Pas një tjetër proteste të opozitës, të gjashtën me radhë të quajtur “kombëtare”, Sali Berisha doli para mbështetësve për të shpallur atë që në retorikën e tij është bërë tashmë një ritual i njohur: fitoren morale dhe premtimin se protesta e ardhshme do të jetë edhe më e madhe.
Duke iu drejtuar turmës, Berisha falënderoi protestuesit për “guximin dhe trimërinë”, ndërsa tha se ata kishin nderuar 22 marsin, datën që lidhet me fitoren e parë elektorale të Partisë Demokratike në vitin 1992. Sipas tij, protesta e sotme nuk ishte vetëm një përkujtim historik, por edhe një “goditje e merituar ndaj diktaturës së sotme”.
“Nderuat më shumë se kurrë këtë datë historike të kombit shqiptar. Ishte një betejë e shkëlqyer dhe ju garantoj se tjetra do të jetë edhe më e shkëlqyer”, deklaroi Berisha, duke lënë të kuptohet se seria e protestave do të vazhdojë, edhe pse rezultati politik i tyre mbetet po aq i paqartë sa edhe herët e tjera.
Në fjalimin e tij nuk munguan as paralajmërimet dramatike për fundin politik të Edi Ramës, për të cilin Berisha tha se “nuk do të ketë më strofull, vrimë miu ku të futet”, ndërsa premtoi se “kryengritja paqësore” do ta çojë atë “në Lanë, në koshat e plehrave të historisë”.
Ironia e momentit ishte se edhe vetë Berisha u prek nga gazi lotsjellës i përdorur gjatë tensioneve, por këtë e kaloi shpejt si një “akt të shëmtuar”, pa i kushtuar shumë rëndësi episodit.
Në fund të fjalës, Berisha përsëriti kërkesën për dorëheqjen e kryeministrit dhe premtoi vazhdimin e protestave, duke paralajmëruar se tubimi i radhës do të njoftohet së shpejti.
Deri atëherë, opozita mbetet në ciklin e saj tashmë të njohur: një protestë që shpallet historike, një “betejë e shkëlqyer” që pasohet nga premtimi për një tjetër edhe më të shkëlqyer.






















