Filmi i parë artistik i prodhuar nga Princ Harry dhe Meghan Markle ka regjistruar një debutim zhgënjyes në kinematë amerikane, duke arkëtuar më pak se 260 mijë paund gjatë fundjavës së parë të shfaqjes.
Duka dhe Dukesha e Sussex-it janë producentët e dokumentarit “Cookie Queens”, një histori që trajton rritjen dhe pjekurinë e vajzave amerikane përmes përvojës së Girl Scouts dhe përpjekjeve të tyre për të mbledhur para duke shitur biskota.
Filmi u shfaq gjatë fundjavës në 446 kinema në SHBA, por sipas të dhënave të para nuk arriti të renditej mes dhjetë filmave më të ndjekur. Madje, në arkëtime u mposht edhe nga një përmbledhje videosh me macet më të famshme të internetit.
Sipas Box Office Mojo, çdo shfaqje e “Cookie Queens” arkëtoi mesatarisht rreth 600 paund. Një burim nga industria e filmit e përshkroi rezultatin si zhgënjyes, duke thënë për The Times se, pavarësisht reputacionit të festivalit të videove me mace, “është, në çdo aspekt, një rezultat mjaft i dobët”.
Harry dhe Meghan, të cilët e kanë prodhuar dokumentarin përmes kompanisë së tyre Archewell Productions, morën pjesë në premierën botërore të filmit në Festivalin e Filmit Sundance 2026, në Salt Lake City, në janar.
Që prej atëherë, çifti ka vijuar ta promovojë projektin përmes daljeve dhe aktiviteteve të ndryshme publike.
Në premierën në Salt Lake City, Meghan Markle mbajti një fjalim në mbështetje të filmit. Ajo e përshkroi dokumentarin si një “pasqyrim të fuqishëm dhe domethënës të diçkaje që është një traditë amerikane”.
“Po, është i ëmbël dhe këto vajza të reja janë fantastike dhe të adhurueshme, por ato janë gjithashtu vajza me shumë shtresa, të cilat janë gati të bëhen lidere të forta dhe gra të reja”, tha Meghan.
Në një intervistë të mëparshme për revistën People, Meghan kishte shpjeguar edhe arsyen pse projekti kishte një rëndësi të veçantë për të dhe Harry-n.
“Kur pamë për herë të parë një fragment të filmit disa vite më parë, ai zgjaste vetëm disa minuta dhe ende po përgatitej, por ishte e qartë se vizioni i Alysa-s si regjisore po kapte diçka të veçantë”, tha ajo.
Meghan shtoi se muzika, kinematografia dhe sinqeriteti i projektit i kishin bërë të dy të qeshnin, por edhe të përjetonin emocione të forta si prindër.
“E dinim se donim ta mbështesnim këtë projekt në çdo mënyrë që të mundnim”, u shpreh ajo.
Megjithatë, filmi ka marrë reagime të përziera nga kritikët. Revista Variety e cilësoi atë si një produksion që ngjan tepër me një “rrëfim të zgjatur reality show”, duke argumentuar se filmi fokusohet te mënyra se si vajzat e Girl Scouts përpiqen të shndërrohen në sipërmarrëse, por nuk shkon shumë më tej.
Kritiku kryesor i filmit i Variety, Owen Gleiberman, tha gjithashtu se produksioni nuk arrin të përcjellë emocionin që premton në fillim.






















