Sociale 3 Korrik 2024, 12:56 Nga VNA

Pabarazia, numri i familjeve pa shtëpi është rritur me 87% në Shqipëri

Ndaje në Whatsapp
Pabarazia, numri i familjeve pa shtëpi është rritur me 87%

Numri i familjeve që nuk kanë pronësi mbi banesën e tyre është rritur në mënyrë dramatike mes viteve 2011 dhe 2023, pavarësisht se në Shqipëri ka sot 326 mijë banesa më shumë se sa familje.

Numri i shqiptarëve që nuk kanë banesë në pronësi është rritur në mënyrë dramatike në Shqipëri gjatë dekadës së fundit, tregues ky i politikave abuzive në sektorin e ndërtimit dhe i përmasave dramatike të pabarazisë.

Të dhënat e Censit 2023 tregojnë se afro 132 mijë familje ose gati një në çdo gjashtë familje jeton me qira ose jeton në banesë me pronësi të tjetërkujt me marrëveshje me pronarin.

Të dhënat e Censusit 2011 tregonin se familjet e kësaj kategorie ishin gjithsej 71 mijë. Përgjatë dymbëdhjetë viteve të fundit, numri i familjeve pa pronë është rritur me 87%.

INSTAT ka publikuar deri më sot vetëm të dhëna të përgjithshme të Censit, ku përfshihen të dhënat e popullsisë në nivel bashkie si dhe të dhënat e banesave në nivel kombëtar. Të dhënat mbi banesat në nivel qarku apo bashkie nuk  janë ende të disponueshme, kështu që nuk është e mundur të dihet me siguri se në cilat zona janë banesat bosh dhe në ciliat gjenden familjet që nuk kanë banesë nën pronësi.

Nëse krahasojmë numrin e banesave bosh me numrin e familjeve pa pronësi banese, atëhere mund të themi se ka 2.5 banesa bosh për çdo familje pa banesë.

INSTAT ka numëruar gjithsej afro 1.08 milionë banesa dhe 756 mijë familje. Aritmetika e thjeshtë tregon se 327 mijë banesa ose 33% e totalit janë të pabanuara. Por llogaritë në rang kombëtar nuk janë shumë shprehëse në këtë drejtim për shkak se popullsia e Shqipërisë është zhvendosur në mënyrë masive nga fshati në qytet dhe, ndonëse në rang kombëtar ka banesa boshe me bollëk, nuk është e mundur të dihet aktualisht se sa prej këtyre janë banesa të popullsisë së zhvendosur nga fshati në qytet dhe sa janë banesa bosh në zonat urbane.

Gjithsesi, nëse shihet se të gjitha bashkitë,  përfshirë Bashkinë Tiranë, kanë një shkallë emigrimi që varion nga 30% në 70%, atëherë mund të supozohet se banesa të pabanuara gjenden gjithkund në territorin e vendit, si në qytet, ashtu edhe në fshat. Vetë Bashkia Tiranë, e cila ka njohur rritje të popullsisë, sërish ka një diferencë në masën 33% mes popullsisë së regjistruar në Regjistrin Civil dhe popullsisë së numëruar nga Censi.

Numri i banesave bosh ka gjasa që do të rritet në mënyrë domethënëse gjatë viteve në vijim në rast se moria e pallateve në proces aktual ndërtimi do të përfundojnë. Gjatë pesë viteve të fundit, janë dhënë leje ndërtimi për sipërfaqe të përgjithshme banimi prej 8.7 milionë metrash katrore. Bumi i ndërtimit në fakt është i përqendruar vetëm në Tiranë, ku janë dhënë pjesa më e madhe e lejeve të ndërtimit.

INSTAT pyeti të intervistuarit e Censit nëse e kishin banesën nën pronësi apo jo dhe nëse jo, me çfarë marrëveshjeje banonin. Në rang kombëtar, 82.5% e 756 mijë familjeve e kishin banesën nën pronësi. Një dekadë më parë, në Censusin e vitit 2011, familjet që e kishin banesën nën pronësi ishin 89 për qind.

Familjet që nuk e kanë nën pronësi banesën ndahen në dy kategori: në të parën janë familjet që jetojnë me qira dhe këto janë 67 mijë. Në kategorinë e dytë janë familjet që jetojnë pa qira në banesa të dhëna në përdorim nga pronarët. Këta janë 65 mijë.

Të dyja kategoritë kanë pësuar rritje dramatike në krahasim me vitin 2011.

Familje me qira në atë kohë ishin 41 mijë, ndërsa familje pa pronë dhe pa qira ishin 30 mijë.

Censi zbuloi gjithashtu se, në vitin 2023, ende 29 mijë familje nuk kanë banjë brenda banesës ndërsa 103 mijë familje nuk kanë ujë të rrjedhshëm. /BIRN/

 

Video

Të paktën 12 persona humbën jetën dhe 25 të tjerë u plagosën gjatë një sulmi ndaj xhamisë Imam Ali ibn Abi Talib në qytetin sirian të Homsit, gjatë namazit të së premtes. Imazhet e publikuara nga agjencia shtetërore SANA tregojnë gjurmë gjaku në qilimat e xhamisë, dritare të thyera dhe dëme nga zjarri. Sipas SANA, hetimet paraprake tregojnë se brenda xhamisë janë vendosur pajisje shpërthyese. Autoritetet siriane kanë vendosur një kordon sigurie rreth objektit dhe po kërkojnë përgjegjësit për sulmin. Ngjarja vjen në një periudhë të tensioneve të rritura sektare dhe politike në vend. https://www.vna.al/bota/-me-bomb-ne-nje-xhami-ne-siri-raportohet-per-12-te-vrare-dhe-25-te-plag-i18293

Tek kryqëzimi i Cakranit në aksin Levan–Tepelen, janë regjistruar dy aksidente brenda dy javësh, duke rikthyer vëmendjen te problematikat e sigurisë në këtë zonë. Ekspertët e sigurisë rrugore theksojnë se kryqëzimet lidhëse me fshatrat përreth dhe mosrespektimi i rregullave të qarkullimit përbëjnë rrezik të vazhdueshëm për drejtuesit e mjeteve. Vetëm dy javë më parë, në të njëjtin vend, një furgon i FNSH-së u përplas me një automjet që i preu rrugën, duke lënë disa të lënduar lehtë. Aksidenti i dytë, i ndodhur mbrëmjen e së enjtes, rezultoi fatal për një 16-vjeçar. Rreth orës 19:00, i mituri që drejtonte një automjet tip “Peugeot” hyri në autostradë nga rruga e Cakranit dhe u përplas nga një mjet tip “Benz” që lëvizte në drejtim të Levanit. Për pasojë, 16-vjeçari humbi jetën në vendngjarje.

Mëngjesin e kësaj të premteje kanë nisur reshjet e dëborës në qarkun e Korçës. Konkretisht, në aksin rrugor Boboshticë–Dardhë, autoritetet rrugore kanë nisur pastrimin e rrugës me borëpastruese dhe hedhjen e kripës. Aktualisht nuk raportohen akse rrugore të bllokuara apo të cilat kalohen me vështirësi për qarkullimin. Sipas Prefekturës së Korçës, qarkullimi është normal në të gjitha akset kryesore të qarkut.

Pamjet e kamerave të sigurisë tregojnë momentin kur dy persona vjedhin një bankomat (ATM) nga brenda një dyqani në Teksas. Në video shihet se njëri prej tyre lidh bankomatin me një litar, ndërsa tjetri qëndron jashtë dyqanit dhe e lidh litarin me një automjet. Kur automjeti niset me shpejtësi, bankomati shkulet nga vendi, duke shkaktuar dëme të mëdha në ambientet e dyqanit. Policia e White Settlement ka nisur hetimet për identifikimin dhe arrestimin e autorëve të ngjarjes. Nga ky incident nuk raportohet për persona të lënduar.

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive?

Bashkohuni me grupin tonë privat.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme