Në peizazhin politik të Ballkanit, fushata zgjedhore nuk është thjesht një garë programesh, por një fushëbetejë e sofistikuar dezinformimi. Raportet e monitorimit për zgjedhjet e vitit 2025, tregojnë një divergjencë rrënjësore mes Prishtinës dhe Tiranës në burimin e kësaj propagande. Kosova përballet me tentativa të shteteve të huaja për të trazuar zgjedhjet përmes informacioneve të deformuara, ndërsa në Shqipëri, në mungesë të influencave të jashtme, dezinformimi prodhohet së brendshmi, për armiqtë politikë.
Esiona Konomi & Xhemajl Rexha
Në Shqipëri u mbajtën në maj zgjedhjet e përgjithshme parlamentare ndërsa qytetarët e Kosovës shkuan 4 herë drejt kutive të votimit gjatë vitit 2025, dy herë për zgjedhjet nacionale dhe dy të tjera për të dyja raundet që nxorën kryetarët e rinj të 38 komunave të saj.
Ndikimi i huaj
Në Kosovë, procesi zgjedhor përballet me një agresion informativ që vjen kryesisht nga jashtë kufijve.
Kosova vazhdon të mbetet cak i ndërhyrjeve nga jashtë, kryesisht Serbia dhe Rusia. Një hulumtim i BIRN Kosova për zgjedhjet e shkurtit 2025, i titulluar “Gjuha e urrejtes dhe dezinformimi gjatë zgjedhjeve 2025 në Kosovë”, kishte gjetur ndërhyrje dezinformuese nga shteti rus dhe mediat e financuara nga Kremlini.
Hulumtimi ka gjetur se në dy muaj para dhe pas zgjedhjeve lokale të 12 tetorit, mediat e kontrolluara nga shteti rus kanë publikuar 353 artikuj dezinformues. Sputnik, me qendër në Beograd në këtë periudhë publikoi 193 artikuj për Kosovën, kurse Russia Today Balkans, po me qendër në Beograd 125 të tillë. Pjesa tjetër u publikua nga mediumi Pravda, duke përfshirë në gjuhën shqipe, si dhe nga agjencia TASS.
Në fushatën propaganduese kundër Kosovën në periudhë zgjedhjes u përfshinë edhe zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme të Rusisë, Maria Zakhraova si dhe vetë ministri i jashtëm rus, Sergey Lavrov.
Ndryshe nga Kosova, Shqipëria paraqitet pothuajse e "imunizuar" nga ndërhyrja e huaj, aq më pak ndikimet direkte ruse apo serbe në zgjedhje, por vuan nga një fenomen po aq toksik: propaganda autoktone. Në Shqipëri, makineria e dezinformimit "gatuhet" brenda zyrave të partive politike.
Burimi i dezinformimit nuk janë qendrat e huaja, por "fermat e trolleve" vendase dhe portalet e financuara nga aktorë politikë apo ekonomikë lokalë.
Objektivi nuk është shtetësia, por kundërshtari. Komentet vijnë nga profile që kanë foto peizazhesh, makinash ose flamujsh, me pak miq dhe të krijuara së fundmi (zakonisht para fushatave). Një lajm që kopjohet me shpejtësi në qinra portale, promovohet me pagesë në rrjetet sociale, por nuk ka një subjekt juridik transparent që mban përgjegjësi për reklamën.
Ndërsa gazetarët në Kosovë duhet të bëjnë "fact-checking" ndaj narrativave që vijnë nga Beogradi apo Moska për të mbrojtur integritetin e shtetit, në Shqipëri sfida mbetet filtrimi i sulmeve të orkestruara brenda llojit, ku e vërteta shpesh mbytet nga zhurma e qëllimshme e fabrikave vendase të propagandës.
Materialet e gatshme
Në Shqipëri, prej vitesh është konsoliduar praktika ku partitë politike ose kandidatët ofrojnë materiale të gatshme, të xhiruara dhe të montuara nga ekipet e tyre elektorale, të cilat transmetohen në media.
Për fushatën e 11 majit, materiale të tilla dominuan transmetimet televizive dhe në pjesën më të madhe të rasteve, as në edicionin e lajmeve, ato nuk mbanin asnjë shënim për tu treguar votuesve se ky nuk ishte një produkt i pavarur i gazetarëve.
“Ishte i përhapur përdorimi i pamjeve të gatshme të përgatitura nga vetë partitë politike, të cilat transmetoheshin si lajme pa u identifikuar si të tilla. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) nuk mori masa për ta adresuar këtë praktikë”,-thuhej në raportin e ODIHR për Shqipërinë.
Ky fenomen është i kufizuar në Kosovë dhe nuk është kthyer në një normë.
Aksesi i gazetarëve në evente
Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë bëri një thirrje përpara zgjedhjeve që partitë dhe kandidatët të bëjnë transparente axhendën e tyre elektorale dhe takimet me publikun. Por pavarësisht kësaj, dy kandidatët kryesore për kryeministër, Edi Rama dhe Sali Berisha nuk publikuan në avancë agjendën e tyre dhe kësisoj gazetarët nuk mund të planifikonin udhëtime në terren për të xhiruar dhe raportuar në mënyrë të pavarur takimet elektorale.
“Gazetarët u detyruan të ndjekin fushatën “live” përmes rrjeteve sociale të liderëve, ndërkohë që ata që tentuan të afrohen në mitingjet e tyre (kryesisht të kryeministrit në detyrë) nuk u lejuan nga forcat e sigurisë të transmetonin, me argumentin se aktiviteti ofronte sinjal të gatshëm. E njëjta gjë ndodhi edhe me kandidatët kryesorë”,-thotë AGSH.
Prodhimet e pavarura të gazetarëve në Shqipëri ishin thuajse inekzistente.
Në Kosovë, gazetarët patën akses të plotë në të gjitha tubimet e subjekteve politike në garë. Derisa televizionet e mëdha ndjekin nga afër këto tubime, sidomos të partive kryesore, një pjesë e medias nuk kanë resurse të mjaftueshme për të bërë një gjë të tillë. Ato, pastaj, u varën nga transmetimet direkt të këtyre ngjarjeve në kanalet zyrtare të partive në Facebook apo YouTube. Mediat që ndjekin tubimet nga afër, sollën prapaskena të tyre dhe më shumë zëra, sesa mediat që u varën direkt nga transmetimet që kanë një regji partiake.
Mbulimi i zgjedhjeve të 28 dhjetorit ka kaluar pa probleme të theksuara, por në fushatën e shkurtit 2025, gazetarët kanë qenë cak i sulmeve dhe pengesave nga partia më e madhe, Vetëvendosje. Gazetarët e kameramanë të dy medieve, Klan Kosova dhe Nacionale janë penguar fizikisht dhe ngacmuar në qytete të ndryshme, jo vetëm nga mbështetës të Vetëvendosjes, por edhe zyrtarë të saj. Në natën e zgjedhjeve, më 9 shkurt, u shënuan një seri incidentesh, duke përfshirë përpjekjen e një individi për të shtypur me makinë gazetaren e Klan Kosovës, në qytetin e Istogut.
Debatet mes kandidatëve
Në Shqipëri nuk u zhvillua asnjë debat televiziv me përballje të kandidatëve apo liderëve. Edi Rama dhe Sali Berisha, rivalë politikë që nga viti 2005, nuk kanë zhvilluar kurrë debat në ndonjë studio mediatike apo sfond tjetër.
“Mungesë debati konkurrues në emisionet politike: Vetëm 8% e kohës televizive në tre emisionet politike kryesore iu kushtua konfrontimeve të drejtpërdrejta mes aktorëve politikë. Pjesa më e madhe e programeve përfshinte intervista promovuese, profile të personalizuara ose panele të paekuilibruara”,-specifikon raporti i BIRN për Shqipërinë.
Kosova ka zhvilluar një kulturë debati dhe ballafaqimi mes kandidatëve ndër vite, dhe sidomos për zgjedhjet lokale. Edhe në vitin 2025, kandidatët për zgjedhjet komunale u ballafaquan në disa debate, duke përfshirë edhe përballjen ndërmjet Përparim Ramës (LDK) dhe Hajrullah Çekut (Vetëvendosje), në raudin e dytë në garën për Prishtinën. Të dy patën mundësi shteruese për të prezantuar programin dhe vizionin për kryeqytetin e Kosovës, në një program televiziv mbi dy-orësh. Në zgjedhjet e nivelit qendror, nuk ka pasur asnjëherë një ballafaqim të plotë të kandidatëve për kryeministër.
Vetëvendosje e ndryshoi vendimin e shkurtit për të bojkotuar 2 televizione të mëdha private – T7 dhe TV Dukagjini duke dërguar aty zyrtarë të nivelit të lartë. Bojkoti për televizionin Klan Kosova u hoq pjesërisht, me përfaqësues të saj që shkonin vetëm në një emision të caktuar. Një debat i madh mes nënrkyetarësh të 4 subjekteve kryesore – VV, PDK, LDK dhe AAK gjithashtu u organizua si një mundësi e mirë për ballafaqim programesh.
Etika dhe fushata online
Autoritetet në Shqipëri, AMA apo KQZ nuk ndëshkuan deri në këtë fazë asnjë subjekt zgjedhor ose operator mediatik për përdorim të gjuhës së urrejtjes, gjuhës seksiste apo diskriminuese.
Megjithëkëtë, raportet e pavarura ngrenë shqetësim për gjuhën e përdorur nga politikanët dhe të transmetuar përmes medias.
“Shumica e mediave u mbështetën kryesisht në riprodhimin (copy-paste) e mesazheve të partive dhe postimeve në rrjetet sociale, në vend që të prodhonin raportime origjinale të orientuara drejt votuesve”,-tha raporti i BIRN në Tiranë.
Raporti i ODIHR për Shqipërinë vëren mungesën e rregullimit: “Fushata në rrjetet sociale nuk ishte e rregulluar shprehimisht me ligj, dhe asnjë autoritet nuk ishte përgjegjës për monitorimin e dezinformimit apo përmbajtjeve manipulative”.
Përfaqësuesit e partive politike në Kosovë përdorën gjuhë të ashpër dhe ofenduese në raport me njëri-tjetrin. Kampion në këtë sjellje ishte kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti. Në fjalimin e fitores së 9 shkurtit, ai i quajti liderët e opozitës “hajvanë”, një fjalë në gjuhën turke për “kafshë”. Vetëvendosje gjatë gjitë vitit u angazhua në fushata denigruese kundër mediave dhe gazetarëve. Përfaqësuesi i saj në KQZ, Sami Kurteshi e quajti Aleancë të Grupeve Kriminale (AGK), Asociacionin e Gazetarëve të Kosovës (AGK), organizatën e vetme në vend që avokon për sigurinë e gazetarëve dhe lirinë e medias.
Përfaqësuesit opozitarë, në anën tjetër e akuzuan kryeministrin Kurti dhe ministrat e Vetëvendosjes për “hajni”, korrupsion dhe nepotizëm. Në disa raste Kurti u quajt “anti-amerikan”, e në rastin më të rëndë u vu në pikëpyetje shëndeti i tij mendor.
Për gjuhë të urrejtjes në vitin 2025, pati ankesa edhe në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, organ i ankesave në KQZ. Ky institucion mori vendime kundër Koalicionit për Familje në zgjedhjet e shkurtit, pas ankesave të komunitetit LGBT.
Partia më e madhe e komunitetit serb në Kosovë, Lista Serbe u dënua disa herë gjatë vitit, për shkak të transmetimit të videoklipeve me përmbajtje kundër rendit kushtetutes të Republikës së Kosovës.
Gratë në media
Birn dhe ODIHR vërejnë se, edhe pse kandidatet gra ishin me numër të lartë, gati të barabartë me burrat në zgjedhjet e 11 majit në Shqipëri, një numër i ulët i tyre pati hapësirë mediatike, qoftë në televizion, apo në portale. Ato gjithashtu ishin viktima të komenteve denigruese në platformat online.
Kosova kë një grua presidente, për herë të dytë në historinë e saj të re, por përfaqësimi i grave në nivel lokal vazhdon të mbetet minimal. Asnjë grua nuk u zgjodh kryetare në ndonjërën nga 27 komunat me shumicë shqiptare.
Monitoruesit e fushatës kanë vërejtur se gratë kanë qenë të nënpërfaqësuara në tubimet elektorale të të gjitha partive politike, me numër të papërfillshëm të tyre që kanë mbajtur fjalime. Një situatë e ngjashme u vërejt edhe në debatet politike në media, ku pati një numër disproporcianlisht më të madh të kandidatëve burra për deputetë që u bënë pjesë e diskutimeve.






















