Bota 30 April 2024, 11:24 Nga VNA

Katër të vrarë, 28 të plagosur nga një sulm rus me raketë në Odesa

Ndaje në Whatsapp
Katër të vrarë, 28 të plagosur nga një sulm rus me

Një sulm vdekjeprurës rus me raketa të hënën në portin e Odesës në Detin e Zi, shkaktoi vdekjen e të paktën katër personave dhe plagosjen e të paktën 28 të tjerëve, mes tyre dy fëmijë dhe një grua shtatzënë. Katër nga të plagosurit janë në gjendje të rëndë, tha guvernatori rajonal Oleh Kiper.

Në një postim në aplikacionin e mesazheve Telegram, zoti Kiper tha se një nga fëmijët e plagosur është një djalë 12-vjeçar dhe se goditja dëmtoi disa shtëpi dhe i vuri flakën një ndërtese të madhe që ai tha se ishte një akademi.

Në fjalimin e tij të mbrëmjes, presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy përcolli ngushëllimet për familjet që humbën të dashurit nga sulmi dhe tha se ata që u plagosën po marrin kujdes mjekësor.

Ai përsëriti thirrjen për dërgimin urgjent të armëve nga aleatët.

"Ndihma e shpejtë dhe mbrojtja e jetëve janë ato që na bëjnë të gjithëve në Ukrainë që të vazhdojmë qëndresën," tha ai.

Zoti Zelenskyy tha se bisedoi të hënën me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg mbi rëndësinë e dërgimit në kohë të armëve në Ukrainë.

“Vendimet e marra në kohën dhe masën e duhur për mbrojtjen ajrore për Ukrainën, janë ato që na duhen tani për të mbrojtur jetë”, tha ai.

Gjatë vizitës në Kiev, zoti Stoltenberg tha se aleatët "po punojnë me intensitet për të përmbushur nevojat urgjente të Ukrainës". Zoti Stoltenberg tha në një konferencë shtypi me zotin Zelenskyy, se pavarësisht humbjeve të Ukrainës, nuk është "shumë vonë" që vendi të fitojë luftën kundër Rusisë, nëse merr me shpejtësi armët.

Ai kritikoi vonesën disamujore në ndihmën ushtarake të SHBA-së për Ukrainën, duke shtuar se vonesa të tilla kishin "pasoja serioze në fushën e betejës".

Shefi i NATO-s pranoi se edhe vendet e tjera anëtare të aleancës nuk kanë arritur të përmbushin në kohën e duhur atë që i premtuan Ukrainës.

“Mungesa e municioneve i ka lejuar rusët të përparojnë përgjatë vijës së frontit”, tha zoti Stoltenberg.

Sekretari Stoltenberg vizitoi Ukrainën, ndërkohë që Rusia tha se kishte pushtuar dy fshatra ukrainas në rajonin e Donetskut brenda 24 orëve, ndërsa municionet dhe forcat e Kievit po tkurren në vijën e frontit.

Ukraina dhe partnerët e saj perëndimorë janë në garë me kohën për të dislokuar ndihma të reja kritike ushtarake që të mund të frenojnë forcat ruse në zonat lindore, si dhe të zmbrapsin sulmet me dronë dhe raketa.

Presidenti Zelenskyy tha se furnizimet e reja perëndimore kanë filluar të mbërrijnë, por ngadalë.

“Ky proces duhet të përshpejtohet”, tha ai, duke shtuar se disa paisje kanë filluar të arrijnë, por nuk pranoi të jepte hollësi.

Ndihma kritike ushtarake e SHBA-së u vonua për gjashtë muaj nga mosmarrëveshjet politike në Uashington dhe prodhimi i pajisjeve ushtarake të Evropës nuk ka mundur të përballojë nevojat.

Javën e kaluar, presidenti Joe Biden nënshkroi ligjin për një paketë ndihme shtesë prej 95 miliardë dollarësh të miratuar nga Kongresi, prej të cilave 61 miliardë dollarë për Ukrainën. Zoti Biden tha se dërgimi i ndihmave ushtarake do të fillojë "menjëherë".

Marre nga VOA

Video

Një person me flamurin palestinez hyri me vrap në fushën e “Yankee Stadium” gjatë ndeshjes mes New York Yankees dhe New York Mets, më 11 shtator. Incidenti ndodhi në 25-vjetorin e sulmeve terroriste të 11 Shtatorit, në një mbrëmje kur në stadium po zhvilloheshin edhe aktivitete përkujtimore. Personi vrapoi në fushë me flamurin palestinez, përpara se të kapej dhe të rrëzohej nga punonjësit e sigurisë. Ai u shoqërua më pas jashtë fushës dhe ndeshja vijoi normalisht. Ngjarja tërhoqi vëmendje të veçantë për shkak të simbolikës së datës dhe ceremonive përkujtimore të zhvilluara atë mbrëmje.

Rama “djeg” Allajbeun dhe i fik dritën jeshile tenderit prej afro 50 milionë eurosh. Pas denoncimeve të VNA, Ministria e Shëndetësisë anulon procedurën për hemodializën në pesë spitale rajonale, ku në garë ishte vetëm “Diaverum AB”. Por “shkundja” nuk ndalet këtu. Nga drejtimi i OSHIS largohet Arisa Cane, e cila kishte punuar më parë në Spitalin Amerikan të Klodian Allajbeut. Kontrata që dukej se po shkonte drejt firmosjes tashmë është ndalur. Çfarë do të ndodhë me tenderin 50-milionë eurosh dhe kush do ta marrë në dorë hemodializën?

Kampi IV në malin Everest po përballet me ndotje mjedisore. Në pamjet e publikuara shihen tenda të braktisura, bombola oksigjeni, kanaçe dhe pajisje të dëmtuara të shpërndara në zonën e kampit. Situata ka bërë që një nga vendet më të larta dhe më të vështira për t’u arritur në botë të ngjajë me një vendgrumbullim mbeturinash. Ndotja në Everest është një problem prej vitesh, ndërsa rritja e numrit të ekspeditave dhe alpinistëve që ngjiten drejt majës ka shtuar edhe sasinë e mbetjeve të lëna në mal.

Kokainë kolumbiane e fshehur në kërcell plastikë trëndafilash, një lulishte fantazmë dhe një vilë në Marathona. Mes të arrestuarve raportohet edhe Lulzim Caka, një emër i njohur i kronikës shqiptare. I dënuar me 25 vite burg, i liruar gabimisht para kohe në vitin 2019 dhe më pas i shpallur në kërkim, Caka rikthehet tashmë në një dosje ndërkombëtare droge. Mbi 110 kilogramë kokainë lidhen me grupin e goditur në Greqi. Si përfundoi një i kërkuar nga drejtësia shqiptare në zemër të kësaj skeme?

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme