Bota 8 Qershor 2024, 07:17 Nga VNA

Presidenti Biden propozim G7-ës për 50 miliardë dollarë kredi për Ukrainën

Ndaje në Whatsapp
Presidenti Biden propozim G7-ës për 50 miliardë dollarë

Presidenti Joe Biden do të përpiqet të bindë udhëheqësit e vendeve më të pasura të botës që të ofrojnë deri në 50 miliardë dollarë kredi për të mbështetur luftën e Ukrainës. Fondet do të mundësohen nga interesat e pasurive ruse të ngrira në institucionet financiare perëndimore.

 

Presidenti amerikan dëshiron që homologët e tij në G7 ta miratojnë këtë plan në takimin e ardhshëm të nivelit të lartë në Apulia të Italisë, që pritet të fillojë në 13 qershor. Por përpara se vendet partnere në G7 të japin mbështetjen, do të duhet të qartësohen shumë prej detajeve të kësaj skeme, i tha Zërit të Amerikës një person në dijeni të planit të presidentit Biden.

 

Pjesa më e madhe e pasurive ruse me vlerë rreth 280 miliardë dollarë, të ngrira nga institucionet perëndimore pas sulmit në Ukrainë në shkurt 2022, gjenden në Evropë, kryesisht në Belgjikë, Francë dhe Gjermani.

 

Në prill, presidenti Biden firmosi ligjin që i lejon Uashingtonit të konfiskojë rreth 5 miliardë dollarë pasuri ruse që ishin ngrirë në institucionet financiare amerikane.

Duke i rezistuar trysnisë nga Shtetet e Bashkuara dhe Ukraina për të sekuestruar vetë pasuritë ruse drejtpërsëdrejti, zyrtarët e BE-së miratuan në maj një plan më të kufizuar, për përdorimin vetëm të interesit që krijohet nga këto pasuri, interes që vlerësohet në rreth 3 miliardë dollarë në vit.

Por administrata e presidentit Biden po kërkon një skemë më agresive. E thënë më thjesht, një kredi me vlerë deri në 50 miliardë dollarë do t’i jepet paraprakisht Ukrainës nga vendet aleate perëndimore, që do të shlyhet nga interesat e pasurive ruse gjatë viteve në vazhdim.

 

Nëse kredia nuk jepet në emër të të gjitha vendeve të G7-ës, ndoshta Shtetet e Bashkuara, së bashku me vende të tjera aleate, si Kanadaja, Britania, Japonia dhe BE-ja, do ta jepnin këtë kredi së toku dhe do të merrnin interesat e përfituara nga pasuritë ruse. Detajet e këtij plani janë të paqarta ndërsa vazhdojnë përpjekjet intensive diplomatike për të qartësuar aspektet ligjore dhe teknike. Por, ministrat e financave të G7-ës ranë përgjithësisht dakort për të mbështetur parimet e këtij plani gjatë takimit të tyre në muajin maj.

 

Diskutimet e grupit janë fokusuar në atë që mund të bëhet për të zhbllokuar vlerën e pasurive të ngrira ruse, për të mirën e popullit ukrainas, tha zëvendëssekretari amerikan i Thesarit, Wally Adeyemo.

 

“Ata biseduan për një sërë opsionesh që do të na lejojnë të sigurohemi që Ukraina të ketë qasje tek paratë që iu nevojiten, jo vetëm për të investuar në ekonomi, por për të investuar për mbrojtjen”, tha zoti Adeyemo për Zërin e Amerikës. “Dhe pritshmëria ime është që ndërsa arrijmë tek takimi i udhëheqësve, ata do të miratojnë disa nga këto opsione”.

 

Kjo iniciativë është nxitur pjesërisht nga situata në fushëbetejë, ku forcat e Moskës kanë bërë përparime strategjike në veri dhe veri-lindje të Kharkivit, qyteti i dytë më i madh në Ukrainë. Rusia gjithashtu ka intensifikuar sulmet përgjatë frontit lindor.

 

Ngurrimi i taksapaguesve amerikanë për të financuar luftën është një tjetër faktor nxitës. Megjithëse Kongresi amerikan ra dakord në prill për një paketë ndihme prej 61 miliardë dollarësh për Ukrainën, kundërshtimet e republikanëve e patën bllokuar miratimin e saj.

 

Në takimin e tij të së premtes me presidentin ukrainas Volodymyr Zelenskyy në Paris, në kuadrin e festimeve të Ditës së Zbarkimit të Aleatëve në Evropë, presidenti Biden i kërkoi ndjesë presidentit ukrainas për "ato javë që nuk e dinte se çfarë do të ndodhte - për sa i përket financimit", duke fajësuar ligjvënësit “shumë konservatorë", që e vonuan. Ai u zotua të vazhdojë të mbështesë përpjekjet në luftë të Ukrainës.

Por ndërsa vendet e tjera të G7-ës përballen me të njëjtën lodhje të zgjedhësve të tyre për financimin e luftës, presidenti Biden filloi të punojë me aleatët dhe partnerët për ta bërë Rusinë të paguajë, në vend që kjo të rëndojë tek taksapaguesit, në një mënyrë që ruan unitetin pa kaluar vijën e kuqe të asnjë vendi, tha zyrtari amerikan që foli në anonimitet.

 

Ndërsa ekziston një marrëveshje e përgjithshme për t'i dhënë Ukrainës sa më shumë që të jetë e mundur, sa më shpejt që të jetë e mundur, ka edhe pasoja sfiduese ligjore dhe rregullatore të huadhënies bazuar tek të ardhurat nga interesat e parashikuara të pasurive të ngrira, tha Kristine Berzina, drejtore e qendrës “Geostrategy North” në Fondin Marshall.

 

"Si jepet hua kundrejt fitimeve të parashikuara të pasurive, si përshtatet kjo në regjimin ekzistues të sanksioneve dhe për sa kohë do të jenë këto pasuri vërtet të ngrira?", i vuri ajo në dukje Zërit të Amerikës ndërsa radhiste problemet kryesore. “Si mund të garantohet që sanksionet që ngrijnë këto pasuri nuk do të ndryshohen nga evropianët përpara se të sigurohet shuma 50 miliardë?”.

 

Moska ka kërcënuar se do të kundërpërgjigjet. Në maj, presidenti Vladimir Putin nënshkroi një dekret që Rusia të identifikojë pronat amerikane, përfshirë letrat me vlerë, që mund të përdoren si kompensim për humbjet e pësuara si rezultat i sekuestrimit të pasurive të ngrira ruse në Shtetet e Bashkuara.

Video

Ky është momenti kur katër astronautët e anijes kozmike Dragon Endeavour marrin frymë për herë të parë pas gati pesë muajsh qëndrimi në hapësirë, duke u rikthyer gradualisht në gravitetin e Tokës. Qëndrimi i gjatë në Stacionin Ndërkombëtar Hapësinor ka ndikime të konsiderueshme në trupin e njeriut. Jetesa në mikrogravitet dobëson muskujt dhe kockat, ndërsa në disa raste mund të ndryshojë edhe forma e syve. Përveç kësaj, fluturimi i kthimit në Tokë, me lëvizjet intensive dhe kalimin përmes atmosferës, mund të shkaktojë shqetësime fizike. Pas uljes së suksesshme, astronautët do të kalojnë në një program rikuperimi të detajuar në ambientet speciale të NASA-s. Ata do të monitorohen nga ekipe mjekësore dhe do të ndjekin ushtrime rehabilitimi për të rifituar forcën, balancën dhe përshtatjen me jetën në Tokë.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara Donald Trump deklaroi se Irani nuk ka plane për të kryer ekzekutime, mes shqetësimeve ndërkombëtare për fatin e protestuesve antiqeveritarë të ndaluar nga autoritetet iraniane. Duke folur nga Zyra Ovale, Trump tha se kishte marrë garanci se vrasjet dhe ekzekutimet në Iran janë ndalur. “Na është thënë se vrasjet në Iran kanë ndaluar dhe se nuk ka plan për ekzekutime,” u shpreh ai, pa specifikuar burimet, duke theksuar vetëm se informacioni i ishte dhënë nga “burime shumë të rëndësishme nga pala tjetër”. Deklarata vjen në një kohë kur autoritetet iraniane kishin ngritur shqetësime për mundësinë e ekzekutimit të protestuesit 26-vjeçar Erfan Soltani, i arrestuar pak ditë më parë, sipas familjarëve të tij dhe Departamentit Amerikan të Shtetit.

Pas arratisjes së Altin Ndocit nga spitali i burgut, autoritetet kanë nisur transferimin e të dënuarve me rrezikshmëri të lartë nga burgu i Durrësit drejt burgut të sigurisë së lartë në Fier, pasi Durrësi nuk ka regjim të tillë sigurie. Ndoci u arratis gjatë trajtimit mjekësor dhe ende nuk është kapur, pavarësisht kontrolleve intensive. Në lidhje me ngjarjen janë arrestuar tetë persona, ndërsa hetimet vijojnë.

Kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen: “Groenlanda i përket popullit të saj. Prandaj, i takon Danimarkës dhe Groenlandës, dhe vetëm atyre, të vendosin për çështjet që lidhen me Danimarkën dhe Groenlandën. Groenlanda është pjesë e NATO-s.”

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive?

Bashkohuni me grupin tonë privat.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme