Sociale 31 December 2024, 14:00 Nga VNA

Fituesit dhe humbësit e 2024-s

Ndaje në Whatsapp
Fituesit dhe humbësit e 2024-s

Ekonomia vendase mori pak frymë për të dytin vit radhazi në vitin 2024, duke lënë pas vështirësitë e krijuara pas tërmetit të 2019-s dhe pandemisë që dha efektet në 2020-2022. Inflacioni zbriti në nivelet e 2% dhe konsumi vijoi të përmirësohej gradualisht.

Fituesi më i madh i 2024-s ishte turizmi. Vendi është kthyer tashmë në një destinacion të preferuar të turistëve nga e gjithë bota.

Për periudhën janar-tetor, në vend kanë hyrë gjithsej 10.4 milionë shtetas të huaj, shifër që është e barabartë me hyrjet për gjithë vitin 2023. Turizmi ka ndikuar një zinxhir sektorësh, transportin, qiradhënien e makinave, baret e restorantet, hotelerinë e shumë shërbime të tjera duke amortizuar efektin negativ që ka dhënë tkurrja e popullsisë.

Një tjetër “fitues” ishte monedha vendase, që vijoi të forcohej e ndikuar nga flukset turistike, efektet sezonale, por dhe hyrjet informale.

E kemi vënë fitues në thonjëza, se efekti i saj ka qenë i kombinuar, eksportuesit dhe sektori i turizmit kanë humbur, ata që paguhen apo kanë pasuri në valutë (investime, kursime, banesa) e marrin para nga të afërmit, po ashtu. Importuesit kanë fituar, indirekt dhe konsumatorët, apo shtetit, i është lehtësuar barra e borxhit të huaj.

Ndërtimi vijon të jetë fitues, duke mbetur një nga udhëheqësit e rritjes ekonomike në 2024, ndonëse nuk jemi të bindur nëse në afatin e gjatë, ky sektor do të vijojë të mbetet i tillë, teksa një flluskë e mundshme mund ta kthejë të gjithë situatën përmbys.

Popullsia shqiptare, humbësja më e madhe në vitin 2024. Më në fund mësuam shifrën e saktë të popullsisë. Nuk erdhi aspak si surprizë që kemi mbetur 2.4 milionë banorë, ose rreth 420 mijë më pak krahasuar me Censin e mëparshëm të 2011-s.

Sinjalet ishin aty, që nga ngërçi me tregun e punës, frenimin e konsumit, shifrat e larta të aplikimeve për azil të lejeve të qëndrimit të dhëna nga vendet e BE-së për shqiptarët. Për fat të keq, tendenca e emigrimit po vijon, ndonëse me ritme më të ngadalësuara se viti 2022.

Një tjetër tregues shqetësues është rënia e nivelit të lindjeve. Në 6-mujorin e parë 2024 (kur janë të disponueshme të dhënat e fundit të INSTAT), lindjet ishin 38% më të ulëta në krahasim me të njëjtën periudhë të një dekade më parë duke paralajmëruar më shumë humbje për popullsinë.

Një tjetër humbës në vitin 2024 ishte industria, që po pëson transformim, e ndikuar nga humbja e avantazhit të kostos së lirë të fuqisë punëtore. Në afat të shkurtër, efekti është negativ, me shumë fabrika, sidomos në sektorin që punon me material porositësi për veshjet e këpucët, që do të mbyllen. Në afat të gjatë, ky zhvillim pritet të jetë pozitiv, teksa do të nxisë kalimin në sektorë më produktivë dhe me vlerë më të lartë të shtuar të ekonomisë. Bizneset shqiptare kanë treguar në vite se dinë të përshtaten shpejt.

Si gjithmonë, në këto vitet e fundit, bujqësia, ndonëse zë peshë të konsiderueshme në madhësinë e Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB), me gati 20%, ka ndikim të papërfillshëm në rritjen e ekonomisë, duke mos arritur të kthehet në një fitues, pavarësisht nga shanset që po i jep turizmi, me këtë të fundit që po favorizon më shumë importet.

Teksa viti po mbyllet, urimi ynë në “Monitor” është që viti 2025 të jetë më i mbarë, me një reflektim që më e mira do të vijë, si nga shfrytëzimi i potencialeve në rritje të sipërmarrjeve, ashtu dhe nga orientimi i politikave nxitëse të ekonomisë drejt sektorëve me avantazh konkurrues e ndikim gjithëpërfshirës në rritjen e qëndrueshme të ekonomisë e mirëqenies së qytetarëve të saj!

Duhet punuar që humbësit të mos shndërrohen në rrënues. Bizneset natyrshëm do të tentojnë të shkojnë në kahun e fituesve. Por, kjo nuk mjafton. Siç u theksua dhe nga fituesit e çmimit “Nobel” është cilësia e institucioneve që ndikon në zhvillimin ekonomik, për të cilin janë direkt përgjegjës politikëbërësit.

Gjithsesi, në këto kohë festash, le të jemi pozitivë dhe të shpresojmë për një të ardhme më të mirë, që është ajo çka në fakt i duhet më shumë këtij vendi./MONITOR

Video

Regjisorja rome Alina Șerban mbërriti në Festivalin e Filmit të Venecias e shoqëruar nga muzika dhe vallet e komunitetit të saj, duke e kthyer paraqitjen në tapetin e kuq në një festë të identitetit dhe rrugëtimit personal. Filmi i saj i parë me metrazh të gjatë, “Eu contez” (“Unë kam rëndësi”), fitoi çmimin e publikut Armani Beauty në seksionin “Venice Spotlight”. Historia frymëzohet nga jeta e vetë regjisores: nga adoleshenca në sistemin e kujdesit social deri te pranimi në Akademinë Mbretërore të Artit Dramatik në Londër. Për realizimin e filmit, Șerban përfshiu të rinj që jetojnë ose kanë jetuar në shtëpi kujdesi, me të cilët ka punuar për dhjetë vjet. Ata i pati pranë edhe në prezantimin zyrtar të veprës në Venecia.

Se ne nuk kemi hallin e prindërve po të bëjmë çik propagandë para nisjes së shkollës…

Mbi 100 notarë nga më shumë se 20 vende morën pjesë në “Albania to Corfu Swim 2026”, duke përshkuar rreth 3 kilometra në Detin Jon, nga Ksamili drejt Agios Stefanos në Korfuz. Aktiviteti ka si qëllim mbledhjen e fondeve për mbrojtjen e mjedisit detar.

Një ngjarje e rëndë e regjistruar nga kamerat në një restorant në Ohio tregon momentin kur Matthew Exton, 43 vjeç, ish-avokat dhe ish-prokuror lokal, i drejton armën në kokë ish-gruas së tij dhe tërheq këmbëzën. Arma nuk shkrepi pasi siguresa ishte ende e aktivizuar. Pak çaste më vonë, një kamerier ndërhyri dhe, së bashku me persona të tjerë në lokal, arriti ta neutralizonte. Prokuroria e cilësoi ngjarjen si një tentativë për “ekzekutim publik”. Exton është shpallur fajtor për tentativë vrasjeje dhe akuza të tjera, ndërsa dënimi pritet të jepet më 21 shtator.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme