Histori të harruara 19 Prill 2025, 14:55 Nga VNA

Historia e mësuesit Mark Shllaku, ende i zhdukur

Ndaje në Whatsapp

“Kam me vete nji teneqe. Kur t’më çojnë me m’pushkatu buzë Kirit, do ta lidhi për kambë e aty do të shkruej emnin tem, kshu qi do ta kesh ma të lehtë me m’gjetë”- Mark Shllaku.

Mësuesi i malësive të Pukës e Shkodrës, i dashuruar me pikturën dhe poezinë, aktor e sufler në Teatrin “Migjeni”, Mark Shllaku “takohet” me të bijën, Julin, vetëm në copa letrash. Dikur, ai i ka mësuar përmendsh “Lahutën e Malcis”. Sot, ajo i prek letrat e holla të duhanit “Ylli i kuq”, duke dashur të takojë përmes tyre mollëzat e gishtave të babës, si atëherë, kur ajo ishte krejt e vogël e ai, krejt i gjallë. Kanë kaluar 70 vjet, ajo është krejt e madhe, e ai, krejt i humbun. Fjalët janë po ato, amaneti po ai. I paçuar në vend. “Baba ishte i butë shumë. Na i plotësonte të tana dëshirat. Na pat ba edhe kafaz me lepuj, që të luejshim me ta. Na merrte në shkolla verore dhe ne mezi pritshim me ardhë ai në shpi,”- thotë Juli me sytë e ujtë.

Një ditë të shtatorit të 1948-s, Mark Shllaku u nis për në shkollë. Mëngjesin e asaj dite nuk e dinte se nuk do të kthehej më kurrë në shtëpi, as i gjallë, as i vdekur. E arrestuan si organizator i celulës së Partisë Socialdemokrate në Shkodër. I vëllai ishte arratisur dhe i ati i Markut ishte internuar në Tepelenë. Pas 11 muajsh hetuesi, më 25 gusht 1949, Gjykata Ushtarake në Shkodër vendosi ta dënonte me vdekje, me pushkatim. E bija ishte atëherë vetëm 8 vjeçe. Sapo kishte mësuar të shkruante e të lexonte kur iu drejtua kryetarit të Degës së Brendshme në Shkodër. “Ai ishte në nji nga kto shpitë e bukura të konfiskuara. Më çoi mama der’ te dera e më tha si me u sjellë. Hyna në nji sallon të madh. Iu prezantova dhe iu luta për nji takim me babën. Ai më dha nji copë letër të firmosme”, kujton Juli. Atë ditë e pa babën përmes hekurave. “Kena shku me mamën dhe jena taku. Baba tha që kam shkru disa letra e i kam futë në dyshek, që ta merrshim. Tha se kishte ba nji cop’ metalike, teneqe. ‘Kur t’më çojnë me m’pushkatu buzë Kirit, do ta lidhi për kambë. Kam shkru emnin tem në të, kshu qi do ta kesh ma të lehtë me m’gjetë. Mue më tha: Mos u mërzitni dhe mësoni! Te shkolla e kishte hallin,”- kujton Juli. Mark Shllaku e kishte ditur mirë se trupat e të pushkatuarve ishin zhdukur. Mes ditarëve të shkollës, mësuesi ka lënë letra me poezi. Është e vetmja fletore që i ka shpëtuar kontrolleve të Sigurimit, pas arrestimit. “Kanë mendu që është fletore e imja”, thotë Juli për shënimet e babës. I hap me radhë dhe lexon poezitë, viti 1946, viti 1947. Mes tyre shquhet poezia “Çinarët”, kushtuar vendit ku pushkatoheshin të dënuarit e komunizmit, pas varrezave të Rrmajit. Vargjet e poezisë së tij pothuaj e përshkruajnë atë që ndodhte netëve pranë dy çinarëve, çka sot na tregon se Marku e dinte se qyteti ishte nën pushtetin e frikës, e se ai mund të ishte edhe fati i tij.

“Në këto shekuj ke kalue, T’mira, t’kqija mjaft ke pa, Ktu janë vjerrë e pushkatue Rrajët e tua ngjak janë la.

Ti nuk fole, gja s’tregove Ndër rrajë tuja i ke ngujue Gemat e tu gjithnjë zgjanove Banorët e tu n’hije me i mbulue.

Ke hesht mjaft, çinar i mjerë, Be të lshojnë nanat tuj kja, Çile gojën, fol njiherë, Kur ma tepër ti ke pa”.

Poezia nuk ka datë, por fletë të ngjashme me të njëjtin shkrim kanë shënimin: Vrakë, 20 prill 1947.

Kur pas ekzekutimit e shoqja, Angjja, mundi të merrte sendet personale nga hetuesi, në dyshek gjeti një letër të mbrame. Letra i drejtohet Angjes, gruas që deshi, vajzës me të cilën qe njohur në moshë të re, dashuruar e martuar shpejt, sikur ta dinte se nuk kishte shumë kohë. Ai ishte vetëm 22 vjeç kur u bë baba. Në letrat e duhanit të kohës, Marku që pret të vdesë kujtohet të shënojë borxhet për shtëpinë që patën ndërtuar bashkë dhe lë amanetet. Pothuaj me lutje kërkon të ketë një varr. Nga dëshmitë e lëna me shkrim, i dënuari ndihet të jetë krejt i vrarë, ende pa e qëlluar.

“E dashtuna Angje! Jam lidh kamsh e duersh. Edhe pak orë me kanë mbet me jetue. Mendjen e kam te ti e fëmija që nuk mujta me ju gëzue. Tashti më kanë pikëllue shumë fytyrat tuaja që më dalin parasysh e s’më lanë me dekë… banu e fortë...” Pas ekzekutimit, Angjja, ndihmësmjeke në zë në Shkodër, paguan një burrë që të kërkojë trupin e të shoqit. E kërkojnë në Kir pranë çinarëve, por nuk e gjejnë. Regjimi nuk jepte të dhëna e, prej 70 vitesh, familja e tij kërkon të çojë në vend amanetin e Markut, por ende nuk e di ku prehet trupi i tij. Pas 1990-s, Juli me të shoqin kanë pyetur ish-hetues të kohës. Dëshmi të pakonfirmuara përmendin malin e Rrencit, në një natë me shi dhe një varr të cekët...

✅️Nga  ekspozita “E shkuara e pakryer; të zhdukur në diktaturë”, bashkëpunim i AIDSSH me ICMP, IIPP. Fatmira Nikolli Anton Dukagjini  Konrad-Adenauer-Stiftung Albanien  Kërkojmë të Zhdukurit - Autoriteti i Dosjeve të Ish-Sigurimit.

Video

Protestat e fermerëve në Greqi po përshkallëzohen dita-ditës, me bllokada të shumta në rrugët kryesore, autostrada dhe pikat doganore në mbarë vendin. Ndërsa mobilizimet vazhdojnë të rriten, vëmendja është përqendruar te mbledhja e Komitetit Panhelenik javën e ardhshme, ku pritet të përcaktohet strategjia dhe kërkesat për zgjidhje konkrete. Bllokime të shumta janë regjistruar në Thesali, Greqinë Qendrore dhe Akaia, ndërsa sipas fermerëve, veprime edhe më radikale, si bllokimi i porteve dhe doganave, janë në shqyrtim. Aksi ndërkombëtar Kakavijë–Janinë mbetet i bllokuar, duke lejuar vetëm lëvizje emergjente dhe urgjenca mjekësore. Fermerët deklarojnë se kërkojnë masa urgjente dhe theksojnë se nuk pranojnë dialog formal pa rezultate të prekshme. Nga ana tjetër, qeveria paralajmëron masa të forta ndaj veprimeve agresive dhe përplasjeve me policinë, të cilat janë shfaqur gjatë përpjekjeve për të bllokuar edhe aksesin drejt aeroporteve. https://www.vna.al/rajoni/fermeret-greke-intensifikojne-protestat-bllokime-masive-ne-rruge-dogana-d-i17605

Departamenti i Sigurisë Kombëtare të SHBA-së publikoi pamje nga operacioni i ndalimit të një anijeje të lidhur me një kartel trafiku droge, që transportonte rreth 20,000 paund kokainë në Paqësorin Lindor. Në videot e publikuara shihet një snajperist i Rojës Bregdetare që godet motorin e skafit për ta çaktivizuar, duke lejuar më pas që një anije tjetër me forcat speciale të kryejë arrestimin e ekuipazhit. Operacioni tregon koordinimin e forcave amerikane për të parandaluar trafikun ndërkombëtar të drogës.

Këto janë pamjet kur një i moshuar në Durrës ka tentuar të vrasë bashkëshorten e tij me shkop druri. 70-vjeçarja shihet duke ikur me vrap nga shkallët e banesës në lagjen nr. 17, ndërsa i moshuari e ndjek me shkopin në dorë. Ngjarja ndodhi pas një konflikti mes çiftit, dhe si pasojë e sulmit gruaja pësoi dëmtime të rënda fizike, duke u dërguar menjëherë në Spitalin e Traumës në Tiranë. https://www.vna.al/kronika/tentoi-te-vriste-bashkeshorten-arrestohet-76-vjecari-ne-durres-i17596

Greqia prej disa ditësh po përballet me një situatë të rënduar atmosferike, e shoqëruar me stuhi dhe reshje të dendura shiu, që kanë shkaktuar përmbytje të gjera në disa zona të vendit. Për shkak të nivelit të lartë të ujërave, qindra banorë janë detyruar të evakuohen, ndërsa shumë banesa dhe biznese ndodhen nën ujë. Situata është më problematike në Farsalë, ku lumi ka dalë nga shtrati duke rrezikuar zonat e banuara, çka ka detyruar autoritetet të ndërhyjnë menjëherë.

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive?

Bashkohuni me grupin tonë privat.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme