
Një zjarr i përmasave të konsiderueshme përfshiu zonën Paulesh–Vidhasasgjel, në Njësinë Administrative Pajovë të Peqinit, duke djegur mbi dy hektarë sipërfaqe.
Flakët u përhapën në një zonë me ullishte, pyll, ferra dhe bimësi të egër, ndërsa pjesa më e madhe e sipërfaqes së prekur përbëhej nga ullishte dhe barishte.
Për shuarjen e zjarrit u angazhuan 22 forca zjarrfikëse, të mbështetura nga efektivë të Policisë dhe banorë të zonës. Në operacion morën pjesë gjithashtu zjarrfikës nga Elbasani, Cërriku, Belshi dhe Rrogozhina.
Pas ndërhyrjes së forcave në terren, zjarri u vu nën kontroll, duke shmangur përhapjen e mëtejshme të flakëve në sipërfaqe të tjera.
Nga të dhënat paraprake dyshohet se zjarri mund të jetë shkaktuar qëllimisht. Autoritetet po kryejnë verifikimet për të përcaktuar rrethanat dhe shkakun e saktë të rënies së tij.






















