
Në vitet e errëta të diktaturës komuniste, kur fati i individit varej nga biografia dhe jo nga e drejta, katër vajza të reja nga Durrësi – motrat Iljana, Irena, Ermjoni dhe Zhaneta Popa – guxuan t’i shkruanin një letër të gjatë dhe të dhimbshme Enver Hoxhës. Ishte viti 1975, dhe kjo letër përbën një nga dëshmitë më të forta të arbitraritetit shtetëror, padrejtësive dhe hakmarrjeve politike që ushtronte regjimi mbi qytetarë të pafajshëm.
Sipas dokumenteve zyrtare, familja Popa u etiketua që në vitin 1968 si “familje me përbërje armike”. Arsyeja nuk lidhej me vajzat, por me biografinë e prindërve: Babai, Moisi Popa, u akuzua se kishte qenë i afërt me Zogun dhe më pas bashkëpunëtor i fashistëve. Ai u arrestua në vitin 1952 së bashku me bashkëshorten, ndërsa vdiq në burg.
Një vëlla, Arqile Popa, u dënua me 10 vjet burg për “krime kundër shtetit”. Një tjetër vëlla dhe dy motra të familjes ishin të arratisur në Jugosllavi. Kjo biografi e rëndë politike u përdor për t’i goditur padrejtësisht katër vajzat, të cilat nuk kishin asnjë faj personale.
Më 6 shkurt 1968, motrat Popa u ngritën me forcë nga shtëpia dhe u dërguan në fshatin Kullë të Sukthit. Asnjë arsye nuk iu dha. Ato shkruajnë se “versionet qenë të ndryshme, por fakti është se ne na mbajnë akoma atje pa asnjë motiv”.
Më vonë, organet e Punëve të Brendshme u dhanë dokumente që vërtetonin se ato nuk kishin qenë kurrë të internuara zyrtarisht, gjë që e thellonte absurditetin e situatës.
Shpresa e kthimit dhe mashtrimet e njëpasnjëshme
Në përpjekjen për t’u kthyer në Durrës, motrat iu drejtuan Komitetit Ekzekutiv, ku kryetari Halit Nova u tha se kishte “urdhër nga lart” që ato të lejoheshin të ktheheshin. Premtimet për punë dhe banesë qenë të shumta, por në praktikë u sorollatën muaj të tërë.
Pas shumë kërkimesh, një mik i vjetër i familjes, 93-vjeçari Sterjo Koxhai, u vuri në dispozicion një banesë në lagjen nr.1, nga humanizmi dhe mëshira për gjendjen e tyre. Më 10 korrik 1975 motrat u vendosën në banesë me dokumente të rregullta.
Por vetëm 18 ditë më vonë, fatkeqësia u përsërit.
Një grup prej tetë policësh, të uniformuar dhe civilë, të kryesuar nga drejtuesi i pasaportizimit, Demir Peza, i dëbuan vajzat me forcë. Sipas letrës së tyre, policët u zunë rrugën për t’i penguar të shkonin në Tiranë për të bërë ankesë, ndërsa banorët e lagjes mbetën të tronditur nga trajtimi i padrejtë ndaj tyre.
E ndodhur në këtë situatë motrat vendosën t’i shkruajnë drejtpërdrejt Enver Hoxhës, duke shpresuar se ai do t’u kthente të drejtën.

LETRAT
Komitetit Qëndror të PPSH
Tiranë
Për sa kërkoni me tuajën Nr.E/222-1 datë 23.08.1975 ju informojmë se:
Në vitin 1968 familja Popa është damkosur nga pushteti dhe organizata e frontit të lagjes si familja me përbërje armike. Po ashtu nga komisioni I krijuar në atë kohë për këtë kontigjente është thirrur dhe kërkuar mendimi ne së do të largoheshin vullnetarisht ose të interesoheshin, të cilët pranuan të largoheshin vetë këstu që nuk u mor në evidencë nga organet e punëve të brendshme si familje e internuar.
Nga pushteti janë të vendosur me banim dhe punë në sektorin e Kullës të formës “8 Nëntori” në Sukth.
Kjo familje është me përbërje shumë të keqe politike dhe morale. Babai I tyre Moisi Popa, kak qenë I lidhur ngusht me Zogun. Me ardhjen e italjanëve fashitë në vendin tonë, u bë një propagandistet e fashizmit dhe shtëpia e tyre qendër e italianëve. I ndihmuar financiarisht nga fashistët bëhet pronar I një farmacie ku pasurohet shumë. Pas çlirimit preken rëndë nga reformat e pushtetit popullor.
Në vitin 1952 arrestohet Moisi Popa së bashku me gruan dhe dënohen me burg ku Moisiu vdes gjatë kryerjes së dënimit.
Vëllai I tyre (vajzave) Arqile Pop aka qenë dënua me 10 vjet heqje lirie për krime kundër shtetit. Një vëlla dhe dy motra I kanë të arratisur në Jugosllavi që nga viti 1952 ku janë edhe sot.
Komiteti Ekzekutiv I KP të Rrethit e ka marrë në shqyrtim kërkesën e qytetares Eleni Popa dhe me vendimin Nr. 114 datë 22.08.1973 ka vendosë që të mos u aprovojë lejen e banimit në qytetin e Durrësit familjarisht. Por këtë janë njoftuar dhe largimi nga qyteti I Durrësit sipas pretendimeve të tyre është bërë mbi bazën e urdhrit administrative të KP të Qytetit Durrës.
Sekretarit të Parë të P.P.SH-së
Shokut Enver Hoxha!
Ne që po ju shkruajmë të katër motrat Popa, Iljana, Irena, Ermjoni dhe Zhaneta Popa, qyyetare Durrsake vendase me origjinë.
Jemi mbesat e Dr.Dhimitër Popës të rritura prej 20 vjetësh jetime por kryesorja është se po vuajmë shumë tue u kapë në çështje të vjetra anakronike e tue u hakmarrë vazhdimisht kundra neshë.
Para shtatë vjetë e gjysëm me datë 6.02.1968 Organet Kompetente të Durrësit muarën masë kundret nesh tue na ngritur forcërisht e tue na dërgue me masë internim –dëbimi ne fshatin tonë pranë autoriteteve pse na ngritën, versionet qenë të ndryshme por fakti është se ne na mbajnë akoma atje pa asnjë motiv.
Në demarshet e një pas njëshmë që ne bëmë për të drejtën tonë Organet e Punëve të Mbrendshme na dërguan dokumentet përkatëse me të cilat vëllai I jonë Nikolla Popa dhe vajzat nuk kishin qenë asnjëherë më masë, gjithashtu mamaja dhe vëllai I vjetër liroheshin nga masa (po ju vëjmë edhe kopjet e dokumentave përkatëse).
Me të maruun këto dokumenta I drejtohemi Ekzeekutivit të Qytetit për kthimin tonë, në atë kohë vjen gjithashtu vjen edhe udhëzimi I Kryeministrisë për kthimin e këtyre familjeve. Kështu që kryetari I Komitetit Ekzekutiv të Qytetit Halit Nova na thirri tue na thanë tekstualisht këto fjalë:
Kam udhëzim nga naltë për ju që lejohen të ktheheni në Durrës, dhe premtimet qenë të shumta për punë dhe shtëpi, tue na sorollatun sa në një kuadër ke tjetri por unë nuk kam; gjejeni vetë dhe futuni, dhe për këtë na dha një letër për kryetarin e lagjes ku gjetëm banesë (ku po ju vejmë edhe kopjen e letrës).
Banesa që zuam nuk u liria se kishte qeraxhiu mbrenda, kështu që na u desh të kërkonim për një kohë të gjatë banesë tjetër që të stabilizoheshim dhe të ktheheshim në vendlindjen tonë, mbas shumë përpjekjesh banesën e gjetëm ku na e dha një miku i xhaxhait Dr.Dhimitër Popës 93 vjeçari I Sterjo Koxhai tue na thanë se po ju jap banesën se jeni vajza të ëmura të gjitha me raporte mjekësore në moshë martesë dhe Durrsake vendase dhe të rrini sa të doni, nuk dua asnjë lekë prej jush po e bëj këtë të mirë nga ana humanitare.
Në bazë të dokumentave që disponojmë të leje banimit që na ishte dhanë prej kohe pa afat të caktuar, tue pasë gjashtë raporte mjekësore dhe qytetare Durrsake vendase me origjinë, me 10 Korrik 1975 ne u futëm de faktum në banesën që na u dha nga Xha Sterjo në lagjen Nr.1 Blloku Nr. 1 Durrës.
Por fatkeqësisht për ne, ne tashti e muorëm vesht që nuk kishim asnjë të drejtë të jetonim në vendlindjen tonë.
Neve na ishin hequr të gjitha të drejtat që ma garanton Kushtetuta e Republikës Popullore të Shqipërisë si qytetare Durrsake.
Në qytetin e Durrësit komandojnë akoma tarafet e disa kuadrove që për unitet mejtimi (ashtu e dimë ne ashtu e mejtojmë ata), shkelin ligjshmërinë socialiste dhe këto tarafë tue pasë tue e pasë poste qeveri shkelin me brutalitet dhe me forcë të drejtat e ndonjë qytetari që nuk ka as postë as njerëz me influencë që të mbrojë, kështu, që neve nuk na lanë të jetonim në vendlindjen tonë, por, mbas 18 ditëve tue na pru forcat policore ( të veshur me uniform dhe civilë gjithsej 8 veta), me kryetarin e pashaportizimin Demir Pezën në krye na I ngritën plaçkat forcërisht dhe na I dërguan në fshatin kullë dhe kur I thamë që tashti do të drejtohemi në Komitet Qendor ti tregojmë shokut Enver se sip o veproni ju, policët na zinin rrugën që të mos niseshim për në Tiranë dhe ky veprim I tyre kundrejt nesh katër vajzave Durrsake vendase dhe të sëmura bëri një përshtypje shumë të keqe në masën e banorëve të lagjes Nr.1.
Prandaj shoku Enver po ju drejtohemi juve dhe nëpërmjet jush Partisë ti vemë drejtësi çështjes tonë se nuk kemi njerëz me influencë që të na mbrojnë dhe të na ndihmojnë që të gëzojmë të drejtat që gëzon çdo qytetar I Republikës Popullore të Shqipërisë në vendlindjen e tij; se po vuajmë një jetë të tërë tue u hakmarrë kundra nesh për çështje anakronike.
Ishim fëmijë u bëmë vajza në moshë po një avaz nuk po gjejmë derman, nuk po na gjen këmba dhe. Kërkojmë të kthehemi në vendlindjen tonë se jemi të pafajshme. Po plakemi në derë katër vajza pa u martuar senjerëzit kanë frikë të na flasin dhe të na shoqërojnë derisa ne qendrojmë akoma po me atë pozita dhe me këtë të fundit që na I ngritën plaçkat forcërisht me anë të një force policore na I prishën çdo aspect të jetës tonë. Me shpresë që lutja jonë do të merret parasysh, me nderime motrat Popa.
Partia e Punës e Shqipërisë, Komiteti Qendror I dërgon Komitetit Ekzekutiv të K.P të Rrethit Durrës letrën e Eleni Popës drejtuar Enver Hoxhës më 23.08.1975.
Më 13.11.1971
Qytetarit Nikolla Popës pranë Sektorit Kullë Fermes, 8 Nëndori Sukth
Ju njoftojmë se kërkesa e juaj drejtuar Ministrisë së Punëve të Brendshme për tu kther me banim në qytetin e Durrësit nuk është në kompetencat e komisionit të Internim-Dëbimeve, por në kompetencat e Pushtetit të Rrethit Durrës, mbasi juve dhe e gjithë familja e juaj aktualisht nuk jeni të internuar.
Zv. Kryetari I Degës Punëve të Brendshme (Kapllan Shehu).


























