Sociale 16 Dhjetor 2024, 14:14 Nga VNA

Kulturë vs Tallava/ Tallavaja përballë TKOBAP-së

Ndaje në Whatsapp

Përveç peizazhit dhe klimës që i ka krijuar natyra, Shqipëria ofron edhe gjëra të tjera këndshme e të pëlqyeshme. I ofron ato ashtu qetësisht, pa shumë bujë e zhurmë, si oaze kulture në mes të shkretëtirës së tallavasë, që fatkeqësisht po pushton çdo cep. Një nga këto oaze, ku arratisesh prej zhurmës, rrëmujës dhe ndotjes, është shndërruar këto kohë Teatri Kombëtar i Operës, Baletit dhe Ansambli Popullor (TKOBAP), me repertorin e pasur të veprave operistike, koncerteve simfonike, muzikës së dhomës e baletit.

Unë nuk jam artiste. Nuk kam ndjekur kurrë asnjë shkollë apo kurs arti. Megjithatë, i ndjek shfaqjet artistike si për të qetësuar mendjen dhe shpirtin, kudo ku më jepet rasti. Në Shqipëri i ndjek edhe si një kontribut modest mbështetjeje për artin dhe artistët shqiptar.

Me cilësinë e artdashësit me përvojë, them me bindje që TKOBAP është ndër të paktët institucione në Shqipëri që po bën një punë me cilësi e të dobishme për të gjithë. Janë sjellë për publikun kryevepra boëtrore. Në skenë janë paraqitur dhe kanë mrekulluar publikun së bashku artisë të huaj dhe shqiptarë. Kundrejt një çmimi modest (1.500 lekë), artdashësit në Tiranë kanë mundësi të shohin të luhen me finesë vepra mjaft të bukura, të mbështetura po aq hijshëm nga skenografia dhe kostumografia, që të mrekullon gjithnjë e më shumë.

Nuk është e tepërt të renditen këto lavdërime për shfaqjet që jepen në TKOBAP. Meritë mund të ketë patjetër Ministria e Kulturës, që gjithnjë përmendet si mbështetëse e aktiviteteve kulturore, drejtoria e TKOBAP-së, apo sponsorët e tij. Por mrekullinë ta dhuron trupa e artistëve shqiptarë, atyre që jetojnë e punojnë në Tiranë, apo e atyre që megjithëse janë bërë të famshëm në skena botërore nuk ngurrojnë aspak t’i bashkohen repertorit të TKOBAP-së, si Saimir Pirgu apo Ermonela Jaho, dhe padyshim edhe e artistëve që vijnë nga skenat botërore, që janë jo pak dhe jo të padëgjuar.

Shfaqja e fundit e vënë në skenë për vitin 2024 (në foto), opera Luçia e Lamermurit (Lucia di Lammermoor) e Donixetit ishte një tjetër mrekulli artistike e luajtur në skenën e TKOBAP-së, me rolet kryesore të luajtuara nga sopranoja australiane Xhesika Prat (Lucia) dhe tenori Italian Rafaele Abete (Edgardo), krahas artistëve shqiptarë. Efektet artistike të skenës dhe kostumeve i dhanë edhe më shumë emocion.

Mbi gjithçka mrekullia (fjalë e përdorur me të drejtë disa herë në këtë shkrim) vjen nga loja e instrumentistëve të orkestrës së TKOBAP-së, nën dirigjimin e italianit Jakopo Sipari di Peskaseroli (Jacopo Sipari di Pescasseroli). Cilido që ka mundësuar tërheqjen e këtij artisti, i diplomuar edhe si jurist, në TKOBAP ka bërë padyshim një zgjedhje të shkëlqyer. Jo vetëm virtuoziteti dhe pasioni në dirigjim, por duket që edhe vetë cilësia e shfaqjeve artistike është ndikuar nga dashuria me të cilën Jakopo drejton. Një dirigjent që rrezaton inteligjencë dhe disiplinë, ia ka dalë mbanë madje të disiplinojë edhe publikun shqiptar në sallë (në sallë nuk dëgjon më biseda apo tringëllim celularësh si dikur), e cila është gjithnjë e më shumë plot. Shpesh i ndjek shfaqjet e TKOBAP-së duke preferuar një ulëse në rreshtat e parë, ku skena nuk shihet mirë, po nga ku mund të ndjekësh çdo detaj të lojës së orkestrës dhe dirigjimin e Jakopos. E gjitha kjo për të shijuar më mirë performancën e Jakopos, atë që duket se është shndërruar në shpirtin e cilësisë dhe dinamizmit të shfaqjeve të TKOBAP-së. Është kjo lojë që të bën të harrosh difektet që ende i ka infrastruktura e sallës së shfaqjeve dhe të ndihesh se je në një tjetër botë…

Tallavaja përballë TKOBAP-së

… e cila të shembet sapo del nga dera hyrëse e TKOBAP-së dhe përballesh me rrëmujën, zhurmën, pisllëkun e “shfaqjeve” tallava që organizon shpesh Bashkia e Tiranës në sheshin “Skënderbe”. Duke e trajtuar këtë shesh si ta ketë këndin e vet të lojërave, Bashkia e Tiranës të ofron një spektakël vulgar dhe të bastarduar sa herë ka festa apo sajesa festash e panairesh. Nuk do të përshkruaj më tej rrëmujën dhe shëmtinë e sheshit në këtë fundvit. Frekuentimi i shumtë nuk është tregues cilësie, është tregues i thjeshtë sasior, ndoshta i të rinjve energjikë që qyteti i tyre nuk u ofron argëtime më të kuptimta sesa birraritë, qoftet, dritat dhe zhurmat, si dhe parku i përkohshëm i lojërave hekurishte nga ku dëgjohen ulërime frike e adrenaline. Në vend që buxheti i Bashkisë të përdoret për edukim dhe argëtim më cilësor e me më përmbajtje njerëzore, jam e bindur që në tallavanë e sheshit çdokush harxhon më shumë sesa 1.500 lekë, bileta e një shfaqjeje të TKOBAP-së, për shumë më pak vlerë. Tek ecja në shesh, pasi lashë pas shfaqjen Lucia e Lamermurit, dëgjoj dikë të ankohej se Bashkia gjithnjë organizon shëmtueshëm sheshin “Skënderbe” për fundvit, por këtë vit më keq se çdo herë tjetër. Kishte të drejtë. Në fakt këtë fundvit është e dukshme “varfëria” e “shkëlqimit” bashkiak të Tiranës. Jo vetëm zbukurimet janë kufizuar vetëm në shesh dhe në bulevard, por ato janë edhe më të shëmtuara se çdo vit tjetër. Ka rënë, pra, cilësia e tallavasë së Bashkisë. Ndërkohë që duke ecur po mendoja dhe sa siguri ka gjithë ajo ngarkesë hekurishtesh mbi sheshin “Skënderbej”, sepse të mos harrojmë që tani më shumë se shesh është në fakt tavani i parkingut poshtë. A ka bërë njeri matjet e duhura?...

Trëndelina Gashi

Video

Ministrja e Punëve të Jashtme, Elisa Spiropali, gjatë vizitës së saj në Shkup i referohet shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut si pakicë, duke i përmendur në të njëjtin kontekst me pakicën maqedonase në Shqipëri.

Prokuroria ka paraqitur të hënën prova të reja materiale në gjykimin për vrasjen e Liridona Ademajt, ku i akuzuari kryesor është bashkëshorti i saj, Naim Murseli. Si prova kyçe janë shfaqur video-incizime nga mbrëmja e 29 nëntorit 2023, të siguruara nga një lokal në Prishtinë, ku Murseli kishte darkuar për herë të fundit me viktimën dhe dy fëmijët e tyre. Sipas Prokurorisë, në të njëjtin lokal, gjatë gjithë kohës, kishte qëndruar edhe Granit Plava, i akuzuar si ekzekutori i vrasjes. Pamjet tregojnë se Naim Murseli ngrihet nga tavolina me telefon në dorë, afrohet te tavolina ku ndodhej Granit Plava dhe kthehet pas rreth dy minutash, veprim që sipas Prokurorisë përbën sinjalizim për kryerjen e krimit. https://www.vna.al/rajoni/prokuroria-nxjerr-videon-nga-nata-e-s-se-liridona-ademajt-momenti-k-i18162

Rreth orës 12:20 të ditës së sotme, në Rrethrrotullimin e Nartës, në hyrje të qytetit të Vlorës, është regjistruar një incident gjatë një aksioni të përbashkët të IMT/INUV dhe Policisë Bashkiake për lirimin e hapësirave publike. Gjatë aksionit, disa shtetas kanë kundërshtuar zbatimin e masave për heqjen e një strukture të paligjshme, duke ushtruar dhunë ndaj dy punonjësve të Policisë së Qarkullimit Rrugor që kishin ndërhyrë për të shmangur përshkallëzimin e konfliktit. Në përpjekje për të vendosur rendin, një efektiv policie ka qëlluar në ajër me armën e shërbimit, pa pasoja. Si pasojë e incidentit, dy punonjës policie janë dërguar në Spitalin Rajonal Vlorë dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën. Në vendngjarje kanë mbërritur forcat “Shqiponja”, të cilat kanë shoqëruar personat e përfshirë në konflikt.

Vetëm se në vendet që permend Berisha e vjetra u zëvendesua me të renë. Jo me një edhe më të vjetër...

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive?

Bashkohuni me grupin tonë privat.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme