh.p.k., është vendosur masa e sigurimit personal “arrest shtëpie” nga Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë.
Në nenin 10, pika 1, shkronja “a”, e rregullores “Për licencimin dhe ushtrimin e veprimtarisë nga subjektet financiare jobanka”, miratuar me vendimin nr. 1, datë 17.1.2013, i ndryshuar, parashikohet se një ndër kriteret që duhet të plotësojnë në vazhdimësi subjektet financiare jobanka gjatë ushtrimit të veprimtarisë së tyre është që themeluesit/e subjektit të kenë reputacion të mirë.
Për rrjedhojë, pas informacionit të marrë nga Prokuroria, në zbatim të nenit 14, pika 1, shkronja “h”, të rregullores së mësipërme, si dhe bazuar në propozimin e Departamentit të Mbikëqyrjes, me vendimin nr. 2302, datë 23.5.2024, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë vendosi revokimin e licencës së subjektit financiar jobankë “Micro Credit Albania” sh.p.k.
II. Pretendimet e paraqitura në ankimin administrativ:
Ndaj vendimit të mësipërm nr. 2302, datë 23.5.2024, për revokimin e licencës, ka paraqitur ankim subjekti “Micro Credit Albania” sh.p.k., ku ka parashtruar se:
1. Banka e Shqipërisë nuk ka respektuar kushtet dhe kërkesat procedurat e parashikuara nga kuadri ligjor në lidhje me vendimmarrjen përkatëse, e cila në çdo rast ka qenë dispropocionale.
2. Ortakja e shoqërisë znj. Elda Ibro, nuk ka kompetenca administrative pranë shoqërisë MCA sh.p.k. dhe pengesa, ndalimi ligjor, efektet negative janë lehtësisht të evitueshme (pa pasur ndikim negativ në shoqëri, me kalimin e kuotës që zotëron ajo në shoqërinë MCA sh.p.k.).
3. Prej fillimit të aktivitetit të shoqërisë MCA sh.p.k., duke bërë dallimin e pozitës procedurale të personit nën hetim, pasi çdo shtetas përfshirë dhe Presidentin e Republikës mund të jetë shtetas nën hetim sipas K.Pr.Penale, deri ditën e sotme asnjë punonjës, apo ortak i MCA sh.p.k., nuk i është komunikuar asnjë akuzë zyrtare që mund të ketë lidhje ose jo me aktivitetin e shoqërisë.
4. Prej fillimit të aktivitetit të shoqërisë MCA sh.p.k., duke bërë dallimin e legjislacionit civil me legjislacionin penal deri ditën e sotme nuk rezulton asnjë vendimmarrje gjyqësore që të ngarkojë MCA sh.p.k. me detyrimin e kthimit të shumave monetare, të cilat janë sekuestruar në mënyrë të paligjshme, të parregullt, më shumë se sa parashikohet nga detyrimet kontraktuale, apo vendimet gjyqësore përkatëse.
Për sa më sipër, kërkohet shfuqizimi i vendimit 2302, datë 23.5.2024, “Për revokimin e licencës së subjektit financiar jobank ‘Micro Credit Albania’ sh.p.k.”.
III. Arsyetimi ligjor
1) Në lidhje me pretendimin e subjektit për mosrespektim të kërkesave procedurale në nxjerrjen e aktit administrativ.
Banka e Shqipërisë, me marrjen e njoftimit nga Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, është vënë në dijeni të faktit se Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë kishte miratuar kërkesën e Prokurorisë për caktimin e masës së sigurimit personal për ortakun e vetëm të subjektit “Micro Credit Albania” sh.p.k. Ky fakt, i cili në aktet rregullative sa i përket licencimit dhe, rrjedhimisht, mbajtjes së licencës gjatë ushtrimit të veprimtarisë nga subjekti, përbën një mbështetje të pakundërshtueshme që justifikon plotësisht vendimmarrjen e Bankës së Shqipërisë.
Kjo vendimmarrje i është komunikuar subjektit nga Banka e Shqipërisë edhe pse në tentativat për të komunikuar me administratorin e subjektit është përballuar me “heshtje”. Subjekti ka qenë i ngarkuar nga Banka e Shqipërisë pas marrjes së vendimit nr. 644, datë 6.2.2024 të komunikonte rregullisht në lidhje me vijimin e përmbushjes së detyrimeve më të cilat u ngarkua nga ky vendim. Përpjekjeve të Bankës së Shqipërisë për të marrë informacion, administratori i subjektit nuk i është përgjigjur personalisht. Më tej, edhe dërgimi i vendimit për revokimin e licencës është kthyer mbrapsht 2 herë nga shërbimi postar, pasi subjekti nuk gjendej në adresat e deklaruara. Dorëzimi është bërë me korrier privat, dhe në këtë rast vetëm pas komunikimit me një punonjëse të “Micro Credit Albania” sh.p.k. Fakti që Banka e Shqipërisë po shqyrton ankimin ndaj asaj vendimmarrje, konfirmon vullnetin e këtij institucioni për të respektuar gjithë detyrimet sa i përket procedimit administrativ.
2) Në lidhje me pretendimin që masa e sigurimit personal ndaj ortakut të shoqërisë, nuk cenon vijueshmërinë e aktivitetit të subjektit arsyetoj se reputacioni i shoqërisë për shkak të masës ndaluese të marrë ndaj ortakut është i cenuar rëndë. Tjetërsimi i kuotës që zotëron ortaku i ndaluar me masë sigurimi nuk nënkupton që reputacioni i këtij subjekti është i pacenueshëm sipas përcaktimeve rregullatore. Po ashtu, për aq kohë sa subjekti ka kohë që nuk përmbush asnjë nga detyrimet e ngarkuara nga Banka e Shqipërisë, krijoi bindjen se organet e shoqërisë nuk janë funksionale. Nga ana tjetër, fakti që komunikimi me administratorin e subjektit nuk ka funksionuar, kjo për faj të administratorit, më bind se pretendimi juaj për vijueshmërinë e veprimtarisë së shoqërisë nga administratori i saj është i pambështetur.
3) Në lidhje me pretendimin tuaj se nuk ka ende një akuzë të komunikuar nga organi i hetimit, konfirmoj se vendimmarrja e Bankës së Shqipërisë është mbështetur tërësisht në kuadrin rregullativ në fuqi. Konkretisht, rregullorja “Për licencimin dhe ushtrimin e veprimtarisë nga subjektet financiare jobanka” miratuar me vendimin nr. 1, datë 17.1.2013, i ndryshuar, parashikon kriteret dhe kushtet që duhet të përmbushin subjektet financiare jobanka, të cilat kërkojnë të licencohen nga Banka e Shqipërisë për ushtrimin e veprimtarive financiare. Këto kritere, janë të zbatueshme për t’u përmbushur jo vetëm në momentin e licencimit, por duhet që këto kritere të përmbushen në vijimësi gjatë gjithë veprimtarisë financiare të subjektit financiar jobankë.
Një ndër kriteret e rëndësishme për dhënien apo refuzimin e licencës është i parashikuar në nenin 10 të rregullores së licencimit dhe që lidhet me reputacionin e themeluesit (ortaku i vetëm) të shoqërisë. Më konkretisht, pika 1, e këtij neni përcakton:
“Banka e Shqipërisë merr vendim për dhënien e licencës vetëm kur krijon bindjen se subjekti plotëson kërkesat e kësaj rregulloreje, për sa u përket kushteve të mëposhtme:
a) themeluesit e subjektit të kenë reputacion të mirë, burim të ligjshëm të kontributeve në kapital, veprimtari të ligjshme, të regjistruar dhe që mund të mbikëqyret, të kenë mundësi financiare për derdhjen e fondeve shtesë në qoftë se kapitali bie nën nivelin minimal të kërkuar nga Banka e Shqipërisë ose për realizimin e financimeve të nevojshme për vazhdimin e qëndrueshëm në kohë të veprimtarisë së subjektit;
b) kualifikimet, përvoja e reputacioni i administratorit dhe i themeluesve me pjesëmarrje influencuese të jenë të përshtatshme për realizimin e planit të biznesit.”.
Ndërkohë, që pika 2 (nënpika 4), e po këtij neni të rregullores, bën një parashikim akoma më eksplicit, duke u shprehur:
“Banka e Shqipërisë refuzon dhënien e licencës kur nuk plotësohen kërkesat e kësaj rregulloreje, në rastet e mëposhtme:
4. vërtetohet se të paktën njëri nga themeluesit:
i. është në ndjekje penale ose është dënuar nga gjykata me vendim gjyqësor të formës së prerë për kryerjen e një vepre penale me rrezikshmëri të lartë shoqërore;
ii. është në ndjekje penale ose është dënuar nga gjykata me vendim gjyqësor të formës së prerë për kryerjen e një vepre penale që lidhet me pastrimin e parave ose me financimin e terrorizimit, dhe
Pra, reputacioni i themeluesit të shoqërisë është një ndër kriteret kryesore që duhet të përmbushi një subjekt financiar jobankë, për këtë arsye, pjesë e dokumentacionit të licencimit në nenin 8, pika 2, shkronja “f”, të rregullores së licencimit, parashikohet paraqitja e vërtetimit për themeluesit se personi nuk është në ndjekje penale.
Ky kriter është i rëndësishëm të përmbushet jo vetën në periudhën e licencimit, por edhe gjatë gjithë veprimtarisë së subjektit, pasi vetë rregullorja në nenin 14 të saj parashikon se subjektit financiar i pezullohet apo i revokohet licenca, nëse nuk përmbush kushtet bazë për të cilat është licencuar dhe siç e përmendëm edhe më sipër, një ndër kushtet kryesore është reputacioni i themeluesit/drejtuesve të shoqërisë (ortaku i vetëm) të shoqërisë. Nëse ky reputacion cenohet, atëherë subjekti nuk mund të ushtrojë veprimtarinë financiare për të cilën është licencuar, pasi bie një ndër kriteret kryesore të licencimit, që ka të bëjë me reputacionin e tij për të ushtruar veprimtaritë për të cilat është i licencuar.
Vendimmarrja e Bankës së Shqipërisë për revokimin e licencës ndaj subjektit MCA, gjen mbështetje edhe nga ecuria e veprimeve procedurale të ndërmarra nga organi i akuzës.
Me shkresën nr. 12828 prot., datë 29.5.2024, jemi informuar nga Prokuroria e Juridiksionit të Përgjithshëm të Rrethit Gjyqësor Tiranë, për regjistrimin e procedimit penal për veprën penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale apo veprimtarisë kriminale” për vepra penale të dyshuara gjatë ushtrimit të aktivitetit financiar edhe të shoqërisë “Micro Credit Albania” sh.p.k. dhe ka urdhëruar sekuestrimin e llogarive bankare të kësaj shoqërie dhe të Elda Ibro dhe personat e lidhur me ta.
4) Në lidhje me pretendimet në ankim se masa e revokimit është disproporcionale, pasi u informova edhe njëherë me hollësi rreth gjithë procesit të mbikëqyrjes të subjektit “Micro Credit Albania” sh.p.k., shkallën e shkeljeve të konstatuara në disa vite, mosreagimin e subjektit për të korrigjuar mangësitë e vërejtura, vlerësova edhe njëherë mbështetjen jo në fakte të provuara të pretendimit të subjektit për vendimmarrje joproporcionale të Bankës së Shqipërisë, dhe analizoj se:
Siç është përmendur edhe më sipër me vendimin nr. 5689, datë 19.12.2022, të Guvernatorit, veprimtaria e subjektit financiar jobankë “Micro Credit Albania” sh.p.k. ka qenë e pezulluar deri më 31.12.2023, për një periudhë 12-mujore. Gjatë kësaj periudhe subjekti u urdhërua të merrte masa për adresimin e plotë të të gjitha mangësive dhe rekomandimeve të evidentuara në raportin e ekzaminimit nr. 761/3 prot., datë 25.11.2020 dhe në raportin e ekzaminimit nr. 6343/1 prot., datë 5.12.2022. Bankës së Shqipërisë i rezultoi se asnjë nga detyrat e lëna nuk u adresuan nga subjekti “Micro Credit Albania” sh.p.k.
Me vendimin nr. 644, datë 6.2.2024, të Guvernatorit, për shkelje të përsëritura dhe të paadresuara nga ana e subjektit, në mënyrë të përshkallëzuar Banka e Shqipërisë vendosi të kufizojë ushtrimin e të gjitha veprimtarive për të cilën subjekti ishte licencuar, përveç shitjes së portofolit të kredive që ky subjekt administronte. Kjo masë pezullimi e licencës i shtrinte efektet deri më datë 30.6.2024. Kjo në vijim të strategjisë të ushtrimit të veprimtarisë nga subjekti “Micro Credit Albania” sh.p.k., pasqyruar në vendimmarrjen e ortakut të vetëm të shoqërisë të datës 5.1.2024, sipas të cilit shoqëria do ta shiste të gjithë portofolin e kredisë që administronte.
Të dyja vendimet e mësipërme për pezullimin e veprimtarisë, nuk janë ankimuar në gjykatë nga subjekti “Micro Credit Albania” sh.p.k. duke pranuar në këtë mënyrë se vendimmarrja e Bankës së Shqipërisë ka qenë e drejtë dhe në përputhje me natyrën dhe shkallën e shkeljeve të konstatuara. Siç edhe ka rezultuar, subjekti nuk mori asnjëherë masa për eliminimin e shkeljeve. Jo vetëm kaq, por ka rezultuar se subjekti nuk rezulton të ketë dhe nuk ka pasur të angazhuar strukturat e
nevojshme për eliminimin e këtyre shkeljeve, siç konfirmohet edhe nga konkluzionet e raportit të ekzaminimit të plotë, dorëzuar me shkresën nr. 799/3, datë 25.1.2024. Edhe në mesazhin elektronik të datës 20.4.2024, të punonjëses së MCA-së, nëpërmjet të cilit përcillet qëndrimi i ortakes së vetme të shoqërisë, znj. Elda Ibro, i kërkohet Bankës së Shqipërisë të lejojë dorëzimin e licencës nga MCA-ja, dhe lirimin nga detyra të administratorit z. Andis Gjoka.
Strategjia e vijueshmërisë të aktivitetit të subjektit për shitjen e të gjitha kredive te 4 subjekte, siç është pohuar prej vetë subjektit ka rezultuar e papërmbushur. Në analizë të arsyetimit të mësipërm, në balancë të vendimmarrjes së Bankës së Shqipërisë ndaj sjelljes tërësore të subjektit “Micro Credit Albania” sh.p.k., konstatoj se vendimmarrja e Bankës së Shqipërisë për revokimin e licencës ndaj këtij subjekti është e përshtatshme dhe gjendet plotësisht e mbështetur në aktet rregullative të cituara në këtë vendim.
Bazuar në sa më sipër, vlerësoj se pretendimet e paraqitura në ankimin administrativ nga “Micro Credit Albania” sh.p.k., nuk janë të bazuara dhe nuk përbëjnë shkak për të marrë një vendim të ndryshëm nga ai me nr. 2302, datë 23.5.2024






















