Politika 1 Qershor 2024, 12:46 Nga VNA

Nisma e PS, SHBA e BE këmbëngulin në nevojën e një procesi gjithëpërfshirës

Ndaje në Whatsapp
Nisma e PS, SHBA e BE këmbëngulin në nevojën e një

Në Shqipëri ambasada amerikane dhe Delegacioni i Bashkimit europian këmbëngulin në nevojën e gjithëpërfshirjes në procesin përmes së cilit, shumica socialiste e kryeministrit Edi Rama, synon realizimin e një cikli të ri reformash që do të duhet të trajtojnë problemet e mirëqeverisjes, sundimit të ligjit dhe luftës ndaj korrupsionit. Dy përfaqësitë kryesore diplomatike në Tiranë, komentuan për Zërin e Amerikës hapat e hedhur në parlament për këtë nismë, ku brenda katër ditësh u miratua rezoluta e më pas dhe ngritja e një komisioni të posaçëm. Ambasada amerikane “vëren nxitimin me të cilin u kaluan në parlament rezoluta dhe vendimi”. Ndërsa Delegacioni i BE-së nga ana e tij, vë në dukje faktin që ngritja e komisionit u bë “pa mbështetjen e opozitës”.Kjo e fundit ka shprehur skepticizëm të hapur ndaj kësaj nisme dhe në të dy rastet zgjodhi të bojkotojë votimin e tyre në parlament.

Si në rezolutë ashtu dhe në objektin e punës së Komisionit të Posaçëm, flitet për një proces të thelluar reformimi “për të përmirësuar dhe konsoliduar praktikat e mirëqeverisjes në të gjitha nivelet”, për “një luftë më të thellë ndaj korrupsionit” dhe “forcimin e mëtejshëm të zbatimit të ligjit”. Komisioni do duhet të realizojë “një vlerësim dhe analizë të situatës në të tre fushat” dhe më pas të kalojë në “hartimin dhe miratimin e një Plani veprimi me kohështrirje afatgjatë dhe të qëndrueshme, duke rekomanduar edhe masa konkrete për ndryshime të mundshme ligjore dhe institucionale”.

Ndonëse në dokumentat e propozuara prej saj, shumica flet për një proces gjithëpërfshirës shoqëruar me konsultime të gjera, mënyra se si ajo avancoi me shpejtësi, përballë një opozite që po i kritikonte hapat e saj, duket se ka bërë që si ambasada amerikane ashtu dhe Delegacioni i BE-së, t’i mëshojnë me forcë këtij momenti. “Besojmë se procesi i propozuar kërkon një diskutim të bashkërenduar, gjithëpërfshirës me të gjithë aktorët, çka është kyç për suksesin e punës se komisionit të posaçëm”, shprehet ambasada amerikane duke vënë në dukje se diçka e tillë do të jetë po ashtu “kyçe dhe për mbështetjen tonë për të”.

Ndërsa Delegacioni i BE-së , thekson se “konsultimet kuptimplotë dhe gjithëpërfshirëse janë po aq të nevojshme sa gjithnjë, duke marrë parasysh rëndësinë thelbësore të çështjeve të trajtuara nga kjo nismë. Do të jetë thelbësore të arrihet një mbështetje ndërpartiake”. Sipas përfaqësisë europiane “është me rëndësi jetike që procesi parlamentar i propozuar të jetë i bazuar në prova, të jetë transparent, të gëzojë mbështetje të fortë ndërpartiake dhe të mbështetet në një konsultim gjithëpërfshirës dhe kuptimplotë me të gjitha institucionet dhe palët e interesuara, duke përfshirë edhe shoqërinë civile”.

Debatet që kanë shoqëruar nismën e socialistëve kanë ushqyer shqetësime për ndërhyrje të mundshme në reformën në Drejtësi, e cila pati SHBA-të dhe BE-në si sponsorët e saj të fuqishëm. Në dokumentat e miratuara socialistët zotohen të garantojnë “pakthyeshmërinë” e kësaj reforme. E megjithatë, ambasada amerikane në komentet e saj për Zërin e Amerikës shprehet se “theksojmë angazhimet e ndërmarra brenda masave të miratuara në parlament për pakthyeshmërinë e reformës në drejtësi, angazhime të cilat njohin shtyllat dhe parimet kushtetuese që janë në themel të reformës në drejtësi të miratuar në vitin 2016. Kjo përfshin pavarësinë dhe paanësinë e institucioneve të drejtësisë dhe vetëqeverisjes së sistemit të drejtësisë. Këto parime janë kyçe për punën e komisionit të posaçëm për të çuar përpara mirëqeverisjen, luftën kundër korrupsionit dhe sundimin e ligjit”. Edhe Delegacioni i BE-së vë në dukje se “parimi kryesor duhet të jetë pakthyeshmëria e reformës në drejtësi të vitit 2016”.

Shumica shprehet se procesi do të ketë si “udhërrëfyes gjetjet dhe rekomandimet e raporteve të Bashkimit Evropian dhe raportit Screening të Komisionit Evropian për grupkapitullin e pare”. Delegacioni i BE-së nga ana e tij nënvizon se “nisma duhet të bazohet në arritjet e mëparshme të reformës dhe të jetë në përputhje me parimin kushtetues të kontrollit dhe balancimit, me gjetjet e raporteve të shqyrtimit analitik të legjislacionit dhe me angazhimet në kuadër të procesit të anëtarësimit në BE. Duhet të respektojë plotësisht marrëdhëniet ekzistuese mes Kuvendit dhe institucioneve të pavarura, siç garantohet nga Kushtetuta”.

Mbetet për t’u parë nëse shumica do të përpiqet të tërheqë në këtë proces opozitën, e cila duhet të përfaqësohet me 5 nga 11 anëtarët e komisionit, apo do të vijojë e vetme për ta çuar përpara nismën e saj.

Nga Armand Mero për VOA

Video

Një incident i rëndë është regjistruar në Aeroportin e Araxos gjatë uljes së një avioni të kompanisë TUI, tip Boeing 737-8, i quajtur “Patra”. Ngjarja ndodhi kur një shkallë ku ishin ngjitur gazetarë dhe fotoreporterë për të mbuluar momentin u shemb papritur. Si pasojë, tre persona mbetën të plagosur dhe u transportuan me ambulancë në spital për trajtim mjekësor. Të lënduarit janë një gazetar nga Athina, një kameraman dhe një fotoreporter nga Patra, të cilët pësuan dëmtime në gjymtyrë. Persona të tjerë të medias që ndodheshin në vendngjarje pësuan lëndime të lehta dhe nuk patën nevojë për shtrim në spital. Dyshohet se shkalla u shemb për shkak të mbingarkesës, pasi mbi të ishin ngjitur rreth 10–15 persona për të siguruar pamje më të mira.

Përveç atyre që u vetëpërjashtuan nuk ka

Presidenti i Federatës Palestineze të Futbollit ka refuzuar t’i japë dorën presidentit të FIFA-s, Gianni Infantino, gjatë Kongresit të 76-të të FIFA-s, në një moment që u bë i dukshëm publikisht. Ngjarja ndodhi në kuadër të një përpjekjeje për një gjest simbolik pajtimi, i cili përfshinte edhe një fotografi të përbashkët me përfaqësues të federatave të Izraelit dhe Palestinës. Megjithatë, përfaqësuesit palestinez nuk pranoi të marrë pjesë në këtë skenë protokollare, duke thënë se ata po vuajnë si pasojë e agresionit izraelit.

Aktivistët e Global Sumud Flotilla, të ndaluar në ujëra ndërkombëtare nga forcat izraelite, denoncojnë 40 orë trajtim brutal në një anije ushtarake: dhunë fizike, mungesë ushqimi e uji dhe detyrim për të fjetur në dysheme të përmbytur. Ata thonë se edhe rezistenca paqësore ndaj arrestimit të disa pjesëmarrësve u përball me “dhunë të pastër”, duke lënë disa me plagë serioze. Pas mbërritjes në Crete, pretendohet se policia greke i mbajti në autobusë pa i lejuar të zbresin.

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive?

Bashkohuni me grupin tonë privat.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme