Bota 23 November 2024, 22:50 Nga VNA

Marco Rubio dhe politika e jashtme

Ndaje në Whatsapp
Marco Rubio dhe politika e jashtme

Presidenti i zgjedhur Donald Trump ka emëruar Senatorin republikan, Marco Rubio, për të drejtuar politikën e jashtme amerikane gjatë katër viteve të ardhshme të presidencës republikane. Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës, Steve Herman, republikani Rubio ka përfaqësuar shtetin e Floridës në Senatin e Shteteve të Bashkuara që nga viti 2011 dhe shërben në komisionin për Marrëdhëniet me Jashtë dhe komisionin për Zbulimin.

Senatori Marco Rubio, 53 vjeç, është bir emigrantësh nga Kuba. Nëse konfirmohet nga Senati, ai do të bëhet i pari sekretar shteti me prejardhje hispanike. Zoti Rubio njihet për qëndrimet e ashpra ndaj regjimeve autoritare në Kubë, Nikaragua, Venezuelë dhe Kinë.

“Ka treguar vendosmërinë për një sërë çështjesh, sigurisht edhe Kina mes tyre”, thotë analisti Michael O’Hanlon me Institutin Brookings.

Senatori Rubio ka thënë se Kina është në një linjë me Iranin, Korenë e Veriut dhe Rusinë kundër Shteteve të Bashkuara.

Pas agresionit rus në shkallë të gjerë kundër Ukrainës në vitin 2022, zoti Rubio ishte një mbështetës i zëshëm i Kievit. Kohët e fundit ai ka bërë thirrje për negociata për t’i dhënë fund konfliktit ndërsa në muajin prill votoi kundër një pakete ndihme prej 95 miliardë dollarësh.

Zëri i Amerikës bisedoi hulumtuesen e politikës së jashtme, Vilma Petrash, profesore në Kolegjin Miami-Dade.

“Pavarësisht pritshmërive, duhet të jemi realistë. Shtetet e Bashkuara do t'i japin përparësi interesave të tyre mbi ato të pjesës tjetër të botës”, shprehet ajo.

Kur bëhet fjalë për Lindjen e Mesme, zoti Rubio ka qenë një mbështetës i fortë i Izraelit, në të njëjtën linjë me republikanin Trump. Senatori Rubio i ka bërë thirrje Izraelit që ta zhdukë Hamasin nga Gaza, ndërsa ka kundërshtuar armëpushimet, për të cilat ai thotë se do të mundësonin rigrupimin e Hamasit, që cilësohet si organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara./VOA/

Video

Elektriçistët po vdesin në shtyllat e OSHEE-së: tre viktima në pak muaj dhe ende asnjë përgjegjësi

Elektriçistët po vdesin në shtyllat e OSHEE-së: tre viktima në pak muaj dhe ende asnjë përgjegjësi

Aksidentet rrugore në rritje, siguria në shkolla fillon nga siguria në rrugë

“Pse nuk takon qytetarët, por administratën?” Rama mbyll takimin me qytetarët por qytetarët që kërkuan t’i flisnin përfunduan në polici. Video: Disidentët

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme