Kreu i Dhomës Amerikane të Tregtisë në Tiranë, Grant Van Cleeve, i ka drejtuar një letër publike kryeministrit Edi Rama dhe disa prej titullarëve më të lartë të qeverisë shqiptare në lidhje me projektin dhe tenderin për portin e ri të Porto Romanos.
Në letrën e tij, Van Cleeve e cilëson këtë projekt si një vendim që merret vetëm një herë në një shekull dhe kërkon shtyrjen e tenderit të planifikuar për datën 9 mars. Sipas tij, projekti aktual është shumë i vogël dhe, nëse realizohet në këtë formë, mund t’i heqë Shqipërisë mundësinë historike për të qenë një qendër konkurruese logjistike në rajon.
Letra i drejtohet kryeministrit Edi Rama, ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë Enea Karakaçi, ministrit të Mbrojtjes Ermal Nufi, si dhe drejtorit ekzekutiv të Autoritetit Portual të Durrësit, Liburn Aliu.
Sipas Van Cleeve, Shqipëria ka një mundësi historike për të riformësuar gjeometrinë logjistike të Ballkanit dhe për të zhvendosur gravitetin ekonomik të rajonit përmes ndërtimit të një infrastrukture të madhe të ankoruar në Porto Romano.
Ai thekson se infrastruktura është inxhinieri, ndërsa dominanca logjistike është çështje qeverisjeje dhe lidershipi. Në këtë kuptim, vendimi për Porto Romanon nuk është thjesht një projekt ndërtimi, por një zgjedhje strategjike që do të përcaktojë pozicionin gjeopolitik dhe ekonomik të Shqipërisë në Evropën Juglindore për dekadat e ardhshme.
“Portet ndërtohen një herë në një shekull dhe gabimet strategjike të bëra në portet mund të përcaktojnë fatin e një kombi për një shekull,” shkruan ai.
Sipas tij, projekti aktual i Porto Romanos është shumë i kufizuar në shkallë. Ai parashikon vetëm 400 metra mur moli dhe rreth 38 hektarë sipërfaqe portuale.

Van Cleeve thekson se portet sot konkurrojnë në shkallë dhe se një port që në praktikë mund të akomodojë vetëm një anije të madhe nuk mund të konkurrojë me portet e mëdha të rajonit, si Pireu apo Selaniku.
Ai paralajmëron se nëse Porto Romano ndërtohet në këtë shkallë të kufizuar, atëherë Korridori 8 do të dështojë në mënyrë strukturore dhe flukset kryesore të mallrave në Evropën Juglindore do të vazhdojnë të kontrollohen nga portet greke, duke e lënë Shqipërinë jashtë sistemit kryesor logjistik të Mesdheut për dekadat e ardhshme.
Sipas tij, korridoret e transportit ndjekin portet dhe jo e kundërta. Një port i vogël, thekson ai, nuk mund të gjenerojë volumet e mallrave që nevojiten për të mbështetur një korridor të madh logjistik lindje-perëndim si Korridori 8.
Van Cleeve vendos gjithashtu theksin te dimensioni gjeopolitik i projektit. Ai kujton se për shkak të pozicionit të saj mes Adriatikut dhe Detit të Zi, Korridori 8 ka qenë një objektiv strategjik për më shumë se tre dekada.
Megjithatë, ai paralajmëron se në rajone ku ekziston konkurrencë gjeopolitike, infrastruktura nuk është kurrë neutrale. Sipas tij, disa aktorë përfitojnë nga ruajtja e flukseve aktuale të transportit veri-jug, të përqendruara rreth porteve të tjera të Mesdheut.
Në këtë kuadër, ai argumenton se Porto Romano mund të shndërrohet në platformën qendrore logjistike të Evropës Juglindore nëse projektohet në shkallë strategjike.
Sipas tij, një port i tillë duhet të synojë thellësi ujore prej 18 metrash, kapacitet mbi 2 milion TEU për kontejnerë, zona të mëdha logjistike dhe zona të lira tregtare, terminale Ro-Ro dhe energjie – përfshirë LNG nga SHBA – si dhe infrastrukturë detare që mund të përdoret edhe për qëllime strategjike të NATO-s.
Një Porto Romano i tillë, thekson ai, do ta vendoste Shqipërinë në qendër të zinxhirëve rajonalë të furnizimit dhe do të forconte mobilitetin strategjik të NATO-s në Evropën Juglindore.
Në fund të letrës, Van Cleeve shtron një pyetje që sipas tij përmbledh thelbin e vendimit strategjik:
“A do të varet Shqipëria nga Pireu dhe Selaniku – apo do të varen Ballkani nga Porto Romano?”
Ai kërkon që tenderi i planifikuar për 9 mars të shtyhet dhe projekti të rishikohet në përputhje me kërkesat më të fundit të NATO-s dhe zhvillimin e Korridorit 8.
Sipas tij, ekziston mundësia që brenda këtij viti të zhvillohet një projekt më i madh EPC+F për Porto Romanon, i bashkëfinancuar nga partnerë nga Shtetet e Bashkuara dhe Italia dhe i realizuar nga kompani strategjike nga SHBA, Italia, Holanda dhe Turqia.
Ai shton se kompani të mëdha amerikane të inxhinierisë mund të asistojnë në rishikimin e projektimit të portit, si dhe të infrastrukturës rrugore dhe hekurudhore të lidhur me Korridorin 8, të ndërtuara sipas standardeve të NATO-s dhe në koordinim të plotë me aleancën.






















