Bota 2026-09-20 21:30:56 Nga VNA

Zhdukja e Madeleine McCann, i dyshuari kryesor flet për herë të parë: Po shisja drogë pranë resortit

Ndaje në Whatsapp
Zhdukja e Madeleine McCann, i dyshuari kryesor flet për herë të

Christian Brückner, i konsideruar nga hetuesit gjermanë si i dyshuari kryesor në çështjen e zhdukjes së Madeleine McCann, ka folur për herë të parë publikisht për lëvizjet e tij natën kur 3-vjeçarja britanike u zhduk në Portugali në vitin 2007.

Në një intervistë për “Mail on Sunday”, Brückner pretendoi se atë mbrëmje ndodhej në një plazh pranë resortit Praia da Luz, ku po qëndronte familja McCann, por mohoi kategorikisht çdo përfshirje në zhdukjen e vajzës.

Sipas tij, në atë periudhë merrej me trafik dhe shitje droge dhe ndodhej rreth 150 metra larg resortit.

“Isha në plazh, jo shumë larg hotelit të saj, duke shitur drogë”, deklaroi ai.

Brückner pretendoi se kishte sjellë kanabis nga Spanja në Portugali dhe se natën e zhdukjes po lëvizte me një furgon ku, sipas tij, kishte një sasi të konsiderueshme droge.

Ai deklaroi gjithashtu se ishte ndaluar tri herë nga policia, ndërsa autoritetet po kërkonin Madeleine, por lënda narkotike në automjet nuk ishte zbuluar.

Madeleine McCann u zhduk më 3 maj 2007 nga apartamenti ku familja po qëndronte në Praia da Luz, ndërsa prindërit e saj, Kate dhe Gerry McCann, po darkonin në një restorant aty pranë.

Autoritetet gjermane e kanë identifikuar prej vitesh Brückner si të dyshuarin kryesor në çështje. Megjithatë, ai mohon çdo lidhje me zhdukjen e vajzës dhe nuk është dënuar për këtë rast.

Brückner tha se kishte shmangur më parë deklaratat publike për çështjen, pasi pretendon se autoritetet po përpiqen ta bëjnë përgjegjës për zhdukjen.

“Nuk kam të bëj fare me zhdukjen e vajzës. Do të isha i lumtur nëse ajo do të shfaqej nesër, sepse atëherë të gjithë do ta kuptonin menjëherë se gjithçka kundër meje është e sajuar”, deklaroi ai.

Rasti i Madeleine McCann mbetet një nga çështjet më të njohura të personave të zhdukur në Europë, ndërsa hetimet për të përcaktuar se çfarë ndodhi me të vazhdojnë.

Video

SHISH “fshin” Vlora Hysenin nga historiku zyrtar

I shënoi kush u largua nga salla! ???? Pamjet nga OKB-ja tregojnë zyrtarë të delegacionit izraelit duke kaluar nga një tavolinë te tjetra dhe duke evidentuar delegacionet që u larguan nga salla gjatë fjalimit të Benjamin Netanyahu-t. Dhjetëra delegacione u larguan sapo kryeministri izraelit mori fjalën, duke lënë pas shumë vende bosh në sallën e Asamblesë së Përgjithshme.

Skandali po kthehet në biznes, “radarët” e Vlora Hysenit përfundojnë në bluza

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Forgotten Stories

More news